Reformat në udhekryq dhe marrëveshjet e fshehta
Nga Jak Ndokaj *
Dy muaj më parë NATO në Samitin e saj mori vendimin historik të dhënies së ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë. Të gjithë ne e festuam atë ditë, thurëm lavde të merituara dhe shprehëm një listë të gjatë angazhimesh e reflektimesh për të merituar besimin e madh dhënë nga SHBA dhe shtetet anëtare. Kanë kaluar 60 ditë nga Bukureshti, mbeten edhe 30 ditë të tjera që në Bruksel të zhvillohet ceremonia zyrtare e nënshkrimit të dokumentit NATO-Shqipëri për fazën e fundit të anëtarësimit. Pra jemi në limitin kohor të premtimit për reforma të plota e të thella politike. Natyrisht parlamenti dhe qeveria kanë patur një rol pozitiv në disa aspekte të reformave; ka patur ndryshim të sistemit zgjedhor, një konsensus politik më të madh, etj, por ky bilanc është i pamjaftueshëm në raport me listën e detyrimeve dhe përgjegjësive.
Kur dy partitë e mëdha politike bënë marrëveshje për sistemin e ri elektoral, ne, partitë e vogla e të goditura nga kjo marrëveshje e fshehtë, menduam se të paktën konsensusi do të ishte i frytshëm në disa prej reformave kryesore, siç janë ajo në sistemin e drejtësisë, reforma e plotë elektorale, reforma në organet e sigurisë, reforma e decentralizimit etj.
Por për fat të keq ende asnjë nga reformat e nisura nuk ka përfunduar dhe përveçse ndonjë deklarimi në media, ende nuk dimë se çfarë do të ndodhë as me Kodin e ri Zgjedhor. Kur u deshën vetëm tri ditë bisedime për të ndryshuar Kushtetutën, si është e mundur se duhen dy vjet negociata dhe bisedime për të mbyllur 10-15 nene të Kodit Zgjedhor? Komisioni parlamentar për reformën zgjedhore nuk funksionon, nuk ka afate konkrete, nuk ka transparencë në publik dhe nuk kemi ende një datë se kur debati zgjedhor do të marrë fund.
Ne nuk duhet të mbetemi peng i formulave që siç thuhet në media, do të vijnë nga e majta. Ne duhet të kemi një qëndrim tonin, një formulë elektorale, e cila më pas të negociohet me opozitën për të patur një konsensus të plotë. Kjo procedurë duhet të jetë transparente, jo me marrëveshje të fshehta të 2-3 partive kundër 10 partive të tjera, por e hapur dhe garanci që të ofrojë shanse të barabarta për të gjitha partitë politike parlamentare.
Sistemi i ri zgjedhor duhet të marrë detyrimisht në konsideratë edhe emigrantët shqiptarë në botë, të cilët janë financuesit direkt të buxhetit familjar të gati gjysmës së familjeve shqiptare. Ne duam të futemi në BE, themi se po bëjmë ligje europiane, por kur vjen fjala tek vota, gjejmë lloj lloj pretekstesh për të deformuar votën e qytetarëve. Kështu ka ndodhur edhe më parë, po ndodh edhe tani me emigrantët. Zyra e OKB-së për emigracionin ka premtuar publikisht se më 2009 Shqipëria do të aplikojë votimin e emigrantëve dhe se ata kanë fondet në dispozicion për mbulimin e shpenzimeve. Kur fondet dhe formulat janë atëherë pse duhet të ketë pengesë politike?
Një çështje tjetër është debati për ndarjen e re territoriale dhe administrative. Sistemi i ri zgjedhor do të kërkojë detyrimisht reformë administrative. Kjo është e nevojshme edhe për shkaqe të tjera, siç janë ato të migracionit të brendshëm, të ndryshimit të numrit të popullsisë etj. Ne vijojmë të kemi komuna e bashki formale, sipas premtimeve elektorale, ndërkohë që një pjesë e tyre tashmë janë në kundërshtim me kriteret ligjore në fuqi. Reforma administrative gjithashtu do të kërkojë konsensus parlamentar, do të kërkojë komision parlamentar, një rol aktiv të Ministrisë së Brendshme, pushtetit vendor dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Ne duhet të vendosin në krye të rendit të ditës planin konkret për reformat e premtuara, për të cilat SHBA dhe vendet perëndimore na mbështetën dhe na besuan në Bukuresht. E konsideroj të nevojshme një përmirësim edhe të punës brenda grupeve të mazhorancës, për më shumë konsultime dhe koordinim përpara vendimmarrjeve politike.
* Deputet
6 Qershor 2008