E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i “përrallës” për trafikim organesh



Nick Thorpe

Për vite të tëra kanë qarkulluar histori lidhur me serbë të rrëmbyer dhe të vrarë për organet e tyre në muajt që pasuan luftën në Kosovë. Sipas disa burimeve (pranë secilit nga investigimet), tre hetime paralele të kryera nga hetuesit nga Serbia, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Europës, nuk arritën të gjenin prova që Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) kishte trafikuar organet e personave të ndaluar. Siç pretendohet, dhjetëra serbë të marrë robër ishin çuar në një shtëpi në qytetin e Shqipërisë së mesme, Burrel mes qershorit 1999 dhe majit 2000, kur në mënyrë sistematike u ishin marrë organet, të cilat ishin shitur. Këto pretendime janë të prezantuara në autobiografinë e ish kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte, e botuar në 2008. Por pamundësia për të gjetur burimet origjinale dhe ndonjë provë të re që prej vitit 2004, mund të thonë se kjo histori nuk ishte e mbështetur në fakte. Raporti i Këshillit të Europës, që pritet të botohet muajin e ardhshëm nga hetuesi, Dik Marti, pritet të përqendrohet në kërkesat politike për qeveritë e përfshira, sesa në zbulimin e fakteve të reja.
Pengesat
“Është fakt që nuk ka asnjë provë për këtë çështje”, thotë Mati Ratikainen, kreu i Zyrës për Krime Lufte të Misionit Europian në Kosovë për Sundim të Ligjit (Eulex). “Asnjë trup, asnjë dëshmitar. Të gjitha njoftimet dhe vëmendja e medias për këtë çështje nuk na kanë ndihmuar. Në fakt ato nuk i kanë ndihmuar askujt”. Problemi kryesor, tha ai, ishte që skandali i krijuar nga pretendimet, kishte larguar vëmendjen nga puna që po bëhej për të gjetur eshtrat e 1861 personave që ende konsiderohen si të zhdukur nga lufta dhe ndëshkimi i vrasësve të tyre në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri. Në vitin 2009, një hetim special i BBC-së gjeti prova në qytetin verior të Shqipërisë, Kukës për ekzistencën e kampeve të UÇK-së ku mbaheshin të burgosur.
Në fillim të majit, Eulex bëri edhe arrestimin e parë në lidhje me këtë çështje. Hollësi kanë dalë gjithashtu edhe se shqiptarë të dyshuar se nuk kanë qenë besnikë ndaj UÇK-së, janë marrë në pyetje në një hotel në Durrës dhe më pas janë transferuar në Kukës. Zbulimet konstante në shtypin serb, se fakte të reja apo dëshmitarë të rinj kanë dalë lidhur me çështjen e pretenduar për trafikim organesh, kanë rezultuar false, ose kanë qenë të pabaza.
Burime të zhdukura
Një ekip i OKB-së në Gjykatën e Hagës, i drejtuar nga Mati Raatikainen, e vizitoi "shtëpinë e verdhë" në shkurt të vitit 2004. Në një prej dhomave të katit përdhes, përmes një kimikati u zbulua se dyshemeja përmbante gjurmë të përhapura gjaku, të cilave nuk u dihej origjina. Familjarët nga ana e tyre dhanë shpjegime kontradiktore. Në një vend ku hidhen mbeturinat u gjetën mjete që përdoren për ndërhyrje kirurgjikale.

Disa hetues kërkonin që të vazhdoheshin hetimet, kurse për të tjerët provat ishin shumë të pakta. Argumenti më serioz ishte fakti që burimet origjinale të gazetarit Montgomery ishin zhdukur. Njëri prej burimeve, ishte vrarë siç supozohet, në një rast që nuk kishte lidhje me hetimin, ndërsa të tjerët nuk mund të gjendeshin. Madje edhe autoritetet serbe që i kanë bërë kaq shumë propagandë historisë për "shtëpinë e verdhë" sot kanë dyshimet e tyre.
Varret masive
Duke marrë parasysh mungesën e fakteve, ekspertët sugjerojnë se Shqipëria do të kishte ndihmuar për ta hedhur poshtë këtë histori të dëmshme, sikur të kishte qenë më e hapur. Raportuesi special i OKB-së, Filip Alston tha në shkurt se "përpjekjet për të hetuar nuk kishin gjetur bashkëpunimin e duhur nga ana e qeverisë shqiptare". Ai i bëri thirrje Shqipërisë "që të prezantonte një propozim për hetim të pavarur dhe të bashkëpunonte me të vërtetë".
Personat e zhdukur
Fundi i “përrallës” për trafikim organesh, siç e quan një hetues i Eulex-it, do t'i lërë prokurorët për krime lufte me shumë punë nëpër duar. Në maj, u zbulua një varrezë masive në jug të Serbisë, në qytetin Rashkë ku u gjetën trupat e rreth 250 personave që besohet se janë të shqiptarëve të vrarë nga trupat serbe në Kosovë dhe që janë varrosur përsëri në fillim të qershorit 1999. Dheu i kuq që ishte ngjitur me eshtrat, sipas disa dëshmitarëve okularë, sugjeronte se trupat ishin varrosur fillimisht në Drenicë në Kosovë dhe më pas ishin zhvendosur në Serbi për të zhdukur provat. Prokurorët besojnë se ushtria serbe ishte përgjegjëse. Sipas Eulex-it, 2.244 trupa janë identifikuar që prej vitit 2001. Prej tyre 301 nuk ishin shqiptarë që do të thotë, serbë, romë apo të tjerë.

Serbi
Mlladiç fshihet në ish-republikat sovjetike

Ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiç është gjallë dhe jeton në një nga ish-republikat sovjetike. Lajmin e bën të ditur një e përditshme serbe, sipas të cilës Mlladiç jep mësim në një akademi ushtarake, mbi armët bërthamore. Sipas burimit, për vendndodhjen e Mlladiç janë në dijeni të gjitha shtetet, por ato nuk mund të veprojnë pasi i kërkuari mbrohet nga agjentë të shërbimeve sekrete franceze. Por autoritetet serbe i kanë hedhur poshtë duke i cilësuar si të pabaza këto informata. “Kjo nuk është e vërtetë. Bëhet fjalë për teori fantastiko-shkencore”, ka deklaruar drejtuesi i sektorit për krimet e luftës, Vladimir Vukiceviç.

Kore e Veriut
Pezullohet marrëveshja me Jugun

Korea e Veriut ka pezulluar një marrëveshje që kishte si qëllim parandalimin e përplasjeve aksidentale në det me Korenë e Jugut.
Veriu gjithashtu ka paralajmëruar se nëse anije të Jugut do të kalojnë në ujërat e Veriut atëherë do të sulmohen menjëherë. Kjo deklaratë erdhi pas lajmit se flota detare e Koresë së Jugut ishte duke bërë manovra të mëdha ushtarake pas fundosjes së një anije të saj luftarake në muajin mars. Jugu akuzon Korenë e Veriut për fundosjen e anijes, gjë që ka çuar në përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Agjencia e lajmeve të Koresë së Jugut thotë se dhjetë anije luftarake janë duke marrë pjesë në këtë manovër në të cilën do të provohen armë kundër nëndetseve.

SHBA
Shpallet strategjia për sigurinë kombëtare

Shtëpia e Bardhë shpall strategjinë e re të administratës Obama për sigurinë kombëtare. Në këtë dokument u theksua kërcënimi nga terrorizmi, që e ka origjinën brenda Amerikës. Duke e paralajmëruar këtë strategji të re para gazetarëve, Xhon Brenan, këshilltar i lartë i presidentit për antiterrorizëm, tha se strategjia, po ashtu, bën të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk konsiderojnë se “janë në luftë me islamin”. Strategjia, që është një dokument të cilin secila administratë duhet ta paraqesë sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, theksoi edhe nevojën për bashkëpunim global për tu ballafaquar me një numër të kërcënimeve.

28 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›