E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkeljet Presidenciale

Gjatë vitit 2010, Zyra e Presidentit të Kosovës ka bërë shkelje të mëdha të Ligjit të Prokurimit. Keqpërdorime janë bërë me rastin e blerjes së “Medaljeve të Arta”, dhuratave për 8 Mars, kompjuterëve për t`i dhuruar si donacion në shkolla, në libra, e gjithçka tjetër. Ka raste kur fare nuk janë hapur tenderë për blerje. Më e keqja është se as kompanitë që kanë humbur tenderin, nuk janë njoftuar me arsyet e eliminimit Nga Nebih Maxhuni më 25 qershor 2011 në ora 08:19

Më keq, Auditori Gjeneral nuk ka mundur të gjejë shkelje sesa në Presidencën e Kosovës për vitin 2010.

Në këtë institucion që deri në shtator të vitit të kaluar në krye të saj ka qenë Fatmir Sejdiu, e më vonë ushtrues detyre Jakup Krasniqi, auditorët kanë gjetur shkelje të tmerrshme në prokurim.

Në të gjitha kontratat që ka zhvilluar Presidenca përmes procedurave të prokurimit, janë gjetur shkelje të ligjit.

Madje, në raport thuhet se Presidenca as që ka marrë mundin t`i njoftojë operatorët ekonomikë që nuk kanë fituar tender, për arsyet e eliminimit.

Sipas auditorëve, për vitin 2010, Zyra e Presidentit të Kosovës kishte planifikuar prokurime në vlerë prej, 2. 4 milionë eurosh.

Nga kjo vlerë, kjo zyrë kishte arritur të realizojë 461 mijë euro ose 19% të planifikimit, të gjitha në kategorinë mallra dhe shërbime.

Dallavere në prokurim janë bërë edhe për blerjen e medaljeve të arta që Presidenca ndan për personalitete të ndryshme.

“Te kontrata “Furnizimi me medalje të arta dhe të arizuara”, siguria e ekzekutimit të
kontratës ka afat njëmujor, ndërsa kontrata është njëvjeçare.
Gjatë vitit 2010, në emër të kësaj kontrate, vlera e artikujve të furnizuar ishte gjithsej 112 mijë euro. Ne kemi vërejtur se kompania që ka fituar tenderin, ka ofruar sigurimin e ekzekutimit të kontratës në vlerë 2 mijë euro, e jo në 10% të vlerës së saj, siç është kërkesa e Ligjit të prokurimit publik”, thuhet në raport.

Zyra e presidentit të Kosovës nuk ka kursyer që Ligjin e prokurimit ta shkelë me dy këmbët edhe për blerjen e dhuratave për festën e 8 Marsit.

“Te blerja me procedurë minimale në vlerë 995 euro “Dhurata për festën e 8 Marsit”, urdhërblerja, raporti i pranimit, hapja e ofertave dhe raporti i vlerësimit të ofertave ishin kryer pas pranimit të furnizimit (në muajin prill). Gjithashtu, emërtimi i llojit dhe natyrës së blerjes nuk ishte i njëjtë dhe adekuat, ato ishin emërtuar herë si furnizim për zyrë, e herë si suvenire”, tregohet në raportin për Presidencën.

Marifetet e Presidencës nuk mjaftojnë me kaq.

Zyra e presidentit kishte kërkuar në dosjen e tenderit shtypjen e gjithsej 6,000 librave (5,000 në gjuhë shqipe dhe 1,000 në atë angleze).

“Tenderin e kishte fituar ofertuesi më i lirë, i cili për shtypjen e 6,000 ekzemplarëve e kishte
ofruar çmimin prej 5,950 €. Përkundër kësaj vlere të ofertuar, kontrata ishte nënshkruar në vlerë 9,550 euro, shumë kjo që nuk ishte ofruar nga asnjëri operator ekonomik (OE).
ZPRK-ja është furnizuar me 10,000 njësi, të cilat ishin kontraktuar, pranuar dhe paguar, sasi kjo që nuk është kërkuar as nga njësia kërkuese, as në dosje të tenderit, por as nuk ishte ofertuar nga OE-ja. Ne nuk kemi gjetur dëshmi të mjaftueshme që do ta arsyetonin këtë rritje të sasisë”, thuhet në raportin e ZAGJ-it.

Zyrtarë të Zyrës së presidentit nuk janë lodhur fare për të hapur tenderë për shërbime hoteliere.

Këtij farë muhabeti ata i kanë rënë si shkurt duke mos hapur fare tender për shërbime hoteliere, me rastin e Dyvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Me rastin e shpenzimit për shërbime hoteliere në Dyvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ishin anashkaluar procedurat e prokurimit. Kemi vërejtur se ishte bërë vetëm një “Marrëveshje” e shkurtër, jo sipas formës standarde, siç kërkohet me LPP.
Për me tepër, kjo marrëveshje nuk kishte përfshirë elementet e rëndësishme, siç janë sasia, lloji i artikujve, çmimi, etj. Vlera ishte 2 mijë euro”, tregon raporti.

Edhe në dy raste, kur Zyra e presidentit i ka blerë dy kompjuterë për t`i dhuruar donacion për shkolla, nuk ka pasur specifikacione teknike.

“Duke i bërë të qarta specifikat dhe karakteristikat e saj, përcaktohet edhe lloji i procedurës së prokurimit. Në dy raste të blerjeve të kompjuterëve, subvencion për shkolla, njëri në vlerë 487 euro dhe tjetri 492 euro, nuk kishte pasur fare specifikacion teknik”, thonë auditorët.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›