E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti serb nuk frenohet nga deklaratat politike

“Kosova në BE, si pjesë e Serbisë”.
 

 
Boris Tadiç shkeli kushtin. Reagon presidenca kosovare, ndërsa opozita kritikon ekzekutivin që lejoi vizitën e presidentit serb
 
 
Presidenca e Kosovës deklaroi dje, se kreu i shtetit serb, Boris Tadiç, gjatë qëndrimit në Kosovë tregoi edhe një herë se nuk heq dorë nga qasja destruktive ndaj Kosovës. Zyrtarë të Presidencës thanë se presidenti serb shkeli kushtin për të mos dhënë deklarata politike, por vetëm të karakterit fetar, gjatë vizitës së tij në Kosovë. Tadiç mori pjesë në ceremoninë e Krishtlindjeve Ortodokse në manastirin e Deçanit, nga ku u largua dje për në Beograd. I pyetur nëse e sheh integrimin e Kosovës në BE si shtet të vetëm apo bashkë me Serbinë, ai tha se e sheh Kosovën në Bashkimin Europian, por si pjesë të Serbisë. “Nuk do të doja të shihja vetëm Serbinë, që do të thotë dhe Kosovën në BE, por gjithë vendet e rajonit”, - shtoi ai. Kjo deklaratë, sipas zëdhënësit të presidentit Xhavit Beqiri, tregon se Beogradi nuk heq dorë nga qasja e vjetër destruktive ndaj Kosovës. “Edhe në deklaratat e djeshme, presidenti Tadiç, sado që mundohej që këtë herë të ishte pak më i moderuar, nuk mundi të qëndronte pa theksuar se Kosova është pjesë e Serbisë, ndonëse edhe vetë e di se dje ai ka qenë në një shtet tjetër, ka qenë në Republikën e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur”, - tha Beqiri. Qeveria e Kosovës pranoi të lejonte Tadiçin të hynte në territorin kosovar, vetëm nëse ai nuk do të bënte deklarata politike, që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Zyrtarë të ekzekutivit nuk bërë dje komente lidhur me deklaratat e presidentit serb, ndërsa opozita ka kritikuar vendimin e institucioneve kosovare që lejuan Tadiçin të hynte në Kosovë. Komente nuk ka pasur as nga zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së, që ndërmjetësoi këtë vizitë të presidentit serb, mes Beogradit e Prishtinës. Por opozita ka kritikuar vendimin e institucioneve. Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha se nuk mund të pritet që presidenti i një shteti të mos bëjë deklarata politike. “Presidenti i Serbisë nuk është patriark, ai është president, politikan i zgjedhur me vota të popullit në Serbi dhe ai nuk mund të ketë vizitë vetëm fetare në Kosovë. është një palaçollëk politik i institucioneve të Kosovës”, - tha ai. Në të njëjtën frymë u shpreh edhe analisti për çështje politike, Behlul Beqaj. Ai mendon se kjo nuk është hera e parë dhe as e fundit që presidenti Tadiç jep deklarata politike në Kosovë. “Mendoj se kërkesat që presidenti Tadiç të mos japë deklarata politike janë të paqëndrueshme, nga fakti se në Kosovë nuk ka ardhur një klerik i Serbisë, por ka ardhur presidenti i Serbisë”, - tha ai, duke shtuar se vetë fakti se kryetari i Serbisë erdhi në Kosovë ka domethënie, para se gjithash, politike. Zyrtarë të qeverisë, një vit më parë, kur Tadiç kërkoi të vinte në Kosovë për Pashkët Ortodokse, patën thënë se, po qe se presidenti serb bënte deklarata politike, atij në të ardhmen do t’i ndalohej hyrja në Kosovë, qoftë ajo e karakterit zyrtar apo privat. Qëndrim pak a shumë të njëjtë kanë mbajtur edhe kësaj here. Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se me deklaratat e tij, Tadiç po ia ngushton vetes hapësirën për të ardhur në Kosovë. “ është vetë fajtor ai, që po i ngushton udhët e bashkëpunimit dhe të lëvizjes së ndërsjellë”, theksoi Beqiri. Ndërkohë, autoritetet që shoqëruan vizitën e presidentit serb në Kosovë kanë qenë tepër të rezervuara në dhënien e informacioneve mbi axhendën e tij. Tadiç u transportua prej manastirit të Deçanit me helikopter të KFOR-it, forcë kjo që edhe ka qenë përgjegjëse për përcjelljen e tij.
 
 
Maqedonia shkel ligjin
 
Ministria e Brendshme nuk lëshon pasaporta në gjuhën shqipe
Në sportelet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup ka nisur prej disa ditësh shpërndarjen e pasaportave të reja biometrike, një prej kushteve kryesore për lëvizjen e qytetarëve në vendet e zonës “Shengen”. Por sipas agjencisë shqiptare të lajmeve në Maqedoni, autoritetet po dorëzojnë pasaporta vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze, dhe jo në gjuhën shqipe për aplikuesit shqiptarë. Kjo është bërë e ditur për agjencinë e lajmeve “INA” nga disa aplikues shqiptarë, të cilët kanë denoncuar rastin. Sipas agjencisë, Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë nuk ka dhënë asnjë pasaportë në gjuhën shqipe, ndërsa shumica e qytetarëve pasi kanë marrë pasaportat, nuk kanë dashur të alarmojnë këtë rast. Dy biznesmenë nga Shkupi, që nuk identifikohen, kanë reaguar ashpër pranë sporteleve, duke refuzuar pasaportat pa shkrimin shqip. “Ne u revoltuam, kërkuam sqarim, ndërsa reagimi i parë i punonjëses maqedonase ishte: “Shkoni në Shqipëri për pasaporta shqip’. Ky reagim na provokoi, mirëpo kur i thamë se do të njoftojmë rastin te gazetarët, atëherë filluan të sillen më ndryshe, duke na sqaruar se ka mungesë të furnizimeve me pasaporta që kanë shkrimin shqip, dhe se ato pritet të mbërrijnë gjatë javëve të ardhshme në vend”, ka thënë njëri prej tyre, i cili si shumë shqiptarë kishte plotësuar formularin për pajisjen me pasaportë në gjuhën shqipe. Ai ka alarmuar se gjatë ditëve në vijim në sportelet e MPB-së pritet të lëshojnë pasaporta pa shkrimin shqip, por qytetarët sipas tij, kanë frikë të reagojnë. Lidhur me këtë rast nuk ka pasur asnjë koment nga Ministria e Punëve të Brendshme, zyrtarë të së cilës thonë se do të informohen në mënyrë më të detajuar për të bërë më pas një reagim zyrtar.
 
 
 
Ndarja e Kosovës nuk është më tabu
 
Daniel Server: Perëndimi hipokrit
Drejtori i Institutit Amerikan të Paqes, Daniel Server, akuzon komunitetin ndërkombëtar për sjellje “shumë hipokrite dhe të pasinqertë” ndaj veriut të Kosovës, i cili sipas tij, vazhdon të kontrollohet nga Beogradi. Sipas Serverit, nuk po shihet asnjë vullnet politik që ky problem kaq i madh për shtetin e Kosovës, të kundërshtohet nga ndërkombëtarët. “As Uashingtoni, as Brukseli nuk duan të bëjnë çfarëdo përpjekje për të mundësuar që Prishtina të marrë kontrollin mbi komunat e veriut”, - tha Server. Sipas tij, tri komunat në veri të Kosovës edhe para luftës kanë qenë të banuar me shumicë serbe dhe ka shumë brenda komunitetit ndërkombëtar që thonë jo në mënyrë jo të drejtpërdrejt se këto komuna duhet t’i takojnë Serbisë.  “Bashkësia ndërkombëtare në këtë aspekt po sillet me kritere të dyfishta dhe jo me sinqeritet. Nëse gjërat do të vazhdojnë në këtë mënyrë, do të thotë se po shkohet drejt një ndarje de fakto”, - ka thënë Server në një intervistë për radion “Europa e Lirë”. Sipas tij, duhet pranuar hapur se me këtë gjendje po jetohet prej gati nëntë vjetësh. Arsyeja e tyre është se Kosova tani është shtet i pavarur dhe nëse është e pakënaqur me situatën e tanishme, mund të ulet e të bisedojë me Serbinë, thotë Server. Ai thekson se aty nuk sheh asnjë problem nëse Serbia dhe Kosova si dy shtete sovrane dëshirojnë të bisedojnë. “Shtetet sovrane mund të diskutojnë edhe për çështjet e shkëmbimit të territorit nëse dëshirojnë. Ndarja e Kosovës nuk është më temë tabu, por duhet kuptuar se pala kosovare për tri komunat veriore do të kërkonte Preshevën, me çka Beogradi nuk pajtohet”, - tha Server. Sipas tij, ndarja nuk është më tabu, për shkak se Kosova tani është shtet i pavarur, e shteti i pavarur ka të drejtë të bëjë atë që dëshiron të bëjë. Mirëpo, thotë Server, në këto çështje është me rëndësi të kuptohet se pala kosovare në bisedime të tilla nuk do të thotë vetëm: “Po, merreni veriun! Do të kërkonte si kompensim Preshevën, gjë që sërish pala serbe nuk do të pranonte”, - përfundoi Server. 
 
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›