Fundjavat e deputetëve Leonard Solis dhe Hamit Kosta
Edhe se nuk është mbyllur akoma ky sezon parlamentar, pasi dihet se punimet mbyllen në fund të korrikut, duket se disa deputetë përfitojnë nga fundjavat për t’u freskuar në det apo pishina. Kësaj here paparaci ynë ka fiksuar dy syresh, deputetin e PBDNJ dhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Leonard Solis, dhe deputetin e PDK-së Hamit Kosta. Solis së bashku me bashkëshorten dhe të bijën janë parë disa ditë më parë tek kompleksi “Mai Tai”, ku mesa duket më shumë se për të bërë plazh, kishin ardhur për të parë nëse ishte ndonjë vend që ia vlen për të kaluar fundjavat meqë kompleksi është i ri dhe jo shumë i njohur. Ndërsa deputeti Kosta është fotografuar me vajzën e tij 10- muajshe Helda, të cilën ai e ka pikë të dobët.