E Shtunë, 31 Tetor 2026

Herman Von Rompuy president i BE-së

Udhëheqësit e BE-së emëruan te enjten vonë dy figura pak të njohura, të ashtuquajtura figura të kompromisit, për të mbuluar dy funksionet më të rëndësishme të unionit, duke zbehur shpresat e atyre, të cilët kanë synuar të forcojnë profilin global të kontinentit.

Udhëheqësit e BE-së u pajtuan që Komisioneria britanike e BE-së për tregti, Catherie Ashton, të ushtrojë funksionin e shefes së unionit për politikë të jashtme, ndërsa kryeministri i Belgjikës, Herman Von Rompuy, u përzgjodh si presidenti i parë i BE-së.

Emërimi i tyre sugjeron se nevoja për kompromis kishte një peshë më të madhe se sa dëshira për emra të mëdhenj dhe me përvojë, siç ishte ai i ish-kryeministrit të Britanisë, Tony Blair, i cili në fillim është konsideruar si favorit për funksionin e presidentit të BE-së.

Dy zyrtarët e ri pritet që ti sigurojnë unionit një rol më të fuqishëm në çështjet e rëndësishme globale, siç janë ndryshimet klimatike, terrorizmi dhe tregtia, duke pasur parasysh ngritjen gjithnjë e më të madhe të Kinës, Brazilit dhe Indisë.

Dy funksionet më të larta të unionit janë krijuar me traktatin për reforma të BE-së, i cili do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor.

Përderisa funksioni i presidentit fillimisht është vlerësuar si një funksion më i rëndësishëm, në ndërkohë shumë vëmendje dhe rëndësi i është kushtuar funksionit të Ministrit të Jashtëm, i cili do të ketë fjalën kryesore në lidhje me buxhetin vjetor prej 7 miliardë euro, i cili është paraparë për ndihma të jashtme, e gjithashtu do të kryesojë edhe korpusin e ri diplomatik, i cili do të ketë 5 mijë pjesëtarë.

Ashton, e cila asnjëherë më parë nuk është zgjedhur për funksion publik dhe e cila është e panjohur jashtë Britanisë, dukej si një kandidate, e cila ka shumë pak gjasa që të zgjidhet në këtë funksion. Ajo e siguroi funksionin e Ministres së Jashtme, pasi që kryeministri i Britanisë, Gordon Brown dhe udhëheqësit e majtë nga Spanja, Greqia, Sllovakia, Sllovenia, Portugalia dhe Austria vendosën që të mbështesin kandidaturën e saj.

Ashton 53 vjet pothuajse asnjëherë nuk ka tërhequr vëmendjen, gjatë një viti sa ka ushtruar funksionin e Komisionares së BE-së për tregti dhe nuk ka pothuajse fare përvojë në fushën e politikës së jashtme. Ajo ka nënshkruar një marrëveshje tregtare me Korenë e Jugut.

Van Rompuy si kandidat për funksionin e presidentit të BE-së është propozuar nga kryeministri i Suedisë, Fredrik Reinfeldt, i cili ka kryesuar samitin e djeshëm të udhëheqësve të BE-së në Bruksel, kanë njoftuar diplomatët.

Para samitit në Bruksel, Van Rompuy është takuar me mbretin e Belgjikës, Albertin, për të diskutuar për emërimin e mundshëm të pasardhësit të tij në funksionin e kryeministrit.
Van Rompuy, 62 vjet, njihet si teknokrat dhe adhurues i poezisë.

Si demokristianë flaman, ai është shumë pak i njohur në Europë, e madje edhe në Belgjikë ka qëndruar në prapaskenë. Apo siç ka theksuar së fundi një komentator belg:Van Rompuy e hap gojën vetëm sa për të marrë frymë.

Ai mori përsipër funksionin e kryeministrit të Belgjikës në vitin 2008, pasi që paraardhësi i tij mbeti i ngujuar në grindjen e ashpër gjuhësore mes politikanëve që flasin gjuhën franceze dhe atyre që flasin gjuhën holandeze.

Udhëheqësit e BE-së ishin të detyruar që të sigurojnë baraspeshën mes shteteve të mëdha dhe të vogla, të pasura dhe të varfra, mes lindjes dhe perëndimit, mes konservatorëve dhe socialistëve.

Britania që nga fillimi është angazhuar për një president me profil të fuqishëm. Shtetet tjera, si Franca dhe Spanja, kanë favorizuar kandidat të profilit më të ulët, obligimet kryesore të së cilit do të jenë kryesimi i samiteve dhe përshëndetja e burrështetasve botërorë.

Kryeministri i Britanisë, Brown, preferoi që të promovojë Ashtonin si shefe për politikë të jashtme, pasi që kuptoi se kandidatura e Blairit për president nuk e kishte mbështetjen e udhëheqësve tjerë të BE-së.

Shtetet më të vogla anëtare të BE-së nuk e mbështetën idenë që unioni të kryesohet nga Bleri, mbështetja e fuqishme e të cilit për luftën në Irak, në vitin 2003, kishte hidhëruar shumë europianë. Këto shtete gjithashtu shprehen dëshirën që presidenti të jetë nga një shtet, i cili shfrytëzon valutën e përbashkët euro dhe i cili është anëtar i zonës së udhëtimit pa pasaporta. Siç dihet, Britania nuk është e përfshirë në këto dy projekte.

Marrëveshja për emërimin e Van Rompuyit dhe të Ashtonit parandaloi dështimin e samitit, gjë që do të kishte nxjerrë në sipërfaqe përçarjet në bllokun, i cili përfaqëson gati 500 milionë njerëz dhe do të kishte minuar synimin për përmirësimin e imazhit të BE-së në botë.

Duke mbështetur kandidaturën e Ashtonit, udhëheqësit e BE-së ju përgjigjën thirrjeve, që një prej dy funksioneve kryesore të BE-së të mbulohet nga një femër.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›