“Fund klientelizmit me lejet e ndërtimit në Tiranë, Rama mashtroi për 11 vjet, Basha e bëri për 18 muaj”
Kryeministri Berisha komenton në Facebook Planin e ri Urbanistik të Tiranës
Kryeministri Sali Berisha ka komentuar në rrjetin social “Facebook”, planin Urbanistik të Tiranës, i miratuar me unanimitet të premten në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit. Kreu i qeverisë sjell në vëmendje se, plani i ri Urbanistik parashikon zhvillimin e qytetit pa u bllokuar nga Këshilli i Bashkisë, Këshilli Kombëtar i Territorit apo nga ndonjë sekser, ndërkohë që do i japë fund betonizimit të kryeqytetit dhe klientelizmit me lejet e ndërtimit. “Dje miratuam Planin Rregullues të Tiranës së shekullit të 21-të. Ky Plan, bën të mundur zhvillimin e Tiranës si qytet i shëndetshëm, ekologjik, modern, më shumë qendra, shkolla, parqe, kënde lojërash e terrene sportive, sistem modern transporti. Ky është Plani i shanseve të barabarta që zhvillon pronën, duke shpërblyer njëlloj pronarin e truallit dhe pronarin, të cilit toka i mbetet oborr apo lulishte dhe i jep fund politikës së lumturimit të klientëve me leje ndërtimi dhe ndëshkimit të qytetarëve me njollat e ndërtimit. Ai parashikon zhvillimin e qytetit pa u bllokuar nga Këshilli i Bashkisë, Këshilli Kombëtar i Territorit apo nga ndonjë sekser. Plani Rregullues i Tiranës do të shërojë Tiranën nga virusi i betonit që i zhduku më shumë se 4/5 e mushkërive, sipërfaqes të saj të gjelbër”, shprehet kryeministri.
Një tjetër detaj i rëndësishëm i këtij plani, është shtimi i hapësirave të gjelbra nga 0.8 m katror që është tani, në 4.2 m katror për fryme, në vitet e ardhshme. Kreu i qeverisë akuzon ish kryetarin e bashkisë, Edi Rama se mashtroi qytetarët me planin, sepse në mungesë të tij, ishte i lirë të favorizonte e penalizonte këdo e kudo që i përgjigjej ose jo interesave të tij. “Edi Rama mashtroi 11 vjet me radhë dhe nuk e bëri Planin, sepse në mungesë të tij, ai ishte i lirë të favorizonte e penalizonte këdo e kudo që i përgjigjej ose jo interesave të tij. Lulzim Basha e bëri atë në 18 muaj. Urime Tiranë, Planin e këtij shekulli! Ne mbajmë premtimet tona!”, shkruan në Facebook, kryeministri Berisha.