Kosova bashkon, Serbia përçan
Vuk Jeremiç, ministri i jashtëm i Serbisë, u shfaq pak ditë më parë, në ekranin e kanalit televiziv amerikan CNN, me anglishten e tij të mirë, me paraqitjen allaperëndimore të një eurolindori, por fatkeq sa një serb fanatik: bindjet vetjake tejet kundër Kosovës dhe detyrën shtetërore po aq kundërshtuese, i ka armë për zhbërjen e pavarësisë dhe ngjitjen në karierë përmes dështimit me çështjen. Pasi që bota e pati dëgjuar zërin politik serb, po njëlloj dhe për të disatën herë, në Këshillin e Sigurimit të OKB, se njohja e Kosovës nxit Kosovat e tjera të rruzullit, (Serbia është shtet i vogël për t’i thënë profeci Botës), e dëgjuam, gjithashtu, të shpërfaqë një ide të përmbysur: Pavarësia e Kosovës paska ndarë OKB-në, BE-në dhe NATO-n! Këtë e shqiptoi përpara kamerave të CNN, me shikueshmëri mbarë botëtore. Por, bash e kundërta, kryekëput veç e kundërta është, nga ato që tha ministri i jashtëm serb.
Kosova ka qenë më shumë se e vetmuar. Ajo nuk ishte vetëm e pushtuar nga Serbia, vetëm e shtypur nga nacilonalizmi serb, vetëm me popull të nënçmuar si rracë njerëzore, vetëm e varfëruar nga shfrytëzimi, vetëm e shenjuar për t’u spastruar. Kosova, si “çështje e brendshme e Serbisë”, ishte rrasë në fundin e fundit, të pusit të terrtë, nga ku qe e zorshme të klithej një lajm e të nxirrej një kronikëz. Por Kosova, me qendresën e vet paqësore të pashoqe, me sakrificat e veta luftarake të pazakonta, vetëm bashkoi politika, vetëm këndelli personalitete, vetëm bëri për vete qeveri, vetëm lëvizi drejt vetes vende dhe vetëm bëri të ndjeshëm popuj. Ajo u vetbashkua së brendshmi rreth tri çështjeve të mëdha: çlirimit, Lirisë, Pavarësisë. Dhe, me përbashkimin e saj, pastaj u pajtuan shtete të mëdha të globit.
Së pari, ishte bashkimi i perëndimit demokratik - 19 vende të NATO-s, nën një politikë, komandë dhe mision, ndërmorrën dhe fituan një nga luftërat më njerëzore që ka njohur historia e luftërave. Asgjë nuk e dëshpëroi Beogradin më shumë se sa qëllimi i luftës, dhe që, vendet e NATO-s u bashkuan për mundjen e Serbisë, zemra e Ish-Jugosllavisë së mbetur. çlirimi i Kosovës së spastruar, përgatitja e saj për t’u bërë shtet dhe mosndryshimi i kufijve, e bënë NATO-n për Beogradin, një bashkim armiqësor, sa që, atë kohë e sot, Serbia e urren Aleancën e Atlantikut të Veriut. Serbia u vetnda nga bota më demokratike sepse iu kundërvu asaj. Ministri i jashtëm serb nuk e tha këtë në CNN.
Së dyti, Kosova njehësoi Bashkimin Europian. Më t’u shpallur pavarësia, 22 shtete të BE e njohën pavarësinë e Kosovës dhe, vetëm 5 vende rrinë e presin ende. Kosova ka bashkuar kaq shumë vende, kurse Serbia është ajo që përçan e mbështetet nga shtete të cilat, s’është se thjeshtë përkrahin Beogradin, por më së shumëti vuajnë nga problem Brenda tyre, të cilat nuk kanë kurrfarë ngjashmërie me Kosovën e para luftës, mënyrën e çlirimit dhe pavarësimin e natyrshëm. Mbështetësi më i vogël dhe më i parëndësishëm i Serbisë, Qipro, bëhet vërtetuesja skualifikuese, kur deklaron se, ajo nuk do ta njohë Kosovën edhe sikur Serbia ta bëjë këtë.
Ministri i jashtëm i Serbisë nuk e pohoi bashkimin e BE rreth shtetit më të ri të Europës.
Së treti, OKB nuk është ndarë nga Kosova, por janë 69 shtete anëtare të saj, mes tyre nga më të fuqishmet e botës, që e njohën menjëherë Kosovën dhe e mbështesin atë. Përkundër shtjellimit vajtues të ministrit të jashtëm serb, me Kosovën janë bashkuar shtetet e reja të pas Jugosllavisë, më të afërtat me të dhe Serbinë: Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, dhe zyrtari më i lartë boshnjak i Bosnjë-Hercegovinës, i cili është shprehur se e njeh Serbinë e pavarur, pa Kosovën. Nga ish-Jugosllavia, vetëm Serbia është kundër, si dhe Bosnjë- Hercegovina nuk e ka njohur Kosovën ende, për shkak të qendrimit të Serpska Republika, pas së cilës, gjithmonë, rri Beogradi. As këtë nuk nuk e tha në ekranin e CNN, ministri i jashtëm Serb.
Rreth Kosovës janë bashkuar shtete të rëndësishme të gadishullit të Ballkanit: Shqipëria, Turqia, Bullgaria. Serbia i ndan politikat e saj me Greqinë, Rumaninë e Qipron, qendrimin e të cilave bota e di e i shpjegon, pse ato kundërshtojnë Kosovën. Por, me Kosovën, janë bashkuar plot 22 vende, nga më të fuqishmet e Europës, si Gjermania, Anglia, Franca, Italia. Serbia ka mbetur e ndarë me to rreth çështjes, për shkak të ideve të saj të vjetra. Me Kosovën janë bashkuar shtete shumë të largëta gjeografikisht me të, që nga fuqia më e madhe e botës -SHBA e deri në Japoni të Azisë, që nga vende të Amerikës së Jugut e deri në Afrikë, që nga shtete arabe e deri në Skandinavi. Me Kosovën u bashkua edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, gjë e cila e bëri Serbinë të shokohet. Ajo, edhe kësisoj, nuk këndellet, por ka ndërmarrë veprimtari politike e diplomatike nervoze, me shtrirje sa rruzulli, duke u bërë thirrje vende për t’ia përkrahur idetë kolonialiste. Ajo u kërkon qeverive të mbështesin rolin e saj përçarës, por ministri i jashtëm serb nuk e tha as këtë në CNN.
Kosova ka bashkuar politika, qeveri, shtete dhe popuj, të cilët hoqën dorë nga përkrahja e Sebisë, e cila u nda prej tyre për shkak qendrimeve të kundërta rreth çështjes së lirisë. Beogradi e humbi me kohë luftën me Kosovën, dhe ende nuk e ka fituar betejën me vetveten. Ky është ndryshimi më thelbësor mes dy fqinjëve . As edhe të tri ndarjet që sajoi Jeremiç, nuk e ndihmojnë në misionin e tij të pamundur, për të zhbërë pavarësinë dhe për t’u ngjitur në karierë.