E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundjava popullon plazhet e Vlores

Fundjava popullon plazhet në qytetin e Vlorës me pushues të ardhur nga qytete të ndryshme. Por vetë ata që zgjedhin plazhet në Vlorë për pushime nxjerrin në pah edhe problemet. Situata në plazhet publike në qytetin e Vlorës nuk është përmirësuar. duke pasur parasysh se prej javësh është ngritur çështja e ndotjes së rërës. Një nga plazhet problematike është ai te Shkolla e Marinës, i ndotur nga derdhja e ujërave të zeza. Sikundër shpesh kemi pasqyruar, ky plazh u ndot thellësisht në fillim të muajit maj nga hedhja e rërës së ndotur në gjithë këtë vijë bregdetare. Vetë qytetarët dëshmojnë se ndotja vijon edhe në det nga anijet e ndryshme. Sipas qytetarëve vlonjatë dhe pushuesve të ndryshëm, situata është lënë me qëllim në këtë gjendje, dhe ndotja po ashtu është bërë e qëllimshme, që Bashkia e Vlorës të krijojë favore për plazhet private të lejuara prej saj.

Plazhi te Shkolla e Marinës, e jo vetëm ai, vijon të jetë nga më të ndoturit buzë Jonit. Bashkia e Vlorës nuk ka marrë asnjë masë për vendosjen e shiritit të verdhë, për të ndaluar frekuentimin e kësaj zone.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›