E Shtunë, 31 Tetor 2026

32 trajnerë për një trofe



Tridhjetë e dy ekipe finalistë, tridhjetë dy trajnerë. Për një trofe. Atë të Kampionatit Botëror. Trofeut më të rëndësishëm në planet. Nga Marçelo Lipi, trajneri i Italisë, kampione të botës, në “Gjermani 2006”, e deri të Karlos Dunga i Brazilit, që nga ana e tij synon titullin e gjashtë të “Seleçaos”, përpara se Kampionati Botëror i vitit 2014 të zhvillohet pikërisht në Brazil. Cili trajner do ta fitojë Kupën e Botës? Gazeta “Albania” ju propozon t’i njihni më parë ata...

Grupi A

Alberto Carlos Parreira
(Afrika e Jugut)
Karlos Alberto Parriera, i lindur më 27 shkurt 1943, në Brazil, është trajneri i Afrikës së Jugut, vendit organizator i Botërorit 2010. Është mandati i tij i tij i dytë te skuadra afrikanojugore. Janë shumë klube të drejtuara nga ai: në Brazil, Spanjë, Turqi, Shtetet e Bashkuara. Parreira ka drejtuar skuadrat kombëtare të Brazilit (1994 dhe 2006), Ganës (1972), Kuvajtit (1982), Emiratet e Bashkuara (1990); Arabinë Saudite (1998) dhe Afrikës së Jugut (2010). Është i pari trajner në botë që merr pjesë në gjashtë finale në rolin e trajnerit. Në “SHBA 1994”, u shpall kampion botërorit në finalen e fituar me penallti kundër Italisë.

Havier Aguirre
(Meksika)
Havier Aguirre Onaindia ka lindur në qytetin e Meksiskë, më 1 dhjetor 1958. Një ish-mbrojtës i nivelit mesatar, por me 59 ndeshje dhe 13 gola me kombëtaren meksikane. Ka luajtur në Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara. Si trajner ka drejtuar në Meksikë, Spanjë. Në pranverë të vitit 2009 u thirr për të drejtuar Kombëtaren e Meksikës, duke zëvendësuar Sven Goran Eriksonin, duke ia dalë të çojë skuadrën e tij në Botërorin e Afrikës së Jugut. Në korrik të vitit 2009 fitoi “Gold Cup”. Në palmarin e tij si trajner gjendet edhe një kampionat meksikan dimri i fituar në vitin 1999, me Paçukën.

Oskar Uashington Tabarez
(Uruguai)
Oskar Uashington Tabarez ka lindur në Montevideo të Uruguait, më 3 mars 1947. Karrierën e tij si trajner e nisi në vitin 1980, ku drejtoi për 3 vjet Bella Vistën. Në edicionin 1986-1987 drejtoi Kombëtaren e të rinjve të Uruguait. Ekipet e tjera të tij janë Penarol, Deportivo Kali, Boka Juniors, por edhe Kaljarin e Milanin në Itali. Në Kampionatin Botëror 1990 të zhvilluar në Itali u prezantua si trajner i Uruguait. Nga viti 2006 është për herë të dytë trajner i “Celeste”, të kaltërve. Ka fituar kampionate në Uruguai, por dhe në Argjentinë, gjithsesi në Itali ka qenë i pasuksesshëm.

Rajmond Domenek
(Franca)
Komisari teknik i Francës, Rajamond Domenek, ka lindur më 24 janar të vitit 1952 në Lion. Është me orgjinë spanjolle. Familja e tij mbërriti si refugjate në Francë gjatë diktaturës së Frankos. Është i pasionuar pas astrologjisë dhe ka një të kaluar si aktor. Ka bërë karrierë si futbollist dhe ka veshur bluzat e Lionit, Strasburgut, Bordosë (2 kampionate të fituara me Bordo, 8 ndeshje me Kombëtaren franceze). Në vitin 1998 mori drejtimin e Lionit. Përpara se të drejtonte “Gjelat” e mëdhenj, kishte drejtuar U-21 të Francës. Në “Gjermani 2006” e çoi skuadrën në finale. Në “Euro 2008”, Franca e tij nuk fitoi asnjë ndeshje në grup.

Grupi B
Diego Armando Maradona
(Argjentina)

Diego Armando Maradona ka lindur, më 30 tetor 1960, në Lanus. Trajner i Argjentinës nga tetori i vitit 2008, kur mori vendin e Alfio Baziles. Maradona si futbollist është një prej lojtarëve më të mirë në botë. Ka veshur fanellat e Argentinos Juniors, Boca Juniors (1981/82), Barcelonës, Napolit, Seviljes, Nju Old Bojs, me të cilat ka fituar 5 kampionate. Me Kombëtaren argjentinase: 91 ndeshje, 34 gola. Ka fituar Botërorin në vitin 1986. Ka marrë pjesë edhe në 3 finale të tjera: 1982, 1990 e 1994 (21 ndeshje, 8 gola). Në vitin 1994 u gjet me doping gjatë ndeshjes Argjentinë-Greqi 4-0.

Lars Lagerbak
(Nigeria)
Suedezi Lars Lagerbak (i lindur, më 16 korrik 1948) ka firmosur një kontratë pesë mujore me Nigerinë, vetëm për finalet e Botëorit të Afrikës. Është i njohur edhe për publikun shqiptar, pasi drejtoi Suedinë në këto kualifikuese: 0-0, në Tiranë, fitoi 4-1 në Suedi. Dështoi me Suedinë e tij për të shkuar në Afrikën e Jugut. Një ish-futbollist mesatar. Në vitet 1996-1997 ishte trajneri i Suedisë B. Nga viti 2000 është trajner i Suedisë, ku morri pjesë në Botërorin e Kore/Japoni 2002 si dhe në Euro 2004 në Portugali. Më pas ishte erdhi radha e Botërorit “Gjermani 2006” dhe Europiani i vitit 2008, në Austri e Zvicër.

Huh Jung Moo
(Korea e Jugut)

Trajneri i Koresë së Jugut, Huh Jung Moo, ka lindur në vitin 1955. Ka luajtur si mesfushor në vendin e tij dha luajtur si lojtar në Botërorine Meksikës në vitin 1986 (3 ndeshje), ku i shënoi edhe një gol Italisë. Në vitin 1995 mori drejtimin e Komëbëtares së Koresë së Jugut për një ndeshje të vetme. Nga viti 1998 deri në vitin 2000 u rikthye për herë të dytë në krye të Kombëtares. Rikthehet për herë të tretë në vitin 2007, duke i dhënë mundësi Koresës së tij të jetë një nga 32 finalistet e Botërorit të Afrikës së Jugut, tashmë si trajner, kur para 24 vitesh e kishte bërë ata si lojtar.

Oto Rehagel
(Greqi)

Oto Rehagel, apo i mbiquajturi “Mbreti Oto”, ka lindur më 9 gusht të vitit 1938, në Esen të Gjermanisë. Drejton Kombëtaren greke nga vera e vitit 2001, me të cilën ka fituar në mënyrë të befasishme Kampionatin Europian të vitit 2004, të zhvilluar në Portugali. Ka laujtur si futbollist me Rot Vajs Esen, Hertën e Berlinit dhe Kaiserlauternin. Si trajneri e nisi në vitin 1973 me Kikers Ofenbah, më pas Verder Bremen, Borusia Dortmund, Kaiserlautern. Rehagel është i pari njeri, i cili ka zhvilluar si lojtar dhe drejtuar si trajner, më shumë se 100 ndeshje në Bundesligë. Kualifikoi Greqinë në Botëror pas 16 vitesh mungesë.

Grupi C
Fabio Kapelo
(Angli)
Trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo, ka lundur, më 18 qershor të vitit 1946, në Pieris të Italisë. Si lojtar ka veshur fanellat e Spalit, Romës, Juventusit dhe Milanit, ndërsa me Kombëtaren e Italisë ka zhvilluar 32 ndeshje, duke shënuar 8 gola. Karrierën si trajner e ka nisur në vitin 1987 me Milanin, por ka drejtuar edhe Realin e Madridit, Romën dhe Juventusin. Kapelo ka fituar 5 kampionate italiane dhe 2 spanjolle. Ka fituar 1 Ligë të Kampioneve (me Milanin). Drejton Anglinë pas dështimit të Stiv Meklarenit për të marrë pjesë në finalet e Europianit 2008. Siguroi pa asnjë problem një vend në Botërorin e Afrikës.

Bob Bradlej
(Shtetet e Bashkuara të Amerikës)

Bob Bradlej ka lindur në Shtetet e Bashkuara, më 3 mars të vitit 1958. Është trajner i Kombëtares së vendit të tij nga viti 2006, pas paraqitjes së dobët të SHBA-ve në Botërorin e Gjermansië, duke zëvendësuar Brus Arenën. Gjatë karrierës së tij si trajner ka drejtuar një numër të madh ekipesh universitare dhe deri te Kombëtarja U-23 e Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1998 u zgjodh “trajneri i vitit” në Shtetet e Bashkuara. Paraqitja e tij më e mirë është ajo në Kupën e Konfederatave 2009, kur SHBA-ja u mund 3-2 nga Brazili. Ka suksesin e tij në kualifikimin e SHBA-së në Botërorin e Afrikës së Jugut. Djali i tij është një futbollist.

Rabah Sadane
(Algjeri)

Rabah Sadane ka lindur, më 3 maj të vitit 1946 në Batna të Algjerisë. Pas një karrierë të gjatë si lojtar me fanellat e Batnas, Konstantine, El Biar, Blida dhe Rennes (Francë), nisi karrierën e teknikut nga viti 1981, duke udhëhequr Algjerinë në eliminatoret e Botërorit të Spanjës të vitin 1982 e më pas në fazën finale të Kampionatit Botëror të Meksikës (1986). Ka drejtuar me sukses një numër të madh ekipesh, përfshirë edhe Kombëtaren e Jeminit. Është sërish në krye të Algjerisë, për herë të fundit, duke u nisur nga viti 2007.

Matjazh Kek
(Slloveni)

Matjazh Kek ka lindur në Maribor të Sllovenisë, më 9 shtator të vitit 1961. Pas një karrierë të gjatë si futbollist, në rolin e mbrojtësit, me fanellat e Mariborit (fitoi 5 kampionate), Spitalit, Gracit, regjistroi edhe një ndeshje me kombëtaren e vendit të tij. Karrierën si trajner e nisi me Mariborin, me të cilin fitoi 3 kampionate. Me Kombëtaren e nisi me ato të moshave U-15 dhe U-16, përpara se të merrte drejtimin e Sllovenisë, në vitin 2007. Është i njohur në Shqipëri: dy barazime pa gola kundër Kombëtares sonë. Ia doli të çonte Slloveninë në Botëror pas plejofit me Rusinë.

Grupi D

Johakim Lëv
(Gjermani)
Trajneri i Gjermanisë, Johakim Lëv, ka lindur më 3 shkurt 1960 në Shonau. Karriera e tij si futbollist ka të bëjë me rolin si mesfushor, me një numër të madh ekipesh si në Gjermani (Shtutgard, Karlsruhe, etj.), por dhe në Zvicër, ku me Fraunelend ishte lojtar-trajner. Karriera e tij e vërtetë nisi si ndihmëstrajner me Shtutgardin në Bundesligë, në vitin 1985. Gjatë karrierës së tij drejtoi edhe në Turqi, Fenerbahçen, por për vetëm një sezon, ku drejtoi më pas edhe Adanaspor. Në Botërorin e Gjermanisë ishte ndihmësi i Jurgen Klinsmanit, por në Euro 2008 ishte trajneri i parë. Kualifikoi pa shumë probleme vendin e tij në Afrikën e Jugut.

Peter Verbik
(Australi)
Trajneri i Australisë, Peter Verbik, ka lindur në Roterdam të Holandës, më 12 mars të vitit 1956. Si lojtar, në rolin e mbrojtësit, ka veshur bluzat e Rodës, Nak Bredës dhe Spartës së Roterdamit. Karrierën si trajner e nisi në vitin 1981 me Spartën e Roterdamit. Më pas drejton De Graafschap, Fejenoord, , Groningen, Fortuna Sittard, Omiya Ardija. Në nivel kombëtaresh ka drejtuar Antilet Holandeze (2004), Korenë e Jugut (2006 dhe 2007), përpara se të merrte në dorëzim kombëtaren e “kangurëve” austrialianë, të cilën e çoi me sukses në Botërorin e Afrikës së Jugut.

Radomir Antiç
(Serbi)

Radomir Antiç ka lindur, më 22 nëntor 1948, në Zitiste të Serbisë. Si futbollist ka qenë mbrojtës dhe ka milituar me Sloboda Uzice , Partizanin e Beogradit, Fenerbahçen në Turqi dhe Lutonin në Angli. Me përfaqësuesen jugosllave ka zhvilluar vetëm një ndeshje. Karriera si trajner nis me Partizanin në vitin 1985, ku punoi si ndihmës. Eksperienca e tij si trajner nisi me Saragozën në vitin 1990. Antiç ka drejtuar edhe Realin e Madridit, Atletikon e Madridit, por dhe Barcelonën e Selta Vigon. Në vitin 2008 mori drejtimin e Serbisë, të cilën e çoi në Botëror.

Milovan Rajevac
(Gana)

Trajneri i Ganës është Milovan Rajevac, i cili drejton nga muaji gusht i vitit 2008, në vend të Sellas Teteh, pasi ky i fundit kishte drejtuar ganezët në katër ndeshjet e para të kualifikueseve të “Afrika 2010”. Rajevaç ka lindur, më 2 janar të vitit 1954, në Cajetina të Serbisë. Si lojtar ka qenë mbrojtës me fanellat e Borac Cacak, Crvena Zvezda, Vojvodina dhe Sloboda. Karrierën si trajner e nisi në vitin 2004, së pari me Crvena Zvezdën, ku fitoi dy kampionate në Serbi dhe një Kupë të Serbisë. Më pas kaloi te Vojvodina e Borac, përpara se të merrte drejtimin e Ganës, të cilën e çoi me sukses në Botëror.

Grupi E
Lambertus van Marvijk
(Holanda)

Trajneri i Holandës, Lambertus van Marvijk, ka lindur në Deventer, më 19 maj të vitit 1952. Marvijk ka qenë një mesfushor i nivelit të mirë, me 393 ndeshje në kampionatin holandez, por vetëm një ndeshje me Kombëtaren “portokalli”, në vitin 1975, në kohën kur luanin Krujf, Nekenes, Rep. Në vitin 1982 mbylli karrierën si lojtar. Në vitin 1990 nisi karrirën si trajner profesionist me Herderen, e më pas edhe me Fejenordin e Borusian e Dormundit në Gjermani. Zëvendësoi Marko van Bastenin në krye të Kombëtares holandeze, menjëherë pas Europianit të vitit 2008. Asnjë problem për të në rrugën drejt Afrikës së Jugut.

Morten Olsen
(Danimarka)
Trajneri i Danimarkës, Morten Olsen, ka lindur më 14 gusht të vitit 1949, në Vordingborg. Mbetet një prej futbollistët (mbrojtës) më të mirë danezë të gjitha kohërave: 102 ndeshje me Kombëtaren në 19 vjet, 4 gola. Ka marrë pjesë si lojtar në Botërorin e Meksikës, 1986. E mbylli karrierën me Këlnin e Gjermanisë, në vitin 1989. Karrierën si trajner e nisi në vitin 1990 me Brondbin, ku fitoi dy tituj kampionë. Më pas drejtoi Këlnin dhe Ajaksin. Pas një Europiani zhgënjyes të Danimarkës në Euro 2000, u emërua trajner i Kombëtares së vendit të tij. Olsen ka luajtur në kualifikuese kundër Shqipërisë: 1-1 në Tiranë, 3-0 në Danimarkë.

Takaeshi Okada
(Japoni)

Trajneri i Japonisë, Takaeshi Okada, ka lindur në Osaka, më 25 gusht 1956. Okada ka qenë një nga futbollistët më të mirë te Furukavës (1980-1990), me të cilën fitoi kampionatin japonez, 2 kupa të Japonisë, por dhe Ligën e Kampionëve të Azisë. Me Kombëtaren mori pjesë si futbollist në Lojërat Olimpike të Los Anxhelesit, 1984. Karrierën si trajner e nisi si ndimës i holandezit, Oft, në krye të Kombëtares së Japonisë, nga viti 1992 deri në vitin 1996. Ishte i pranishëm si trajner në Botërorin e Francës (1998), i pari në historinë e Kombëtares japoneze. Në vitin 2007 u rikthye në stolin e Japonisë, duke zëvendëuar Ivica Osim, i goditur nga infarkti.

Pol Lë Gen
(Kamerun)
Trajneri i Kamerunit, Pol Lë Gen, ka lindur në Francë, më 1 mars të vitit 1964. Ka një të kaluar të famshme si trajner (mesfushor) me Brest, Nantë, Paris Sën Zhermen, ku fitoi edhe një kampionat të Francës (me PSG) si dhe Kupën e Kupave në vitin 1996: 17 ndeshje me Kombëtaren e Francës. Karriera si trajner nis me Rëne (1998) dhe vazhdon me Lionin, Gllazgou Rrejnxhers në Skoci, Paris Sën Zhermenin. Nga korriku i vitit 2009 është trajneri i Kamerunit të kapitenti, Samuel Eto’o. Si trajner ka fituar 3 kampionate në Francë, 3 superkupa të Francës dhe një Kupë të Ligës franceze.

Grupi G
Marçelo Lipi
(Itali)

Trajneri i Italisë, Marçelo Lipi, ka lindur më 11 prill 1948. Është trajneri kampion në fuqi i botës, të fituar në Botërorin e Gjermanisë në vitin 2006. Për herë të parë trajner i Kombëtares italiane u bë në vitin 2004, duke zëvendësuar Xhovani Trapatonin, pas dështimit të tij në Europianin e Portugalisë. Karriera e tij si futbollist ishte mesatare. Si trajner ka drejtuar në Serinë A, Napolin, Atalantën, Interin, Juventusin. Në eksperiencën e tij të dytë si trajner i Italisë, erdhi pas dështimit të Roberto Donadonit në Europianin e vitit 2008. Ka fituar 5 kampionate në Itali dhe 1 Ligë të Kampioneve (me Juventusin).

Gerardo Martino
(Paraguai)

Trajneri i Paraguait, Gerardo Martino, ka lindur në Argjentinë, më 20 nëntor të vitit 1962 dhe është komisar teknik i kombëtares paraguaiane nga shkurti i vitit 2007. Si lojtar – në rolin e mesfushorit – ka veshur fanellat e Njuell Old Bojs (2 kampionate të fituara), Tenerifes, Lanusit, Barcelonës (në Argjentinë) dhe Higins. Dy ndeshje me Kombëtaren e Argjentinës. Në karrierën si trajner ka drejtuar Almirante Broun, Platense, Instituto, Libertad, Cerro Porteno dhe Kolon di Santa Fe. Në vitin 2007 u zgjodh trajneri më i mirë në Amerikën e Jugut.

Riçard Herbert
(Zelanda e Re)

Trajneri i Zelandës së Re, Riçard Herbert, ka lindur më 10 prill të vitit 1961. Në karrierën e tij si futbollist ka laujtur si mbrojtës me shumë ekipe, përfshirë dhe Uolverhemptonin në Angli, dhe ka veshur 61 herë fanellën e Kombëtares së Zelandës së Re (7 gola), midis të tjerave edhe 3 ndeshje në Botërorin e Spanjës, 1982, i vemtmi përfaqësim i zelandezëve të rinj. Është trajner i Zelandës së Re nga viti 2005. Në vjeshtën e vitit 2009, Herbert, ia doli të çojë vendin e tij – pas 28 viteve mungesë – për herë të dytë në një Kampionat Botëror.

Vladimir Vajs
(Sllovaki)

Trajneri i Sllovakisë, Vladimir Vajs, ka lindur më 22 shtator të vitit 1964, në Bratislavë. Vajs ka pasur një karrierë të vlefshme si futbollist, madje ka qenë pjesë edhe e ish-Cekosllovakisë, në Botërorin e Italisë, në vitin 1990 (3 ndeshje). E nisi karrierën si trajner me Artmedia Petrzalka, me të cilën ka fituar edhe dy kampionate në Sllovaki. Nga qershori i vitit 2008 drejton Sllovakinë, duke i dhuruar një kualifikim të madh midis 32 ekipeve finaliste të Botërorit të Afrikës së Jugut. Vajs ka një djalë futbollist që luan në Angli me Mançester Sitin.

Grupi G
Karlos Dunga
(Brazil)

Karlos Kaetano Bledorn Verri, apo më thjesht Dunga, është trajneri i Brazilit. Ka lindur, më 31 tetor 1963, në Ijui. Drejton Kombëtaren e Brazilit nga viti 2006. Dunga ka qenë një lojtar i nivelit të lartë dhe ka marrë pjesë në dy kampionate botërore. Në vitin 1994 në SHBA ishte kapiteni i Brazilit, ku fitoi edhe titullin kampion. Në vitin 1998, në Francë, ishte finalist. Me Kombëtaren braziliane ka luajtur 91 ndeshje, 6 gola. Dunga ka lujtur për klube të ndryshme, përfshirë dhe një eksperiencë në Itali. Ka fituar si trajner Kampionatin e Amerikës së Jugut, Kupën e Konfederatave. Synon trofeun e gjashtë të Brazilit në Botëror.

Kim Jon Hun
(Koreja e Veriut)

Trajneri i Korësë së Veriut, Kim Jon Hun, është trajneri i përfaqësueses së vendit të tij, nga marsi i vitit 2008, duke zëvendësuar në bankinën, Han Jiong Ji, ky i fundit kishte pasur një tjetër trajner, Jo Tong Sop, njeriu që dhe nisi kualifikueset e Botërorit të Afrikës së Jugut. Koreja e Veriut u kualifikuar pas takimit të dyfishtë me Mongolinë, duke qenë kështu midis 32 finalistëve të Kampionatit të 19-të Botëror, në një grup të vështirë me Brazilin, rekordmenin e botës.

Sven Goran Erikson
(Bregu i Fildishtë)
Trajneri suedez i Bregut të Fildishtë, ka lindur më 9 shkurt të vitit 1948. Ka drejtuar në Botërorin e vitit 2006 në Gjermani, Kombëtaren e Anglisë. Me Bregun e Fildishtë do të diskutojë Kampionatin e dytë Botëror personal. Erikson dështoi në Meksikë në aventurën e tij në kualifikueset e këtij Botërori. Ka drejtuar në Itali, Romën, Lacion, Fiorentinën dhe Sampdorian. Në vitin 2001 u emërua trajner i Kombëtares së Anglisë. Në Angli ka drejtuar edhe Mançester Sitin. Gjatë karrierës së tij si trajner ka fituar një kampionat në Suedi dhe një kampionat në Itali.

Karlos Keiroz
(Portugalia)
Trajneri i Portugalisë, Karlos Keiroz, ka lindur më 1 mars të vitit 1953, në Nampula të Mozamikut. Ka qenë një futbollist profesionist. Si lojtar i Kombëtares portugeze për herë të parë ishte nga viti 1991 deri në vitin 1993, madje si futbollist ka luajtur dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe deri në Japoninë e largët. Si trajner kombëtaresh e nisi me Emiratet e Bashkuara Arabe (1998-1999). Nga viti 2000 deri në vitin 2002 drejtoi Afrikën e Jugut. Pas një eksperience me Realin e Madridit, në vitin 2008 mori drejtimin e Portugalisë, në vendin e Skolarit. Me Shqipërinë: 0-0 në Braga dhe 2-1 në Tiranë.

Grupi H
Vinsente Del Boske
(Spanja)

Trajneri i Spanjës, Vinsente Del Boske, ka ndoshta skuadrën më të mirë në botë për Botërorin e Afrikës së Jugut. Spanja është kampione e Europës. Vinsente Del Boske ka lindur, më 23 dhjetor të vitit 1950. Si futbollist ka qenë mesfushor shkatërrues dhe ka veshur 18-herë fanellën e Spanjës (1 gol). Ka drejtuar Realin e Madridit si trajner, më shumë se dhjetë vjet (1973-1984). Si lojtar fitoi pesë kampionate në Spanjë. Karrierën si trajner e nisi në vitin 1985. Ka fituar Ligën e Kampioneve me Realin e Madridit në finalen e Parisit, kundër Valencias në vitin 1999. Nga 15 korriku i vitit 2008 është trajneri i Spanjës, në vend të Luis Aragones, trajnerit kampion të Euro 2008-s.

Otmar Hitcfeld
(Zvicër)

Trajneri i Zvicrës, Otmas Hitcfeld, ka lindur më 12 janar të vitit 1949, në Lorah të Gjermanisë. Si futbollist ka laujtur në rolin e sulmuesit, duke e shpenzuar karrierën midis Zvicrës e Gjermanisë, midis të tjerave dhe me Shtutgartin. Si trajner ka fituar 7 kampionate në Gjermani (Borusian Mënshengladbah dhe Bajern), por dhe dy Liga të Kampioneve (Borussia Dortmund, 1996-1997, Bajern, 2000-2001). Është në krye të Zvicrës nga 1 korriku i vitit 2008, ku ja doli të kapë edhe një vend në finalet e Kampionatit Botëror në Afrikën e Jugut. Njihet si një trajner i suksesshëm. Me Zvicrën luajnë dhe Valon Behrami e Blerim Xhemaili.

Reynaldo Rueda
(Honduras)

Trajneri i Hondurasit, Rejdinaldo Rueda, ka lindur në Kali të Kolumbisë, më 16 prill të vitit 1957. Është laueruar për mësues i edukimit fizik. Rueda e nisi karrierën në fillim të viteve ’90. Në vitin 1993 drejtoi Kolumbinë U-20. Më pas drejtoi Deportivo Kali, me të cilën fitoi 1 kampionat në Kolumbi, e më pas fitoi titullin me Indipendiente Medelin. Nga viti 2006 është në krye të Hondurasit, ku ja doli të kapë edhe një vend në finalet e Kampionatit Botëror në Afrikën e Jugut. Një sukses i rëndësishëm në karrierën e tij si trajner.

Marçelo Bielsa
(Kili)
Trajneri i Kilit, Marçelo Bielsa, ka lindur, më 21 korrik të vitit 1955, në Rosario, Argjentinë. E filloi karrierën si trajner në një moshë të re. Ka drejtuar ekipe në Argjentinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2002 mori drejtimin e Argjentinës, në Botërorin zhgënjyes në Japoni dhe Korenë e Jugut, ku ekipi i tij u eliminua në fazën e grupeve. Në vitin 2004 drejtoi Kombëtaren olimlike të Argjentinës, ku fitoi medaljen e artë në “Athinë 2004”. Nga viti 2007 është trajneri i Kilit, të cilit i siguroi edhe një vend në Botërorin e Afrikës së Jugut.

28 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›