E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasen autobusët, plagosen 6 studentë nga Maqedonia



FUSHË-KRUJË - Dy autobusë me turistë maqedonas që po udhëtonin drejt Durrësit janë përplasur mesditën e djeshme në aksin rrugor Fushë-Krujë – Vorë, në afërsi të fshatit Fushë-Prezë. Për pasojë, 6 persona kanë marrë plagë të rënda dhe janë transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Nga të dhënat e para të grupit hetimor rezulton se dy autobusët të mbushur plot me turistë po udhëtonin njëri pas tjetrit me një distancë të vogël mes tyre. Autobusi i parë ka frenuar pasi një automjet tjetër i ka prerë rrugën. Nga frenimi autobusi i dytë i ka rënë të parit duke shkaktuar edhe aksidentin e rëndë. Për pasojë, pesë pasagjerë dhe drejtuesi i autobusit të dytë janë plagosur dhe janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Më rëndë, sipas dëshmitarëve okularë të ngjarjes, ka qenë drejtuesi i autobusit. Policia në vendngjarje konfirmoi se të gjashtë të aksidentuarit janë shtetas maqedonas. Nga dëshmitë e udhëtarëve të tjerë mësohet se ata ishin një grup turistësh që po vizitonin Shqipërinë dhe pasi kishin qenë në kalanë e Krujës po shkonin drejt plazhit të Durrësit.

Zhdukja e 6-vjeçares, të afërmit dyshojnë trafikimin
KUKËS - Të trishtuar dhe të shqetësuar për fatin e vogëlushes së tyre, prindërit e 6-vjeçares së humbur përpara një jave mendojnë se vajza është rrëmbyer nga persona të paidentifikuar. Të gjitha shpresat për të gjetur gjurmë në zonën ku vajza është parë për herë të fundit thuajse janë shuar, madje, sipas babait të vajzës, Zamir Mata, qëllimi i rrëmbimit mund të ketë qenë edhe për trafik organesh. “Nuk kemi lënë vend pa kërkuar. Pasi ka ardhur kështu puna, mund ta kenë marrë edhe për organe. Mund t’ju përgjigjem për gjithçka, vetëm vajzën të ma lirojnë”, - shprehet babai. Dëshmitë e vajzave që shoqëronin Bleonën, përfshirë dhe hallën e saj, nuk kanë dhënë ndihmën e duhur për forcat e policisë. Sipas babait të vogëlushes, vajzat kanë dhënë versione të ndryshme. Mister ka mbetur mënyra se si vajza u zhduk, ndërsa policia ka ndërprerë kërkimet që prej tri ditësh. Ka qenë një telefonatë anonime në drejtim të familjes Mata ka shërbyer si sinjalizim që të çon të mendosh për një rrëmbim të mundshëm.

Hidhet nga kati i 3-të, vdes babai i tre fëmijëve
DEVOLL - Një 54-vjeçar, baba i tre fëmijëve ka gjetur vdekjen pasi është hedhur nga ballkoni. Ngjarja ka ndodhur në mesditë në Bilisht dhe viktimë, sipas policisë, është shtetasi Nazmi Kule. Duke iu referuar të dhënave nga grupi i hetimit mësohet se Kule ka qenë në shtëpi një pjesë të mirë të paradites para se t’i jepte fund jetës. Banor i një apartamenti në qendër të qytetit, në katin e tretë, burri ka vendosur t’i japë fund jetës duke përfituar nga një moment kur familjarët nuk e kanë ditur praninë e tij në shtëpi. Kanë qenë kalimtarë të rastit që kanë parë kufomën në trotuar. Policia e Komisariatit të Devollit ka nisur hetimin rreth ngjarjes, ndërsa nga dëshmitë e para të familjarëve, por dhe banorëve të pallatit, mësohet se viktima vuante nga depresioni. I papunë prej një kohe të gjatë, por dhe me një jetesë në kushte të vështira ekonomike, Kule ka vendosur të vetëvritet duke zgjedhur si mënyrë atë të hedhjes nga kati i tretë i pallatit ku jetonte.

Gjendet e vdekur në banesë një 76-vjeçare, nisin hetimet

LAÇ - Një 76-vjeçare është gjetur e vdekur në banesën e saj në qytetin e Laçit. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në Lagjen 3 të qytetit të Laçit. 76-vjeçarja Bedrie Haxhiu është gjetur e vdekur nga fqinjët e saj. Mësohet se viktima jetonte me të birin. Policia, e cila ndodhet në vendngjarje, ka nisur hetimet, ndërkohë mendohet se vdekja e saj të ketë ardhur për shkaqe natyrale. Sipas informacioneve, trupi i 76-vjeçares do të niset drejt Tiranës për ekzaminim.

28 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›