Fundjava, fluks emigrantësh në doganën e Kakavijës
KAKAVIJË- Fundjava ka shtuar fluksin e emigrantëve në pikën kufitare të Kakavijës. Sipas burimeve nga dogana prej orës 24 00 të mbrëmjes së djeshme e deri ne orët e para të ditës së sotme, kanë hyrë 6100 shtetas, 1220 automjete dhe 68 autobusë.
Për të lehtësuar pritjen e emigrantëve pala shqiptare në doganën e Kakavijës vijon punën me 10 sportele, ndërsa në palën greke janë në punë 5 te tilla.
Burimet doganore pohojnë se numri i të ardhurve është shtuar shumë me afrimin e verës, pasi emigrantët dëshirojnë t'i kalojnë pushimet me familjet e tyre në atdhe.
Për shkak të numrit të madh të emigrantëve dhe automjeteve të shumta që janë në resht për t'u përpunuar krijohen edhe radhë të gjata, pasi edhe pse punohet me kapacitet të plote sërish është e pamundur të përballohet fluksi. Gjatë paradites në radhë kanë qenë së paku 150 automjete në pritje.