E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura Shtetërore, rishikimi testit pas njohjes me rezultatet



Jonida Tashi

Çdo pjesëmarrës në provimet e Maturës Shtetërore, pas shpalljes së rezultateve të provimit, ka të drejtë të kërkojë një kopje të testit që ai ka zhvilluar, me rezultatet përkatëse të vlerësimit. Për këtë, brenda shtatë ditëve pas shpalljes së rezultateve të provimit, ai paraqet pranë KSHMSH-së një kërkesë duke paguar një tarifë prej 400 lekësh për çdo kopje të testit, në sekretarinë e shkollës. KSHMSH, pasi grumbullon të gjitha kërkesat, i shqyrton ato rast pas rasti dhe i përcjell në KMSH pranë DAR/ZA-së, së bashku me një mandat-arkëtimi të përbashkët për të gjithë kërkuesit, për llogari të AVA-s. KMSH pranë DAR/ZA shqyrton kërkesat e paraqitura nga KSHMSH-të dhe i përcjell ato zyrtarisht tek AVA, shoqëruar me mandat-arkëtimet përkatëse. AVA, pasi merr kërkesat, dërgon në KMSH të DAR/ZA fotokopjet e testeve të kërkuesve. KMSH e DAR-it/ZA-s i përcjell këto fotokopje tek KSHMSH, i cili jep fotokopjen e tij kërkuesit. Çdo kërkues firmos për tërheqjen e fotokopjes së testit. Nisur nga procedurat e vlerësimit të testeve, vlerësimi i shpallur nga AVA, për çdo pjesëmarrës në provime, nuk do të rishikohet.
Ruajtja e të dhënave
Për qëllime të mbikëqyrjes dhe të përmirësimit të provimit të Maturës, AVA mban të dhënat e çdo nxënësi/kandidati, të vlerësuesve të jashtëm dhe të mjediseve ku janë realizuar provimet e Maturës si dhe rezultatet e çdo nxënësi/kandidati në këto provime. AVA mbledh, përpunon, ruan të dhënat personale dhe çdo shënim tjetër. Këto përdoren nga AVA për qëllime administrimi dhe analiza të provimeve të Maturës, nga MASH-i dhe institucione të tjera shtetërore,me autorizim të MASH. Të dhënat personale të çdo nxënësi/kandidati dhe vlerësuesve të jashtëm janë konfidenciale. Informacioni dhe renditja e shkollave sipas rezultateve të çdo nxënësi/kandidati është konfidencial.
Çdo dokument i provimit të kandidatit arkivohet si dokument sekret në arkivin e AVA-s deri më 31 dhjetor të vitit ku çdo kandidat i nënshtrohet provimeve të Maturës Shtetërore.
Pas datës 31 janar të vitit në vazhdim, AVA eliminon çdo test-broshurë të çdo nxënësi/kandidati.
Testi
Testi i provimeve të Maturës Shtetërore 2008, për secilin nga provimet e detyruara (Matematikë dhe Gjuhë-Letërsi) do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative (13 pikë) dhe 12 pyetje me zhvillim (37 pikë). Në total një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë për çdo provim të detyruar. Ndërsa 2 provimet me zgjedhje zhvillohen vetëm një herë në vit dhe zhvillohen në një ditë. Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2008, do të përmbajnë për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative (10 pikë) dhe 10 pyetje me përgjigje me zhvillim (30 pikë). Në total një maturant duhet të marrë maksimumi 40 pikë për çdo provim me zgjedhje. Kohëzgjatja e dhënies së përgjigjes me shkrim për secilin nga testet e provimeve të detyruara do të jetë 2 orë e 30 minuta. Kurse kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve me shkrim për të dy testet provimeve me zgjedhje do të jete 4 orë.
Hartimi i testeve
Në bazë të urdhrit të Ministrit të Arsimit për hartimin dhe vlerësimin e testeve të provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2008, përzgjedhja e pyetjeve të testit për secilin nga provimet e detyruara (Gjuhë-letërsi dhe Matematikë) dhe me zgjedhje (Anglisht, Frëngjisht, Fizikë, Kimi,Biologji, Njohuri për Shoqërinë, Histori, Gjeografi, Filozofi dhe Njohuri për Ekonominë) të Maturës Shtetërore 2008, do të bëhet nga specialistë të caktuar prej Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, që emërtohen Përgjegjësa të Testit Përfundimtar (PTP).
Këta specialistë që janë mësues të lëndëve përkatëse do të përzgjedhin pyetjet e testit nga banka e pyetjeve, të krijuar nga ekspertët e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, në bazë të programeve orientuese, në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit, brenda ambienteve të izoluar të AVA. Menjëherë pas përzgjedhjes së pyetjeve të testit kryhet nga rreth 17 ekspertë dhe nëpunës të AVA-s shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave.

Klasifikimi i materialeve dhe ruajtja e sekretit
Konsiderohen materiale të “klasifikuar”:
Fondi dhe banka e kërkesave të testeve
Testet përfundimtare dhe skemat e vlerësimit të testeve përkatëse
Kodet e sekretimit te prodhuara nga AVA
Test-broshurat e plotësuara nga çdo nxënës/kandidat
Pikët dhe notat përkatëse
Baza e të dhënave të Maturës Shtetërore të AVA-s.

Koha e izolimit
Periudhat e KOEPS-eve (izolimi) për Maturën Shtetërore 2008 janë:
Për provimin e Gjuhë-Letërsisë D1 3-9 qershor 2008 (ora 10:00, kur fillon provimi)
Për provimin e Matematikës D2 11-17 qershor 2008
Për provimet me Zgjedhje (Z1+ Z2) 3-10 korrik 2008

6 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›