E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet në rrugë, çlirimi që s’pranohet dot nga nipat e Bllokut

5 miliardë lekë janë investuar në infrastrukturë, në mënyrë që zona të ndryshme të vendit të dalin nga izolimi i qëllimshëm, ku i la nomenklatura komuniste. Vetëm në Qarkun e Vlorës, Fondi Rural i Zhvillimit ka ndërtuar gjatë këtyre 5 viteve, 70 km rrugë, me një shumë prej 13 milion eurosh, kurse në sistemin energjetik janë investuar 270 milion euro

Kryeministri Berisha ka vijuar inaugurimet në bregun e jugut. Duke evidentuar investimet e mëdha, jo vetëm në këtë zonë, kryeministri Berisha, ka ftuar opozitën të mos errësojë gjithçka, por të dalë nga “Blloku”, apo “kullat e Fidelit” dhe të shohë realitetin. I shoqëruar nga ministri Sokol Olldashi, deputetë dhe kryetari i Himarës, Vasil Bollano, ai inauguroi rrugën që zbret në Dhërmi dhe në Drimadhë një investim ky prej 230 milion lekësh. Kryeministri tha se investimet në zonën e jugut dhe në mbarë Shqipërinë do të vijojnë pasi ky është prioriteti kryesor i kësaj qeverie. Investime këto, që nuk do të mbeten vetëm në kuadrin e infrastrukturës, por edhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm si në ujësjellës, kanalizime, energjetike dhe në bujqësi.
Kryeministri premtoi se më të mëdha dhe më të fuqishme do të jenë investimet e viteve që vijnë, se kjo qeveri është e vendosur të bëjë gjithçka për një fytyrë të vërtetë evropiane, duke garantuar se në epiqendër të kësaj politike qëndron qytetari.
Mbas inaugurimit Kryeministri Berisha u ndal në plazhin e Drimadhës, ku u takua me pushues dhe pati një bashkëbisedim me ta.
Duke falënderuar kompaninë ndërtuese për punën e mirë, Kryeministri ju premtoi krerëve lokalë të komunave dhe kryepleqve, të zonës së bregdetit, se qeveria do të financojë asfaltimin e të gjitha rrugëve që zbresin në det. “Inaugurimi i rrugës që zbret në Dhërmi dhe në Drimadhë, një investim ky prej 230 milion lekë dhe është një ndërtim i standardeve më të mira. Dua të përgëzoj kompaninë për punën shumë të mirë që ka bërë, dua të garantoj kryeplakun e Dhërmiut dhe të gjithë kryepleqtë e këtyre fshatrave, kryetarin e bashkisë, se ndërtimi i rrugëve që zbresin drejt detit, pasi të përfundojë dhe rruga e Palasës, do të vazhdojë me ndërtimin e plotë të të gjithë infrastrukturës së fshatrave të bregut. Qeveria ka investuar shuma të mëdha rreth 5 miliard lekë në rrugë dhe infrastrukturë, por nuk e konsideroj të përfunduar punën, pa e rrjetëzuar atë në të gjithë gjatësinë e bregut, në mënyrë që viti i ardhshëm, turistët, që vijnë këtu së bashku me ndryshimin e madh që konstatojnë, këtë vit, të gjejnë një breg evropian, për nga infrastruktura dhe të pa krahasueshme me asnjë bregdet tjetër, për nga bukuritë, uji i pastër, prodhimet e mrekullueshëm dhe mikpritja e shkëlqyer e banorëve të bregut”, u shpreh kryeministri Berisha.
Më pas kryeministri, bëri një panoramë të hollësishme, të investimeve të shumta në Qarkun e Vlorës, vetëm për 5 vitet e fundit.
“Unë jam sot këtu, për të informuar shqiptarët, se këto 5 vite në qarkun e Vlorës, në bashkinë e Vlorës, Orikumit, Sarandës, Delvinës, Himarës, Selenicës dhe në komunat e këtij qarku, nga Konispoli deri në Novoselë, nga Sevasteri në Nartë, janë investuar 670 milion euro. Gjatë këtyre 5 viteve kanë përfunduar apo janë në përfundim e sipër 255 km rrugë në qarkun e Vlorës. Ndër të cilat, rrugë kombëtare të Drejtorisë së Rrugëve janë 190 km. Rruga e bregut me 60 milion euro, autostrada Vlorë-Fier 30 milion euro, rruga Transballkanike 6 milion euro, hyrja e Sarandës 4 milion euro, Butrint – Kanali i çukës 11 milion euro, Delvinë – Skreficë 9 km, 10 milion euro, Vlorë – Drashovicë – Ura e Peshkëpisë, 15 km, 4 milion euro, Qafe Botë – Sarandë 40 km, 30 milion euro. Fondi Rural i Zhvillimit ka ndërtuar gjatë këtyre 5 viteve në qarkun e Vlorës 70 km rrugë, me një shumë prej 13 milion eurosh, kurse grandet e qeverisë për komunat e këtij qarku dhe bashkitë e tij, nga Konispoli deri në Novoselë, kanë asfaltuar dhe rindërtuar 115 km rrugë me 12.4 milion euro. Në qarkun e Vlorës në sistemin e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve, janë investuar dhe vazhdojnë investimet prej 76 milion euro, në 103 sisteme, ujësjellësish dhe kanalizimesh përfshirë këtu ujësjellësin e Vlorës, ujësjellësin e Himarës, ujësjellësin e Sarandës dhe dhjetëra e dhjetëra ujësjellës të tjerë. Në sistemin energjetik të qarkut të Vlorës, janë investuar këto 5 vite 270 milion euro, në të cilat 135 milion janë investuar dhe investohen tërësisht për fuqizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë, 135 milion euro është TECI, i cili do të jetë tërësisht në funksion të turizmit dhe zhvillimit të kësaj zone. Qeveria gjatë këtyre 5 viteve ka investuar në bujqësinë e këtij qarku 16 milion euro, 735 milion lekë janë subvencione në ullinj, agrume, dru frutor, sera dhe 1.4 miliard lekë janë investime në kullim, vaditje dhe mirëmbajtje. Janë subvencionuar 430 mijë rrënjë ullinj, agrume dhe dru të tjerë frutor. Unë i garantoj fermerët e bregut, fermerët e Vlorës se nuk do të ketë kufizim për ta në të gjithë sipërfaqet e mbjella me ullinj, por në breg edhe agrumet që janë këtu një nga traditat më të shkëlqyera. Në fushën e hidrokarbureve investimet publike dhe private janë rreth 62 milion euro. Në arsim janë rikonstruktuar 35 shkolla me një shumë prej 5 milion euro, është rikonstruktuar universiteti i Sarandës dhe ai i Vlorës, janë ndërtuar 38 qendra shëndetësore, këto të dashur qytetar dhe qytetare janë investimet e 5 viteve, investime, të cilat janë më të mëdha jo vetëm në 20 vitet e fundit, por edhe të të gjithë periudhës së zonës së parë operative në pushtet të marra së bashku”, vijoi Berisha me panoramën e investimeve.
Duke premtuar angazhimin e qeverisë për një fytyrë europiane, kryeministri Sali Berisha, premtoi se edhe më të mëdha do të jenë investimet në të ardhmen.
“U ndala në këto investime për tu garantuar ju, se më të mëdha dhe më të fuqishme do të jenë investimet e viteve që vijnë, se kjo qeveri është e vendosur të bëjë gjithçka për një fytyrë të vërtetë evropiane dhe dua tu garantoj ju të dashur qytetarë se në epiqendër të kësaj politike qëndron qytetari. Ne përparojmë para së gjithash dhe mbi të gjitha kemi qytetarin jetën e tij, kushtet e tij të jetesës. Janë bërë të gjitha këto investime ndërkohë, që janë dyfishuar pensionet në fshat, është dyfishuar në tërësi fondi i pensioneve, është dyfishuar rroga mesatare e administratës është dyfishuar fondi për ndihmën ekonomike, janë bërë të gjitha këto investime ndërkohë, që janë përgjysmuar taksat për të gjithë biznesin shqiptarë, janë përgjysmuar taksat dhe janë dyfishuar të ardhurat, kjo sepse, darët dhe gërshërët e ligjit, operojnë dhe veprojnë dhe unë ju garantoj ju se lufta kundër korrupsionit është dhe do mbetet përparësia jonë më absolute, por nga ana tjetër kam shumë kënaqësi se sot Shqipëria është krejt tjetër nga ajo që ishte 5 vite më parë. Kush ta dyshojë këtë, le të vijë këtu në breg dhe të shohë ndryshimet e mëdha të bregut, të vijë këtu se bën edhe një udhëtim turistik, por po të dojë të shkojë në Fushë Kuqe, po të dojë të shkojë në Razëm, po të dojë të shkojë në Voskopojë, të shkojë në Miras, të shkojë kudo, Shqipëria në katër anët e saj është në ndërtim dhe rindërtim dhe kjo edhe njëherë, jo se ne kemi përparësi një krahinë apo një tjetër, të parët për ne, janë qytetarët, ne ndjekim dhe do të ndjekim interesat tuaja, sepse interesat e ligjshme janë ato që ju bëjnë ju të mundur të ndërtoni jetë më të mirë për vete dhe familjet tuaja”, deklaroi Berisha.
Kryeministri u ndal më pas edhe në komentet për qëndrimin nihilist të opozitës, ndaj investimeve të shumta të qeverisë. Më tej, kryeministri ftoi opozitën, të “braktisin” “Bllokun” apo “Kullat e Fidelit” dhe të shohin nga afër investimet e qeverisë.
“Krahas këtyre zhvillimeve krahas këtyre fakteve dhe arritjeve, ekziston sot edhe propaganda nihiliste, desedente besnike e kulturës së bllokut. Vetëm blloku mohonte çdo gjë që nuk i interesonte, kështu rrugën e etërve, po ndjekin me fanatizëm bijtë e tyre, të cilët kanë çdo ditë vetëm një përgjigje, jo, jo për çdo gjë. Dakord zotërinj, nuk jeni dakord me këto që bën qeveria po ju çfarë do të bënit na thoni njëherë?! Të shohësh Shqipërinë nga “kullat e Fidelit” të duket e zeze sterrë, por le të dalin këtu në dritë, të vijnë në breg të shohin Shqipërinë nga bregu dhe këtu do të shohin një Shqipëri krejt tjetër , një Shqipëri, e cila po ngrihet mbi mundin dhe djersën e qytetarëve të saj, një Shqipëri, e cila po ndryshon me shpejt dhe më shumë se çdo vend tjetër. 5 vite më parë u zotuam se do të bëjmë çdo gjë për klimën e biznesit, por sot jemi ballë hapur , më ballë hapur se për çdo gjë tjetër, sepse Shqipëria në raportet më serioze ndërkombëtare të fundit është 27 pikë mbi mesataren e vendeve më të zhvilluara në botë për kohën që nevojitet për hapjen e biznesit, sepse Shqipëria qëndron 7 pikë mbi mesataren e vendeve më të zhvilluara të grupit të OEC për kushtet dhe klimën e investimeve, pra ne nuk themi se ky realitet është idealja, jo, është larg se qenit ideale se idealja është eterike, por ajo që themi ne është se këtë realitet do ta ndryshojmë çdo ditë, këtë realitete do ta përmirësojmë çdo ditë dhe të gjitha këto do ti bëjmë në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë”, përfundoi kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›