Barak Obama pranon kandidaturën; çelësi i fitores së presidencës, ndryshimi
Barak Obama pranoi kandidaturën e delegatëve demokratë për garën e tij për në Shtëpinë e Bardhë, me anë të një fjalimi bazuar mbi nevojën e ndryshimit të politikës amerikane. Obama u prit në stadiumin e Denverit me duartrokitje nga mijëra njerëz të pranishëm, duke i dhënë fund kështu Konventës së Demokratëve për zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Kjo konventë ishte e mbushur me momente dhe fjalime emocionuese, që nga shfaqja e papritur e senatorit të sëmurë, Ted Kennedy, deri në komandën e fuqishme të Hilari Klinton dhe bashkëshortit të saj, Bill Klinton për mbështetjen unanime të Barak Obamës, për ta çuar atë në presidencën e ardhshme të Shteteve të Bashkuara. Konventa u konsiderua e suksesshme me gjithë frikën e analistëve se në të, do të përballeshin dy grupe të ndara, ata që përkrahnin Hilari Klinton dhe do të kishin mundësinë ta kthenin atë në garë nëpërmjet votës rulon, dhe kampit të Barak Obamës, i cili është kritikuar nga rivalët e tij si i papërgatitur në fushën e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë. Premisa e ndarjes se Demokratëve ka bërë që gjatë ditëve të fundit republikanët të fitojnë përparësi në sondazhe, edhe pse vetëm me një pikë. Shumë analistë dhe ekspertë të politikës e konsideruar konventën një test, që do të dëshmonte nëse demokratët do të kishin unitetin duhur për të shkuar të sigurt drejt presidencës amerikane, apo do të ishin sërish të përçarë, gjë që sigurisht do të ulte mbështetjen e tyre në masë. Senatori i Illinoisit, Barak Obama iu drejtua 75 000 mijë njerëzve në “Invesco Field”. “Obama do të komunikojë urgjencat e momentit, do të theksojë luftën me të cilën po përballen amerikanët dhe do t’i bëjë thirrje amerikanëve të ecin së bashku për ndryshimin e kursit të vendit tonë”, thuhej në deklaratën e Komitetit të Konventës kombëtare të Demokratëve në SHBA, e cila i parapriu fjalimit të shumëpritur të Barak Obamës. Duke pranuar kandidaturën zyrtarisht para mijëra njerëz dhe para Komitetit Demokrat, Obama u bë kandidati i parë zyrtar afrikano-amerikan i një partie të madhe për garën e fundit drejt Shtëpisë së Bardhë. Rivalja e tij deri në çastet e fundit, Hilari Klinton, sipas një marrëveshje të bërë më parë me kampin e Obamës, ndërpreu votimin rulon gjatë ditës së tretë të Konventës, duke brohoritur Obamën si kandidat. Tema e konventës për të enjten ishte “Beso në ndryshimin që mund të arrish”, një slogan i marrë nga çështja e suksesshme e Obamës për nominimin demokrat.
Të ftuar
Folës në zë, të cilët iu adresuan demokratëve të enjten ishin Guvernatori Bill Richardson i New Mexico-s, i cili ka konkurruar për nominimin e tij përpara se të mbështeste Obamën dhe Guvernatori Tim Kaine nga Virxhinia, i cili ishte një nga emrat e fortë të Obamës për kandidaturën si zëvendëspresident. Ish-zëvendëspresidenti Al Gore, i nominuari presidencial në vitin 2000, ishte në listën e folësve të mbrëmjes përmbyllëse të Konventës.
Atribut Luther King
Demokratët kishin planifikuar një atribut për Martin Luter King Jr., i cili mbajti në Uashington fjalimin e tij të famshëm “Unë ëndërroj”, saktësisht 45 vite më parë, më 28 gusht 1963. Dy nga fëmijët e King, Bernice King dhe Martin Luther King III, morën pjesë në këtë mbrëmje.
Pranimi i kandidaturës
Obama e pranoi zyrtarisht nominimin zyrtar presidencial të partisë së tij në fjalimin e mbajtur në orën 20:00 me orën. Kjo u konsiderua ngjarja kryesore pas një jave përgatitjesh e fjalimesh në “Pepsi Center”, Denver, Kolorado, nga njerëzit me peshë mes demokratëve, përfshirë Senatorin Ted Kennedy. Të mërkurën, senatori Joe Biden i Delaware pranoi zyrtarisht nominimin si zëvendëspresident dhe vlerësoi Obamën si lider, që kishte argumente të drejta në një gamë të gjerë fushash. Tashmë pas Konventës së Republikanëve, amerikanët do të drejtohen në evenimentin më të rëndësishëm politik të katër viteve të fundit, zgjedhjen e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, më 4 nëntor.