E Diel, 1 Nëntor 2026

Fundi i komunizmit në syrin e një francezi

 

ANILA MEMA

Ka udhëtuar gjithë botën skaj më skaj. Nga Afrika në Azi, nga Evropa në Amerikë.  Çdo udhëtim e ka të dokumentuar, mjafton vetëm një shkrepje dhe arkiva fotografike shtohet. Dhe Shqipërinë nuk e ka lënë jashtë këtij udhëtimi. Michel Setboun, një nga fotografët më të njohur francezë, e ka nisur herët rrugëtimin e tij me foto. Ndërkohë në vendin tonë, “ishullin e izoluar” siç dëshironte ta quante, e shkeli në vitin 1981 për herë të parë. Një udhëtim që do të mbahet mend gjatë në kujtesën e Setboun, ndonëse kanë kaluar më shumë se tre dekada. I “maskuar” si një turist, bashkuar një grupi marksistësh-leninistësh, fotografi që punon në disa agjenci të njohura, asokohe për “La figaro”, Michel do të niste rrugëtimin e gjatë drejt vendit tonë. “Hera e parë që kam udhëtuar drejt vendit tuaj, ka qenë në vitin 1981, ku u sajova si një turist me një grup marksistësh-leninistësh, që do të vizitonin Tiranën. Enver Hoxha ishte ende në pushtet dhe ju e dini sa e rrezikshme ishte për një gazetar të depërtonte në të. Megjithatë unë u nisa, i bindur se do të shihja kështjellën e vërtetë të Hoxhës, dhe munda ta shoh atë”, tregon Setboun. Por ky udhëtim i parë nuk do të mbetej i vetmi për fotografin e njohur. Të tjera do të pasonin mandej.
* * *
Në arkivin e tij fotografik, Shqipëria zë një vend të rëndësishëm. Mbi njëmijë foto, që përmbajnë histori të tëra, kujtime të ndryshme për jetën e Setboun-it. Mjafton t’i shohësh me radhë, dhe do të kujtohen pankartat e mëdha “Rroftë klasa jonë punëtore”, “Enver Hoxha, flamur i luftës për liri e socializëm”, “popull, parti, Enver”, “Lavdi marksizëm-leninizëm”, “Marshon Shqipëria socialiste”, e foto të ish-diktatorit, dhe yjet pesë cepash. Po kaq të kujtohet edhe Shqipëria kooperativiste, teksa sheh gratë në arrë duke punuar, me arkat plot qepë e duke mbartur trastat me ullinj, po aq edhe burrat duke korrur barin e kullotur bagëtinë. Janë shumë kujtime, që vijnë të freskëta në këto foto të realizuara nëpërmjet aparatit të Michel Setboun, në Shqipërinë e pas ‘80. Dhe fotoreporteri këtë kërkonte, aso kohe i ri, kur nisi udhëtimin e parë drejt vendit tonë, t’i tregonte botës, të vërtetën pas këtij vendi të izoluar. “Në ditët e para të qëndrimit tim atje me dukej vetja një personazh filmi. Nuk ishte e thjeshtë që të fokusoje në aparat gjithçka që mund të shihje”, thotë ai.
Nga pallatet 3-katëshe, çarçafët e bardhë nderë në ballkonet që kishin të njëjtin stil, shëtitja e mbrëmjes në bulevardin kryesor të Tiranës, perëndimi i diellit përtej Adriatikut kanë mbetur ende në kujtesën e Setboun. “Unë u mundova të fokusoja në aparat atë çfarë vërtet ndodhte pas perdes së hekurt të komunizmit”. E ndërkaq, joshja ndaj këtij vendi e kishte pushtuar tashmë.
* * *
Pesë vjet më vonë, Michel Setboun, rikthehet sërish në Shqipëri. Ishte koha kur Enver Hoxha ishte ndarë nga jeta dhe vendi udhëhiqej nga Ramiz Alia. Çdo gjë është e dokumentuar nga aparati i tij, edhe sikur Setboun, të ngatërrojë kohë. Por kësaj here, në udhëtimin e tij, fotoreporteri i njohur francez shoqërohej nga një gazetar, i cili kërkonte të kontaktonte me Ramiz Alinë me të cilin u takuan pas disa vështirësive. “Të ishte në Shqipëri në ato vite ishte si të jetoje me paranojë. Enver Hoxha ka qenë një njeri tepër i fuqishëm, i cili arriti ta izolonte këtë vend nga pjesa tjetër e botës. Ndaj pas kaq vitesh, rikuperimi është tepër i vështirë”, thotë ai. Në arkivin e tij për Shqipërinë, gjen foto të Ramiz Alisë, gjatë konferencave, apo parakalimeve për 1 Maj. Gjen foto të Nexhmije Hoxhës në ambiente familjare, duke shërbyer me tabaka. Të vajzave me veshje ushtarake, teksa nisen për në zbor, apo e grave lehona që i jepnin gji fëmijëve në korridorin e maternitetit, e grave që punonin në tekstil...Por në udhëtimin e tij të tretë, atë të vitit 1990 Michel Setboun, do të gjendej sërish në Shqipëri, atëherë kur kështjella e fortë e Hoxhës, kishte nisur të krisej. Fotot e demonstratave të para që kërkonin të sillnin në vend demokracinë, apo ikjet e klandestinëve me anije drejt brigjeve italiane mbajnë firmën e fotografit Setboun. Michel e ka parë Shqipërinë gjithnjë në kohë krizash. Nga javët plot ankth në regjimin e Hoxhës, tek revoltat kolektive për të përmbysur këtë sistem, apo atëherë kur gjysma tjetër e këtij vendi Kosova u dynd në të, nga sulmet serbe.
* * *
“Janë shumë histori”, përsërit Michel të cilat ai më mirë se t’i tregojë vetë, i rrëfen ato në qindra foto që sot qarkullojnë në arkivat e mediave më të rëndësishme ndërkombëtare. Që prej vitit 1991 Setboun punon si fotograf i pavarur, por ka vazhduar të bashkëpunojë rregullisht me revistat më të famshme të mbarë botës për reportazhe nga vendet më të largëta, si Hong Kongu, Mongolia, New Yorku, Shqipëria apo Monako e Parisi, dhe është bërë anëtar i UNESCO-s në 2001. Fotografitë e tij janë të publikuara në agjencinë fotografike “Corbis”, në shtyp dhe në revistën “Getty” etj. Nga 1985-1991 ka punuar për agjencinë “RAPHO” në Korenë e Jugut, Shqipëri, Mongoli ndërsa në Rio ka punuar për “STERN”. Dy vjet më parë ka punuar për agjencinë “Black Star” në Francë. Ndërsa 1978-1983 ka punuar në agjencinë “SIPA” si reporter i lajmeve, mbulonte fushën e luftës dhe ngjarjet e mëdha ndërkombëtare. Në veçanti revolucionin në Iran. Luftën për pavarësi në Angola në 1976 dhe Afganistan, luftën Iran-Irak 1981-1983, luftën civile në Liban ndërsa në 1982 është plagosur në Salvador gjatë luftës civile.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›