Mjaft! Në Elbasan përqindje e lartë e kurseve private
Përqindja e gjimnazistëve që ndjekin kurset private në qytetin e Elbasanit është tepër e lartë. Ky është rezultati konkret që Lëvizja Mjaft! ka nxjerr përmes një anketimi me këta të rinj. Gjatë muajit maj, Mjaft! Club Elbasani, realizoi një anketim në shkollat e mesme të qytetit mbi çështjen e kurseve private. Nga anketimi i cili përfundoi në 24 maj, duke kontaktuar me 1500 nxënës në arsimin publik të këtij qyteti, rezulton se 46.8 për qind e të anketuarve ndjekin kurse private. Koordinatori i Klubit të Mjaft!, Leonard Toçi theksoi se përqindja e nxënësve që ndjekin kurse private ka gjasa të jetë më e lartë, duke qenë se një pjesë e të anketuarve kishin thënë në mënyrë konfidenciale se i druheshin rrezikut të zbulimit të identitetit të tyre. Sipas anketimit të kryer nga Klubi i Mjaft!-it në Elbasan, pothuaj të gjithë të anketuarit i kryejnë kurset private me mësuesit që përgjigjen për lëndën përkatëse. Vetëm 2 për qind e të anketuarve kryejnë kurse me mësues jashtë shkollave të tyre, apo me mësues të tjerë nga e njëjta shkollë, ndërsa pjesa tjetër (98 për qind) deklaruan se i kryejnë kurset më mësuesit që u jepnin lëndët përkatëse. Gjatë anketimit të Mjaft-it, nxënësit kanë pohuar se ata i ndjekin kurset private për dy arsye: 24 për qind e tyre nuk janë të kënaqur me nivelin e mësimdhënies në klasë, ndërsa 22.8 për qind mendojnë se nuk vlerësohen me notën që meritojnë, duke pohuar se në një farë mënyre ndihen të kërcënuar nëse nuk ndjekin kurset private të mësuesve të tyre. Ky anketim, ku Mjaft! Club Elbasan, u mbështet edhe nga Drejtoria e Arsimit Elbasan, u zhvillua në 6 shkolla: Ahmed Dakli, Dhaskal Todri, Kostandin Kristoforidhi, Mahmud Ali Cungu (Gjuhët e Huaja), Qemal Stafa dhe Mahir Domi. Pas nxjerrjes së rezultateve, shkollat u lajmëruan për gjendjen alarmante në të cilën ndodhen, pasi për shkak të moskujdesjes apo mungesës së korrektësisë të mësuesve gjatë orës së mësimit, ka shumë nxënës të tjerë të cilët nuk arrijnë të përfitojnë dije, pasi mes tyre ndodhen edhe nxënës me të ardhura të pakta në familje e për ta, kursi privat është një luks i papërballueshëm.
6 Qershor 2008