Gjana: Ligji nuk heq të drejtën e pronësisë
Ministri i Bujqësisë thotë se tokat djerrë kanë ardhur si shkak i emigracionit të pronarëve
Tokat e papunuara zënë rreth 10 për qind të totalit të sipërfaqes në të gjithë vendin
Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ka publikuar disa detaje të projektligjit, i cili parashikon kalimin e tokave djerrë në fondin e komunave. Ai tha se me këtë ligj nuk synohet t'iu hiqet e drejta e pronësisë atyre që kanë lënë tokat djerrë, por vetëm të nxitet punimi i tokës. Në të gjithë vendin vetëm 10 për qind e sipërfaqes nuk punohet.
Ai tha se ky ligj ka ardhur si nevojë e nxitjes së punimit të tokave dhe sipas tij, kjo do të jetë mënyra më oportuniste dhe se qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë nismë për heqjen e titullit të pronësisë dhe aplikimin e taksave të larta për ata që nuk e punojnë tokën.
Ministri Gjana tha se fenomeni i tokave djerrë është në zonat me minoritet të theksuar, por edhe në disa zona të Kurbinit dhe në pjesë të caktuara të ultësirës perëndimore.
Ministri Gjana tha se një pjesë e pronarëve të tokave janë të angazhuar në aktivitete bujqësore që janë më fitimprurëse, dhe një pjesë preferojnë që tokat e tyre t'i vënë në procesin e shitjes që kompanitë e ndërtimit, kompanitë e industrialistëve, investitorëve, synojnë t'i marrin për të investuar.
Sipas tij, janë bërë përpjekje për të mos shkuar në një zgjidhje ligjore lidhur me pronarët e tokave bujqësore, që i lënë të pashfrytëzuara.
"Kemi gjykuar që më oportuniste është të përdoret praktika që nuk e heq të drejtën e pronësisë, pra pronari mbetet përsëri pronar.
Pra edhe pronarët, që kanë vite që për një arsye ose për një tjetër i lënë sipërfaqet e pronës së tyre të pashfrytëzuara dhe kur ka grupe interesi, kur ka fermerë fqinj, kur ka individë të interesuar, që ata t'i punojnë këto sipërfaqe, me ligj i merren nën administrimin e njësisë, jo në ndryshim të pronësisë, njësia e pushtetit lokal, e cila i vë në qiradhënie për një kohë të caktuar."-, tha Gjana.
Sipas tij, ligji do të përcaktojë raportet mes komunës dhe palëve.
Ai reagoi ndaj deklaratave të opozitës se kosto e lartë e punimit të tokës, është një nga arsyet e lënies djerrë të tyre. "Kostot nuk janë më të larta në Tepelenë, sesa në minoritet, nuk janë më pak të larta në Përmet, në Mokër, nuk janë më të ulëta në Pukë dhe në Mirditë",- tha
Gjana.
Projektligji për kalimin e tokave djerrë në fondin e komunave, u publikua pak ditë më parë nga kryeministri Berisha gjatë një mbledhjeje të qeverisë.
Ai kërkoi nga Ministria e Bujqësisë të sillte brenda muajit gusht draftin për ta miratuar në qeveri dhe për ta kaluar më pas për votim në kuvend. Sipas tij, pronarët do të përfitojnë 1/10-ën e prodhimit.
Miratimi i këtij ligji ka ngjallur reagime si tek fermerët ashtu edhe tek opozita. Këto kanë deklaruar se mospunimi i tokës vjen nga kostot e larta.
Pronarët kanë deklaruar se zbatimi në terren i këtij ligji do të jetë i vështirë dhe se mund të nxisë konflikte dhe kanë kërkuar ndihmë financiare nga qeveria, si një shtysë për punimin e tokave. Ligji pritet të shkojë për shqyrtim në komisionet parlamentare, sapo të nisë punën kuvendi i ri.
Blerja e tokës nga të huajt
Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, gjatë një konference për shtyp të dhënë dje tha se me pak ndryshime në ligjin aktual të tokës, shtetasit e huaj me kombësi shqiptare mund të kenë të drejtë të blejnë toka në vendin tonë. U tha se ky është një projekt që do të trajtohet me një ekspertizë të mirë juridike. Aktualisht projektligji po hartohet nga ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë dhe është në fazat e fundit të tij. Ligji për tokën lejon shtetasit e huaj të blejnë vetëm tokë truall.