E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu: Nano i papërgjegjshëm. Berisha, i etur për pushtet

Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, rrëfen raportet e tij me Nanon dhe Berishën, pas botimit të librit të kujtimeve


TIRANË - "Fatos Nano ishte i papërgjegjshëm në detyrë, ndërsa Kryeministri Sali Berisha, i etur për pushtet". Ky është, me pak fjalë, përkufizimi që jep ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, pas hedhjes në treg të kujtimeve të tij, përmes librit "Mes Nanos dhe Berishës".


Në një intervistë për "Ora News", ish-Presidenti ndalet gjatë në komentet e tij rreth dy figurave, Nano dhe Berisha. "Nano, për mendimin tim, spikat me inteligjencën e tij, me zhvillimin e tij intelektual, por ka papërgjegjshmëri.


Dua të them që puna në politikë, si çdo punë tjetër, do t'i rrish në kokë, gjë për të cilën ai nuk dallohej, për mendimin tim. Unë nuk e di se ç'mendojnë të tjerët, po ky është gjykimi im.


Unë kam parashtruar disa gjëra në librin tim, aq sa mundesha, por dua të them, në raport me mua, gjithmonë ka qenë më i çiltër dhe asnjëherë nuk jemi atakuar ballë për ballë. Kështu nën rrogoz është tjetër punë, ballë për ballë jo.


Për mendimin tim, tek ai ka spikatur papërgjegjshmëria për kryerjen e detyrave",- tha ai. Ish-Presidenti rrëfen se gjatë kohës kur Nano ishte Kryeministër, i kishte kërkuar këtij të fundit të votëbesohej në Kuvend.


"Ka pasur një moment kur i kam thënë Fatos Nanos, shko në Parlament dhe kërko besimin e Parlamentit, në kohën kur ishte qeveria, kishte 2-3 ministra mangët, drejtoheshin me zëvendësministra.


Ai tha që s'kam pse të shkoj, se jam në rregull. Nëse ka të tjerë, që mendojnë se unë duhet të dal para Parlamentit, të kërkojnë mocion mosbesimi dhe nëse unë humbas, unë jap dorëheqjen menjëherë, të paktën unë kështu e kam shkruar edhe në libër.


Mirëpo opozita ulërinte, bërtiste, por mocion mosbesimi asnjëherë s'ka kërkuar, asnjëherë s'ka kërkuar dhe pikërisht unë këtë shpesh thosha kur bisedonim kështu me miq, se s'kuptoj, kjo opozitë kë ka kundërshtar politik: ka Partinë Socialiste apo Presidentin e Republikës, se bateritë lëshoheshin më shumë mbi mua se mbi ata që ishin",- tha ai. Moisiu flet edhe për raportin më të vështirë, që kishte pasur me Nanon në kohën kur ky fundit kishte qenë Kryeministër.


"Kam pasur disa përplasje me Nanon, por ishte një gjë, që ne përplasjet s'i bënim publike, janë bërë në zyrën time. Kam pasur edhe një rast ku ka qenë edhe zoti Pëllumbi, u përplas goxha fort me të. Unë i thashë që, shiko, jo çdo gjë që mendoni ju dhe gjykoni ju është më e mira. Prandaj na dëgjo edhe ne të tjerëve.


Këtu filloi një përplasje, pasi njihet që njerëzit ndonjëherë shumë me vështirësi e hanë kritikën. Ka qenë problemi i zgjidhjes së ministrave të rinj, kur ministritë i kishim me zëvendësministra.


Unë isha në një pozicion shumë të vështirë në atë kohë, pasi ne ishim në prag të zgjedhjeve dhe Kodi Zgjedhor ishte në përpunim e sipër. Nëse unë do të ushtroja presionin maksimal mbi të, mund të çohej në një krizë që mund të na çonte në zgjedhje të parakohshme, kur ne s'ishim gati",- tha ai


Raportet me Berishën


Ish-Presidenti shprehet se Berishën e ka njohur që në fillim të marsit të vitit 1992, ku ai ishte ministër i Mbrojtjes. Megjithatë, përplasjet mes tyre filluan shumë më vonë, kur Moisiu u zgjodh në krye të shtetit. Ai rrëfen se përplasjet u shtuan në kohën kur Berisha u zgjodh Kryeministër.


"Unë mendoja se zoti Berisha kishte nxjerrë mësime nga e kaluara dhe do të ushtronte një mënyrë tjetër të drejtimit të pushtetit, ndryshe nga ç'kishte ndodhur në të kaluarën, se vitet kishin kaluar, por edhe ngjarjet të bëjnë që të thellohesh në arsyet dhe në mangësitë e gabimet, arritjet e së kaluarës",- tha ai, duke sjellë si shembull të parë përplasjen për çështjen e kryetarit të SHISH-it, të cilin Berisha kërkonte ta fuste në varësi të Ministrisë së Brendshme.


Më pas, Moisiu vijon me kundërshtitë që ata kishin për Prokurorin e Përgjithshëm apo edhe KLD-në. Ish-Presidenti flet edhe për defektin me serioz të Berishës: "Etja për pushtet, etja për t'i vënë të gjitha në komandë.


Por demokracia është demokraci dhe demokracia ka rregulla loje, dhe po u shkelën këto rregulla loje, nuk është më demokraci",- tha ai. Moisiu shkon edhe më tej në qëndrimin e tij, teksa gjatë intervistës shprehet se Kryeministri aktual, çdo përplasje e merrte tepër personale.


I pyetur nëse përplasjet institucionale janë shndërruar në konflikte personale të jetës familjare, Moisiu u përgjigj: "Edhe kohën kur Nano ishte Kryeministër, përplasje ballë për ballë me mua ai nuk bënte, as në media, por punonte më shumë nën rrogoz. Ndërsa Kryeministri Berisha, përplasjet i shtrinte në të gjitha sferat.


Është i njohur presioni që bëri ai, sa falimentoi "Albatros", ishte një kompani e nipave të mi, vetëm e vetëm për të bërë presion ndaj meje, që të firmosja dekretin për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, gjëra që jo vetëm nuk janë serioze, por të bëjnë për të ardhur keq shumë, që në një shtet demokrat dhe evropian të ndodhin presione të tilla ndaj kryetarit të shtetit dhe gjëra të tjera".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›