E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ska kompromis

“Prishtina zyrtare nuk do të bëjë kurrfarë kompromisi që shkel Kushtetutën e Kosovës dhe që cënon integritetin territorial të saj”, ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi në një intervistë për RTK-në. Numri dy i qeverisë tha se ky qëndrim do të mbahet deri në përfundim të bisedimeve për planin prej gjashtë pikash të Ban Ki Munit, bisedime këto që po ndërmjetësohen nga vendet perëndimore. Zyrtarët e qeverisë janë të vendosur që të mos lëshojnë pe para presionit ndërkombëtar lidhur me planin gjashtëpikësh të Ban Ki Munit, i cili shihet në Prishtinë si ndërhyrje në sovranitetin e Kosovës. Presidenti dhe kryeministri mbrëmë e kanë hedhur poshtë propozimin, duke e paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve për këtë çështje me partnerët ndërkombëtarë. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se qëndrimi i Prishtinës është i qartë dhe se nuk do të ketë kurrfarë kompromisi në dëm të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Sipas tij, kjo është vija e kuqe nga e cila Prishtina zyrtare nuk mund të lëvizë as në vazhdim të bisedimeve të tjera. “Nuk do të ketë kompromis më pak seç është në Kushtetutën e Kosovës. Kushtetuta ka qenë vetë kompromis dhe çdo kompromis tjetër është një lloj mbartjeje e sovranitetit dhe mbartja e sovranitetit nuk mund të bëhet nga individë të caktuar, por duhet bëhet ashtu siç është paraparë në Kushtetutë. Unë jam i bindur se edhe bashkësia ndërkombëtare do të ketë mirëkuptim në këtë çështje”, tha Kuçi. Ai saktësoi se “propozimi gjashtëpikësh ka pika esenciale që nuk përputhen me zhvillimet juridike dhe politike në Kosovë dhe aq më pak nuk e garanton sistemin unik të funksionimit në Kosovë”. Po sipas Kuçit, “edhe Kushtetuta e Kosovës është kompromis, edhe dokumenti i presidentit Ahtisari ka qenë kompromis, dhe mendoj që kompromis mbi kompromiset nuk do të ketë dhe, në anën tjetër, neve na obligojnë aktet legale. Të gjitha ato që i kemi arritur deri më sot në Kosovë, i kemi arritur në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar”. Numri dy i qeverisë tha se refuzimi që i bëhet planit gjashtëpikësh nuk është refuzim ndaj vendosjes së misionit të EULEX-it, por sipas tij, nuk mund të bëhet shtrirja e EULEX-it duke legalizuar strukturat paralele në Kosovë. “Ne ngutemi që EULEX-i të shtrihet sa më shpjet që është e mundur, por jo të shtrihet duke mundësuar ndoshta legalizimin e strukturave paralele apo krijimin e një realiteti që vështirë do të kthehej në pikën zero. Mbi të gjitha, nuk dëshirojmë që të krijojmë iluzion, që një pjesë e Kosovës po ndahet apo dikush që e ka fituar autoritetin mbi Kosovën”, - tha Kuçi. Ai tha se Prishtina tashmë i ka ofruar propozimet e veta lidhur me planin, të cilat janë në funksion të ruajtjes së tërësisë territoriale të Kosovës, respektimit të Kushtetutës dhe të Planit të Ahtisarit. Sipas tij, refuzimi i planit do të vazhdojë nëse tentohet që të anashkalohen këto tri çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›