E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i privilegjeve

Pas 10 vitesh aprovohet Ligji për sigurimet. Me këtë marrin fund privilegjet e kompanive të sigurimeve, duke filluar nga zvarritja për pagesat e klientëve, e deri te shuma siguruese. Me këtë ligj, për dëme në persona, shuma siguruese nga 100 mijë, do të jetë 1 milion euro. E, kamata vjetore për vonesat, nga 3.5 për qind do të jetë 12 për qind. Nga Agon Sinanaj më 25 qershor 2011 në ora 08:21

Kompanive të sigurimeve në Kosovë do t’iu duhet edhe një herë të marrin licencë për të ushtruar veprimtarinë e tyre. Ato që nuk i plotësojnë kushtet me Ligjin për sigurimet, i cili u aprovua këtë javë nga Kuvendi, nuk do të pajisen me licencë fare.

Me këtë ligj, pjesë të të cilit i ka siguruar “Expressi”, rregullohen njëherë e mirë përgjegjësitë e kompanive ndaj palëve, duke filluar nga zvarritja për pagesat e klientëve e deri te shuma siguruese. Me ligjin e ri, për dëme në persona shuma siguruese nga 100 mijë, do të jetë 1 milion euro. E, kamata vjetore për vonesat që kompanitë i bëjnë ndaj palëve, nga 3.5 për qind do të jetë 12 për qind.

Ndërkohë, ashtu siç ka qenë deri më tash, e tërë industria e sigurimeve ka funksionuar në bazë të një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës. Duke qenë se BQK-ja kishte rol të dyfishtë, si ligjvënëse dhe mbikëqyrëse, kompanitë e sigurimeve kanë pasur mundësinë që të sillen si të duan ndaj klientëve.

Por me aprovimin e këtij ligji, eksperti i sigurimeve, Besnik Nikçi, i cili është njëri nga hartuesit e tij, thotë se do të marrë fund zullumi në “kurriz” të klientëve. Sipas tij, dispozitat precize që rregullojnë me ligj proceduarat e trajtimit të demit do të fusin rregullin e shumëpritur dhe më në fund funksionim të lakmuar në tregun e sigurimeve.

“Siguruesve që kanë mbijetuar në mjegullën e deritanishme, duket se u ka ardhur fundi”, thotë Nikçi.

Ai tregon se këto ndryshime kualitative për të mirën e qytetarëve, erdhën pas rekomandimeve të fundit të Bankës Qendrore dhe punës së mirë dhe profesionale të komisioneve parlamentare. Gjithashtu, janë eliminuar nga Ligji të gjitha dispozitat që ishin në kundërshtim me direktivat e BE-së.

“U instaluan dispozitat e karakterit imperativ aty ku kërkohej. U përcaktuan penale për siguruesit në rast vonese të përmbushjes së detyrimeve dhe sanksioneve të sakta për të gjithë pjesëmarrësit e këtij sistemi”, thotë Nikçi.

Sado që bëhet fjalë për një ligj që mund ta anëtarësojë Kosovën në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurimeve, Nikçi tregon se ka ende shumë punë për të bërë nga vendorët.

Sipas tij, kompanitë e sigurimeve në Kosovë, urgjentisht duhet të përshpejtojnë trajtimin dhe likuidimin e dëmeve pezull, të aktualizojnë zgjidhjen e kontesteve me procedurë ndërmjetësimi dhe pajtimi gjyqësor, si dhe përgatitje adekuate në organizimin kualitativ të shërbimeve për trajtimin e dëmeve.

“Veçmas, fillimin e përgatitjeve për kuadër dhe shërbime adekuate për trajtimin e dëmeve ndërkombëtare, përgatitje adekuate për zbatimin e procedurave dhe afateve te parashikuara me ligj në trajtimin e dëmeve dhe evitimin e pasojave në rast shkeljeje”, ka pohuar Nikçi, duke shtuar se duhet të bëhet edhe rishqyrtimi i mbulesës siguruese bazuar në detyrimet me ligj.

Veç kësaj, kompanitë e sigurimeve, sipas Nikçit, duhet të organizohen për themelimin e Byrosë Kosovare, brenda një afati sa më të shkurtër. Së paku ditën e hyrjes në fuqi të Ligjit, Byroja duhet të jetë gati, në mënyrë që ky institucion të firmosë dhe të parashtrojë në Asamblenë e Këshillit të Byrove në Bruksel, kërkesën preliminare të aplikimit për anëtarësim në këtë organizatë, ku Kosovës më pas do t’i jepej e drejta për Kartonin e Gjelbër.

Për t’u arritur kjo, sipas tij, duhet që Shoqata e sigurimeve dhe organizmat që veprojnë në kuadër të saj, urgjentisht të riorganizohen konform Ligjit, e posaçërisht Fondi i kompensimit, Qendra informative dhe Pooli i sigurimeve kufitare. Gjithashtu, duhet të dinamizohet puna e trajtimit të dëmeve të Fondit të Garancisë dhe Policave Kufitare, në mënyrë që sa më pak detyrime dhe raste të patrajtuara të barten në Byron Nacionale.

“Rasti i dytë i dhënë Kosovës këtë muaj për aplikim në CoB, nuk guxon të sfidohet dhe përgjegjës për këtë janë të përmendurit më lart në rast dështimi”, ka thënë Nikçi.
Rekomandim tjetër, që duhet të implementohet para anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurimeve, është që Qeveria të firmosë aktin përkatës për njohjen e Byros Nacionale, me të gjitha autorizimet në këtë funksion dhe konfirmimi i bartjes së këtyre autorizimeve publike në Byro, si dhe të garantojë qarkullimin e lirë të mjeteve monetare si anëtare e Këshillit të Byrove.

“Qeveria, MPJ-ja në bashkëpunim me BQK-në të harmonizojë aktivitetin e kontakteve me UNEEC-in, CoB-in dhe byrotë nacionale përkitazi me lobimin në këtë sferë”, ka përfunduar Nikçi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›