E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i Jeratit?

Rezultatet dhe paraqitjet e dobëta në pranverë mund t’i detyrojnë drejtuesit e Prishtinës që të bëjnë rokadë në shtabin teknik, pas mbledhjes që do ta kenë sot. Me këtë rast, aventura e Wolfgang Jeratit mund të marrë fund para kohe. Nënkryetari Afrim Muçiqi nuk e mohon e as pohon largimin e gjermanit, ndërsa paralajmëron se hiç më lehtë nuk do të kalojnë as futbollistët, që akuzohen për mosangazhim.

Pas rezultateve të dobëta në ndeshjet e para të stinorit pranveror, eksperienca e Wolfgang Jeratit në Prishtinë mund të marrë fund më herët seç ishte pritur. Nën drejtimin e trajnerit gjerman, Prishtina po kalon momente të vështira, të cilat nuk ishin parë në dy vitet e fundit. Bardhekaltrit, nga katër ndeshjet e zhvilluara në pjesën pranverore të sezonit, kanë pësuar dy humbje, kanë barazuar në një tjetër dhe e kanë shënuar vetëm një fitore.

Kur drejtuesit e klubit kryeqytetas e largonin Ramiz Krasniqin, zotoheshin se e kanë gjetur trajnerin, i cili do ta bëjë një Prishtinë evropiane. Por, vendimet e paqarta dhe të pakuptimta të tij, bënë që prishtinasit të zhgënjejnë në pranverë, si në rezultate, ashtu edhe në lojë.

Për këtë, drejtuesit e klubit më të madh në vend do të mblidhen të hënën (sot) për të diskutuar rreth daljes nga kjo krizë. Qoftë nevoja, vetëm për të mirën e klubit, ata mund ta marrin edhe vendimin më të vështirë, atë të largimit të trajnerit. Nënkryetari Afrim Muçiqi nuk e ka përjashtuar një mundësi të tillë.

“As nuk e mohoj, e as nuk e pohoj largimin e Jeratit. Ne do të mblidhemi të hënën dhe do të diskutojmë. Kemi luajtur jashtëzakonisht dobët në pranverë. Po ashtu, mund ta pësojnë edhe lojtarët për mosangazhim dhe për mospërmbushje të obligime ndaj klubit”, ka thënë Muçiqi për Express.

Fakti i vetëm i cili e gëzon atë është se kundërshtarët e Prishtinës kanë dështuar këto javë, duke e mbajtur këtë ekip në pozitën e parë. Edhe nënkryetari tjetër i klubit, Ahmet Kurtolli ndihet i shqetësuar me gjendjen aktuale të ekipit prishtinas. Sipas tij, kur nuk shkojnë punët mirë, duhen bërë ndryshime, por që, shtoi ai, jo domosdoshmërisht duhet të ndërrohet trajneri.

“Për momentin nuk kam kurrfarë përgjigjeje. Por, nëse kemi takim, atëherë do të diskutojmë rreth kësaj situate. Nëse nuk funksionojnë gjërat, duhet të bëjmë diçka”, tha Kurtolli.

Vazhdojnë pakënaqësitë

Pakënaqësitë brenda zhveshtoreve në Prishtinë vazhdojnë. Pas ankesave të futbollistëve që i shfaqën javën e kaluar, një pjesë e tyre e kanë shprehur zhgënjimin e tyre edhe pas ndeshjes me Lirinë.

Express mëson se futbollistët e Prishtinës kanë mbetur gojëhapur me veset e çuditshme të trajnerit Jerat. Sipas një numri të madh të lojtarëve, që dëshironin të mbetnin anonimë, atmosfera në ekip është mjaft e zbehtë dhe motivi i tyre po pëson rënie ditë pas dite.

Futbollistët nuk i kanë pritur aspak mirë vendimet e Jeratit që t’i lërë rezervistë futbollistët që e bajtën barrën kryesore gjatë vjeshtës, kur Prishtina u shpall kampione vjeshtore, duke ua dhënë rastin lojtarëve të rinj, që nuk kanë përvojë për ta fituar titullin e kampionit.

Sipas futbollistëve, gjendja aktuale në Prishtinë është rezultat i vendimeve të gabuara të trajnerit gjerman. Prishtina është e para në tabelë me 38 pikë, një më shumë se Vëllaznimi, që është i dyti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›