E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turistet maqedonas drejt Shqiperise

Javën e fundit është rritur ndjeshëm numri i shtetasve maqedonas të interesuar për të pushuar në Shqipëri dhe është ulur ndjeshëm ai i pushuesve në Greqi. Sipas përfaqësuesve të agjencive turistike në Shkup, shkak për këtë rënie është vendimii doganave greke për të vendosur një mbishkrim mbi targat e veturave nga Maqedonia, ku sqarohet se Greqia e ka njohur Maqedoninë me shkurtesën FYROM. Pas këtij vendimi të doganave greke shumica e turisteve maqedoans tyre pritet të riorientohen në Vlorë, Sarandë dhe Dhërmi, pasi ata preferojnë jugun e Shqipërisë për të pushuar. Ndërkohë burime nga Oda Ekonomike e Maqedonisë veriperëndimore, kanë njoftuar për ABCNeës se prej mesit të muajit maj deri tani Shqipërinë e kanë vizituar 100 deri 120 mijë turistë nga Maqedonia. Fluksi i parë i turistëve është vërejtur në pjesën e dytë të majit, kur shumica e shkollave fillore dhe të mesme kanë vendosur që ekskursionet e tyre t’i zhvillojnë në bregdetin shqiptar. Ekskursionet në Shqipëri kryesisht i kanë zhvilluar nxënësit shqiptar nga Maqedonia, mirëpo sivjet për herë të parë ekskursione në Shqipëri kanë zhvilluar edhe shkolla ku mësojnë nxënës maqedonas. Shkak janë çmimet më të ulëta që i ofrojnë hotelet në bregdetin e Shqipërisë. Si rezultat i këtyre çmimeve ekskursionet në bregdetin shqiptar kushtojnë më lirë madje se ekskursionet në Ohër dhe Strugë. Fluksi i dytë është vërejtur pas rritjes se madhe të temperaturave, që në Maqedoni kanë shkuar edhe deri 39 gradë. Mirëpo fluks i vërtetë i turistëve nga Maqedonia në Shqipëri pritet gjatë muajve korrik dhe gusht. Përveç interesimit të shtuar për kalim të pushimeve në Shqipëri, dy vitet e fundit është shumëfishuar edhe interesimi i qytetarëve nga Maqedonia për të blerë pasuri të patundshme në bregdetin shqiptar. Në agjencitë që merren me shitje të pronave te paluajtshme, apartamentet në bregdetin e Shqipërisë reklamohen si valutë më e sigurtë për të investuar kursimet. Përfaqësues të agjencive thonë se përveç shqiptarëve nga Maqedonia gjithnjë e më i madh është edhe numri i maqedonasve që blejnë prona në Shqipëri. Ata shtojnë se ky numër do të jetë edhe më i madh nëse edhe për maqedonasit ofrohen lehtësimet për blerje të pronave te paluajtshme në Shqipëri, siç vlejnë për shqiptarët nga Maqedonia dhe mbarë bota.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›