E Diel, 1 Nëntor 2026

Anketat, si një një lojë shahu me dy rezultate



Emin Azemi

Opinioni publik, i shprehur në anketën e fundit të gazetës “Dnevnik”, favorizon qëndrimet politike të qeverisë aktuale për mos-ndryshimin e emrit. Sipas kësaj ankete, rezulton se janë mbi 50 për qind e të anketuarve maqedonas kundër ndryshimit të emrit; madje, kjo edhe me çmimin e mos-integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. Kur është në pyetje disponimi i shqiptarëve, anketa “detekton” një grafik krejt të kundërt, duke i nxjerrë ata favorizues të tezës për ndryshimin e emrit të shtetit, si kusht për integrim në strukturat euroatlantike. Mbi 50 për qind e të anketuarve shqiptarë janë “pro” idesë së përfshirjes së atributit gjeografik në emrin e ri të Maqedonisë, duke aluduar në “Maqedonia Veriore”.

Linjat politike që mund të lexohen pasi analizon këtë anketë, tregojnë se Nikolla Gruevski, çështjen e kontestit me Greqinë e ka përdorur më tepër për konsum të brendshëm, duke i siguruar vetes një rejting stabël kundrejt kundërshtarëve të tij politik në taborin maqedonas, sikundër e dëshmoi këtë edhe hulumtimi më i fundit i Institutit “Pavell Shatev”, sipas të cilit, del se kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së gëzon mbështetjen dhe popullaritetin më të madh tek maqedonasit. Secili, po të ishte në vendin e tij, nuk do të ngurronte të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme, për arsye se bilanci zgjedhor që prej përpara mund të dihet.

Këto dhe hulumtime të tjera të opinionit publik, forcojnë dyshimin se konjukturat politike e qeveritare në Maqedoni, ka kohë që nuk po ofrohen me modele Perendimore të udhëheqjes dhe në vend të këtyre modeleve, ata po i kopjojnë disa sjellje të një kohe jo të largët të politikanëve në Beograd. Atje ishte Kosova, adrenalina që mbante në jetë regjimet antidemokratike dhe qytetari mesatar serb, një kohë bukur të gjatë, ishte i bindur se rrethanat e brendshme sociale, politike e ekonomike ishin të varura direkt nga mënyra se si kasta politike e trajtonte çështjen e Kosovës. Mos-heqja dorë nga Kosova, një kohë të gjatë, në Serbi ishte trajtuar nga “shkollat politike të natës” si edukim masiv për qytetarët, të cilët lehtësisht zëvendësonin mungesën e bukës në sofër me mitin politik për Kosovën.

Miti për “mos-ndryshimin emrit” të Maqedonisë, rrënjët i ka tek leximi politik i shkencës së historisë. Insistimi për ta mbajtur emrin e shtetit që është identik me emrin e një rajoni tej-kufitar në Greqi, me qendër Selanikun, nuk e ka bindur deri më tani botën e dijës për legjitimitetin shkencor të tij. Zëvendësimi i legjitimitetit shkencor, me manipulimin politik, ka prodhuar lajthitjen më të madhe kolektive të shekujve XX dhe XXI, duke injektuar në disponimin publik “truptha” të huaj që i transmetojnë gabimisht të dhënat historike.

Konotacioni i emrit “Maqedoni”, semantikisht mbulon një rrafsh më të gjerë gjeografik, historik, etno-gjuhësor dhe do të konsiderohej shkarje e rëndë pretendimi për ta mbyllur këtë konotacion brenda kuptimësisë politike të një ish-Republike Jugosllave, e cila lidhet gjeografikisht me një pjesë të popullit sllav që e quan veten maqedonas. Prandaj, përzierja e gjeografisë me historinë, herët a vonë shkakton konflikt dhe dualizëm brenda kuptimit shkencor për etninë, e cila duhet ta ketë kontinuitetin e gjallimit në kuadër të hapësirës gjeografike, kodit etno-psikologjik e gjuhësor dhe burimësisë historike.

Politikisht, kontinuiteti i Maqedonisë lidhet me një shtet federativ, shpërbërja e të cilit ka prodhuar një entitet të ri, i cili, me automatizëm, dëshiron t’i përvetësojë atributet gjeografike të një rajoni më të gjerë, por me të njëjtin emër.

Gjuhësisht, kontinuiteti i Maqedonisë lidhet me një grup të madh sllavë-folësish dhe me as çerek-dëshmie shkencore nuk është arritur të argumentohet vazhdimësia gjuhësore në mes të maqedonasve antik dhe maqedonasve të sotëm që flasin gjuhë sllave.

Disponimi publik i shqiptarëve “pro” ndryshimit të emrit të Maqedonisë, nuk buron tek ndonjë prirje ksenofobike e tyre kundrejt fqinjëve të tyre maqedonas dhe, më së paku, duhet interpretuar kjo si armiqësi e shqiptarëve me historinë e fqinjëve të tyre. Nëse do të formulohej një pyetje tjetër, ku do të kërkohej nga qytetarët e Maqedonisë të deklarojnë sensibilitetet e tyre historike kundrejt kuptimit të emrit “Maqedoni”, shqiptarët, këtu, me siguri do të mund të prijnë, sepse ata kanë shumë arsye dhe motive, të argumentuara edhe shkencërisht, për një interkasion historik në mes të Maqedonisë antike dhe kontinuitetit të formimit etno-kulturor e psikologjik të tyre.

Por, kësaj radhe, shqiptarët edhe në këtë anketë nuk shfaqën gatishmërinë e retrospektivës, por të perspektivës; ndonëse është për t’u debatuar se sa po shfrytëzohet si kapital politik ky pragmatizëm i shqiptarëve. Fatkeqësisht, njerëzit që flasin shqip e që aktualisht merren me politikë në Maqedoni, po bëhen peng të opinioneve publike jo-shqipfolëse, duke transferuar një pjesë të madhe të moralit tyre politik në një agjendë të huaj dhe aspak autoktone e autentike.

Logjikisht, sipas anketës së fundit, do të duhej që Ali Ahmeti, të ndjekë kahun e kundërt të rrugës që mund ta ndante nga Gruevski, sepse opinioni shqipfolës atij ia jep verdiktin të ndjek një politikë krejt autentike dhe aspak të ndikuar nga partneri i tij i koalicionit qeverisës. Në të kundërtën, pse do të duhej që shqiptarët ta deklarojnë disponimin e tyre publik, nëse ky disponim nuk prodhon kurrfarë efekti politik?

Fundja, pse relativizohet dhe nënçmohet kaq shumë mendimi publik i një popullate të konsiderueshme; madje, edhe në rastet kur është në pyetje ardhmëria e një shteti të përbashkët. Pos, nëse dikush e ka ndërmend tinëz dhe prapa shpine të bëjë “shtet vetëm për vete”. Ndryshe, kësaj i thonë lojë e njëjtë shahu, por me dy rezultate.

28 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›