Fundjava kulturore në Tiranë, mbetet i vakët frekuentimi
Megjithëse stina e aktiviteteve kulturore, artistike e teatrale ka filluar, kryeqyteti vijon të jetë i vakët në frekuentimin e tyre. Në institucionet më të rëndësishme të kulturës, si Teatri Kombëtar, ai i Operas dhe Baletit, Galeria e Arteve, apo edhe kinematë e Tiranës, janë zhvilluar dhe po vijojnë të vihen në skenë e të shfaqen për qytetarët vepra të ndryshme.
Më e fundit e luajtur në skenën e teatrit Kombëtar është shfaqja "Striptiz", e autorit polak Sllavomir Mrozhek, me regji të Arbër Jakllarit, dhe e vënë në skenë nga aktorët Neritan Licaj, e Alert Vasili. Ndërkohë në një prej kinemave të Tiranës është shfaqur filmi "Azem Galica", një nga prodhimet shqiptare të muajve të fundit. Gjithashtu në Galerinë e Arteve vijon të jetë e hapur ekspozita nga Gjelosh Gjokaj me titullin "Shejza", që do të qëndrojë deri në muajin mars, duke u pasuar nga një tjetër ekspozitë personale e autorit Gazmend Leka.
Por nuk mbetet pas as Teatri i Operas dhe Baletit me vënien në skenë të premierës "Gjak dhe Dritë", të njërit prej piktorëve më të njohur italianë të periudhës baroke, Caravaxhio, e interpretuar nga Toni Candelero. Këto e të tjera shfaqje të vëna në skenën e teatrove publike e private e të kinemave, janë disa prej mënyrave më të cilat gjejnë argëtim kryeqytetasit në fundjavë.
Por ajo që bie është mungesa e interesimit nga qytetarët, dhe nga biletat e shitura që nuk shkojnë më shumë se gjysma e kapacitetit të këtyre institucioneve artistike. Megjithatë tashmë stina e kulturës ka nisur, e në vijim pritet të vihen në skenë një seri veprash artistike të gjinive të larmishme.