E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj: vështirë për njohje

Enver Hoxhaj, në një intervistë për Express, pranon se përmbyllja e njohjes së pavarësisë është një punë e vështirë. Ai thotë se në lobim janë përfshirë edhe miq të Kosovës në baza vullnetare, por nuk i tregon emrat e tyre. Për Behgjet Pacollin ka veç fjalë të mira. Por, Kryediplomati kosovar pohon se në diplomaci duhet të ketë konfidencë. Nga Express më 25 qershor 2011 në ora 11:30

Express: Jeni nga ministrat e paktë që nuk mbajtët konferencë për 100-ditshin e punës. Pse? A nuk keni pasur çka të raportoni?
Hoxhaj: Vetëm nëse konferencën për 100 ditësh do ta mbaja nga një pjesë e botës dhe nëse do t’i ftoja mediat në një vend ku kam qenë për vizitë. Unë gjatë tre muajve të fundit kam fluturuar në mënyrë shumë intensive. Kam vizituar vende të ndryshme të botës, kam marrë pjesë në takime të ndryshme, vende që e kanë njohur Republikën e Kosovës, vende që s’e kanë njohur. Kam marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare, rajonale prandaj edhe bilanci që mund të nxirret është edhe bilanc që mund ta nxjerrin qytetarët e Kosovës, ose që mund ta nxjerrin mediat. Por, jo një bilanc që unë do t’ia bëja punës sime. Ka qenë pothuajse e pamundur që ta organizojë konferencën, meqë kam lëvizur në mënyrë permanente.

Express: Çka konsideroni si suksesin më të madh që prej se drejtoni Ministrinë?
Hoxhaj: Qëllimi im ka qenë që në MPJ të fokusohemi në tri gjëra. Së pari, ta promovojmë dhe ta prezantojmë interesin shtetëror të vendit, së dyti t’i përfaqësojmë interesat politike dhe ekonomike të Kosovës dhe së treti t’i përfaqësojmë interesat e qytetarëve që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës. Interesi shtetëror i Kosovës nënkupton që ne duhet të fokusohemi fuqishëm në mbajtjen e kontakteve në vizita dhe në marrëdhënie bilaterale me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Unë gjatë kësaj kohe, përveç takimit të parë me Zëvendëssekretarin e Shtetit, Steinberg kam takuar edhe Ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, z. William Hague, Ministrin e Jashtëm të Francës, Alain Juppe, të Gjermanisë, z.Westervelle. Kam takuar edhe disa ministra të tjerë të punëve të jashtme, të vendeve të BE’së. Është një listë e gjatë e ministrave që i kam takuar në tre muajt e fundit. Më 7 korrik jam në Romë, në vizitë Fratinit. Përveç kësaj, kam qenë skajshmërisht i fokusuar në rritjen e numrit të njohjeve. Gjatë kësaj kohe, ka ndodhur edhe njohja nga Andorra, e cila njohje pa dyshim ka qenë e rëndësishme dhe vitale, meqë është një vend i cili shtrihet mes Francës dhe Spanjës. Në të njëjtën kohë, ne kemi ndierë se mund të ketë edhe vende të tjera që do të lëvizin drejt njohjes dhe kjo ka ndodhur falë hartimit të Strategjisë për njohje që kemi bërë në 100-ditshin e parë. Tek interesat politike dhe ekonomike ne kemi nënshkruar një mori marrëveshjesh me shumë vende të BE’së.

Express: Veç një njohje ka ardhur gjatë kësaj kohe, nga Andorra. Edhe pse ishit korrektë t’ia atribuoni njohjen miqve të Kosovës, megjithatë një njohje është shumë pak për këta muaj të punës suaj.
Hoxhaj: Edhe unë mendoj se është pak. Por qëllimi ynë kryesor është që ta anëtarësojmë Kosovën në OKB, dhe ne mund ta bëjmë një gjë të tillë kur ne marrim sa më shumë njohje nga sa më shumë shtete që janë anëtare të OKB’së. Prandaj, edhe njëri prej prioriteteve tona është me çdo kusht ta rrisim numrin e shteteve që e kanë njohur Kosovën. Deri më tash, kam takuar një numër të madh të ministrave të punëve të jashtme të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, kam vizituar disa vende që nuk e kanë njohur Kosovën. Dhe pres që në të ardhmen të ketë rezultate të prekshme, të matshme. Por nuk jam prej atyre që paralajmërojnë njohje, nuk jam prej atyre që flas në emër të qeverive të vendeve të tjera dhe nuk jam prej atyre i cili operon me shifra se sa vende mund ta njohin Republikën e Kosovës. Por mundohem që të punoj maksimalisht që të kemi sa më shumë njohje.

Express: Suksesi në diplomacinë kosovare matet me njohje. A mendoni se ky është një kurth për ju, pasi siç po e shohim, njohjet janë rralluar?
Hoxhaj: Mendoj se duhet të jetë qëllim ynë mbi të gjitha që Republika e Kosovës të ketë një proces të suksesshëm të shtetndërtimit të brendshëm dhe të jashtëm. Detyrë e MPJ’së është që, megjithatë të punojë në këtë rrafshin e dytë - sovranitetin e jashtëm, për anëtarësimin në organizatat e ndryshme politike, financiare. Përveç kësaj, vendosja e marrëdhënieve bilaterale diplomatike, nënshkrimi i marrëveshjeve për çështje të ekonomisë, tregtisë, arsimit, kulturës - punë që e bën MPJ’ja - është po aq jetik sa çështja e njohjes. Prandaj, nuk mendoj që politika e jashtme duhet të zbërthehet në njohje dhe në numra. Në vitin 2008, 2009 dhe 2010 kanë ndodhur shumë njohje meqë shumë shtete të cilat e kanë njohur Republikën Kosovës gjatë këtyre dy viteve kanë qenë të involvuara në mënyrë direkte në Kosovë, kanë qenë pjesë e proceseve të rëndësishme politike të Kosovës dhe janë pjesë e botës perëndimore. Neve na mbetet punë e madhe që ta sqarojmë kërkesën tonë për njohje në vendet e Afrikës, çfarë mendoj se z. Pacolli po bënë punë shumë të mirë. Unë kam qenë në Arabinë Saudite, në Jordani. Këto dy vende e kanë njohur Kosovën, por këto dy vende kanë rol shumë të rëndësishëm tek të gjithë anëtarët e Organizatës së Konferencës Islamike që ka 57 anëtarë. Vizitat e mia kanë qenë sa ta karakterit bilateral dhe po ashtu të kërkohet mbështetja që të na ndihmojmë këto dy vende për njohje nga shtetet tjera.

Express: E dëgjojmë shpesh nga ju se objektivi është përmbyllja e njohjes ndërkombëtare të pavarësisë. Kjo duket shumë ambicioze nëse i kemi parasysh rrethanat e komplikuara ndërkombëtare në raport me Kosovën...
Hoxhaj: Unë e ndaj mendimin tuaj që procesi i njohjes është i vështirë dhe kompleks dhe bëj përpjekje që ta ndaj këtë mendim timin me qytetarët e Kosovës, por kjo nuk më lejon mua që të qëndrojë në Prishtinë. Përkundrazi, kjo kërkon nga unë të udhëtoj në mënyrë sa më intensive, të jem sa më agresiv në politikën e jashtme, të koordinohem me miqtë tanë për çështje kyçe, qoftë të njohjes, qoftë të çështjeve të tjera dhe mbi të gjitha ta prezantoj Kosovën në çdo kënd të botës. Prandaj, nëse e kemi parasysh që unë kam qenë tri herë në Washington, kam pasur brenda tre muajsh takime me ministrat e Britanisë, Francës, Gjermanisë, me disa ministra të tjerë të vendeve të fuqishme europiane, mandej vizita në Arabinë Saudite - vend lider në atë pjesë të botës, kam vizituar Mbretërinë e Jordanisë - që ka ndikim jo vetëm te vendet arabe, por edhe te vendet e Afrikës - kjo flet për një qasje shumë strategjike se si të ndikohet te shtetet më të fuqishme të jenë partnerë të Kosovës dhe se si përmes këtyre shteteve, të jemi të pranishëm në pjesë tjera të botës.

Intervistën me Ministrin Hoxhaj, më gjerësisht, lexojeni në numrin e sotshëm të Gazetës Express.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›