Fundi i izolimit, edhe për futbollin e Kosovës
Këtë fundjavë po nisim edhe një kampionat të ri garues në futboll, që shënon vazhdimësinë e lojës së magjishme të futbollit, e cila është shumë e dashur në Kosovë. Futbolli i Kosovës kaloi shumë sprova të vështira, por i mbijetoi me sukses deri në ditët e sotme, falë punës dhe angazhimit të të gjithëve që dhanë gjithçka deri në flijim për këtë sport. Nga viti në vit, futbolli u rrit me hallet e të gjithëve duke mbajtur gjallë frymën sportive dhe shpirtin garues.
Dje, me gjithë vështirësitë, ditëm të punojmë e të gjallojmë. Sot po punojmë më mirë se dje për një të nesërme edhe më të mirë se e sotmja. E tëra kjo edhe për një fakt se tashmë Kosova dhe futbolli i Kosovës nuk është temë tabu në botë, siç ishte më herët.
Tash kemi shtetin e pavarur, arritje për të cilin futbollistët dhe futbolldashësit kontribuuan shumë, ndërsa po punojmë që e nesërmja të na gjejë të gatshëm për arenën ndërkombëtare. Tashmë FIFA e njeh FFK-në dhe futbollistët e Kosovës. Unë besoj dhe shpresoj se ky do të jetë kampionati i fundit që nuk do të jemi pjesë e arenës ndërkombëtare. Cilësia e rritur, shtimi i shikueshmërisë, disiplina dhe korrektësia e futbollistëve në fushë dhe organizimi jashtëzakonisht i mirë i klubeve në kampionatin e kaluar, na bëjnë që të besojmë dhe të shpresojmë se kampionati i ri do t’i tejkalojë këto rritje dhe të arritura. FFK-ja është e vendosur që të bëjë gjithçka që është e mundur që ta vazhdojmë këtë traditë. është koha që të spastrohet ndërgjegjja e të gjithëve që janë të angazhuar rreth futbollit. Tash, kur më afër se kurrë e kemi arenën ndërkombëtare, të gjithë jemi të obliguar edhe më shumë të ndryshojmë shumëçka dhe të vëmë shumëçka në vend e në rend, nëse dëshirojmë arenat ku garon e mbarë bota.
FFK-ja do të jetë vërtet një shtëpi ku do të ketë rend. Do të jetë një shtëpi ku secili anëtar i saj do t’i marrë përgjegjësitë dhe obligimet e veta. Do të jetë një shtëpi me zot shtëpie, që secilin anëtar të shikojë njësoj e pa anime, t’i lavdërojë të mirët e t’i ndëshkojë të padisiplinuarit që përpiqen të rrënojnë shtëpinë. Por, edhe më shumë guxim për ndryshime pozitive, sepse çdo vonesë do të na kushtojë shtrenjtë. Prijësit e skuadrave duhet të jenë në nivelin e kërkuar, të marrin atë që u takon e të refuzojnë atë që nuk e meritojnë.
Trajnerët e futbollistët - të punojnë me zell e në mënyrë profesionale dhe suksesi i tyre të jetë rezultat i punës e jo rezultat i dhunës, kurdisjeve dhe allishverisheve. Të mbretërojë korrektësia dhe fryma sportive. Gjyqtarët - të masin me peshoren e barnatores, të gjykojnë atë që dinë dhe shohin, t‘i lënë anash përfitimet personale e ta ruajnë nderin e gjyqtarit. Adhuruesit - të japin përkrahje për idhujt e tyre, të brohorasin dhe të duartrokasin për më të mirin, duke i dhënë ngjyrën e vërtetë futbollit. Gazetarët - të pasqyrojnë atë që shohin, të largojnë nga vetja adhurimin intim e të shohin të vërtetën edhe nëse ajo dhemb. Kështu u shërbejnë të mirëve dhe të vërtetës, ndërkaq të padisiplinuarve ua tërheqin vërejtjen.
Dhe krejt në fund, urojmë e besojmë që kampionati i ri i Kosovës të arsyetojë plotësisht punën e të gjithëve, me shpresa dhe dëshira të mëdha që do të gabojmë sa më pak, por që do të angazhohemi të gjithë për dashuri dhe mirëkuptim me ura të reja bashkimi, sepse sporti është sinonim i mendjes dhe shpirtit të shëndoshë. Kështu e nderojmë vetveten. Kështu na do dhe do të na pranojë bota.
Autori i shkrimit është Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.