E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i botës

Një muaj më parë në të gjithë botën, e madje edhe në Prishtinë qe paralajmëruar premiera e filmit This is It. Filmi dokumentar që flet për ditët e fundit të njërit nga artistët e mëdhenj të kohës sonë, artistit të ndjerë Michael Jackson, theu çdo parashikim të shikueshmërisë nëpër kinematë botërore, por jo edhe në Prishtinë. Kinemaja ABC i siguroi adhuruesve të filmit kënaqësinë e premierës së përbashkët me botën mbarë, po kjo ngjarje nuk zgjoi kushedi se çfarë interesimi te publiku kosovar, bile shumë herë ulëset e kinemasë kishin mbetur të zbrazura.

Milazim Salihu, drejtor i kompanisë Genci, tha për gazetën Express se arsyeja e mosinteresimit të publikut për filmin dokumentar This is It qëndron në faktin se pirateria filmike sot është jashtëzakonisht e lehtë, dhe mundësia për të pasur qasje e për ta shkarkuar një film e zbeh interesimin për ta ndjekur atë në kinema. Ai shtoi se faktor tjetër mund të jetë edhe fakti se filmi tematizon ditët e fundit të jetës së këngëtarit Michael Jackson, e nuk përqendrohet në efektet speciale të cilat mund të shijohen vetëm në kinema Filmi This is It është një dokumentar dhe unë besoj se tetëdhjetë përqind e shikuesve e kanë parë në DVD, pirateria po funksionon dhe filmi dokumentar This is It e ka atë efektin e vet në kinema, por mund ta ketë edhe në shtëpi, prandaj njerëzit kanë preferuar ta shohin nëpër kinematë shtëpiake

Po çfarë ka ndodhur me prodhimin e ri filmik të cilin Kino ABC e solli një javë më parë në Prishtinë, po ashtu premierë botërore? Filmi 2012 i shfaqur premierë të enjten e shkuar ka thyer rekord të shikueshmërisë në kinemanë e kryeqytetit, relativisht pak të vizituar. Zoti Salihu tha se mendon që arsyeja e tërë këtij interesimi të jetë atmosfera dhe efektet speciale të cilat vetëm në kinema mund të shijohen, Filmin 2012 e kanë shkarkuar nga interneti dhe e kanë shikuar edhe në shtëpi, në DVD, mirëpo atmosfera dhe efektet e tij vetëm në kinema mund të shijohen. Filmi ka bërë bujë, i ka thyer disa rekorde, që më parë janë shfaqur nëpër kinematë evropiane dhe botërore

Pa vazhduar më tej, do të ishte e rëndësishme të ndalemi pak te ajo për të cilën flet 2012-shi. Kureshtjen e regjisorit gjerman Roland Emmerich e kanë zgjuar parashikimet e qytetërimit të lashtë Maja, më saktë kalendari i tyre, sipas të cilit fundi i botës mund të jetë viti 2012. Subjekti i filmit që është pak a shumë ky, nis me skenat në dhjetor të vitit 2012, koha kur përfundon kalendari i popullit të lashtë të Majave. Filmi i zhanrit aksion/aventurë/triller ka skenuar parashikimet e këtij qytetërimi. Për ta pasur pak më të qartë do të mund të shpjegonim atë çfarë majat kanë thënë. Për çdo 26 mijë vjet, sistemi ynë diellor kalon nëpër 12 shenjat e horoskopit. Qytetërimet e vjetra, si indianët hopi, egjiptianët, çirokët, apaçët dhe qytetërimi i majave kanë qenë të vetëdijshëm për këtë cikël të madh dhe duke u bazuar në të kanë hartuar kalendarët e tyre. Kalendari aztek përcakton se secila epokë e botës do të shkatërrohet nga një prej katër elementeve ekzistuese: zjarrit, ujit, erës dhe tokës. Periudha në të cilën ne gjendemi aktualisht është periudha e diellit të pestë, apo saktësisht periudha nga viti 3113 para epokës sonë deri në vitin 2012. Më saktësisht, ky cikël përfundon më 21 dhjetor të vitit 2012. Majat kanë qenë të vetëdijshme për këto ngjarje, e edhe Nostradamusi i ka mbështetur parashikimet e veta në këtë datë.

Në fund, e vërteta është se ne jemi duke iu afruar vitit zero, apo datës 21 dhjetor të vitit 2012, gjithnjë sipas besimit të popullatës Maja. Parashikime të tilla i kanë intriguar njerëzit, aq sa mbi to janë thurur dokumentarë të shumtë, filma e në të njëjtën kohë kanë ditur të ngjallin frikë. Këtë frikë falë teknologjisë dhe efekteve speciale ka qenë i aftë ta fusë në film regjisori i filmit Roland Emmerich. Të frikësuar u ndan edhe disa nga shikuesit e prishtinas, kur komentet e vetme të tyre qenë Jam i tronditur, i tmerruar. Kritika të rrepta filmi ka hasur pothuajse në të gjitha mediat botërore. Në kryeqytetin tonë shfaqja e tij ka arritur të tubojë në kinema qindra njerëz dhe pritje në rend për ti siguruar biletat e ditëve në vijim. Cili mund të jetë tani shkaku që e përcakton shijen e publikut kosovar, skenat e dhunshme, frika apo thjeshtë kureshtja? Drejtori i kompanisë që e ka sjell këtë prodhim filmik në Prishtinë mendon se arsyeja qëndron në atë se njerëzit kanë filluar të vetëdijesohen se filmi bëhet për tu shfaqur në kinema.Nuk është temë e dhunshme, është temë e pastër, ndoshta pse është temë që ka te bëjë me ekzistencën. Filmi i ka efektet e veta. Ne po ashtu kemi informacion se ka filluar edhe realizimi i filmit të ardhshëm nga një televizion gjerman që ta bëjë 2013. Filmi është një biznes që në Amerikë dhe në Evropë po sjell dobi, por tek ne ende nuk shikohet në atë vijë, por si duket njerëzit kanë filluar ta kuptojnë se filmi mund të shijohet vetëm në kinema, sepse filmi bëhet për kinema

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›