E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundjave me gola shqiptaresh neper ekipet e Europes

Ka qenë një fundjavë golash për legjionarët tanë në Europë.

Ndonëse perëndimi nuk solli ndonjë rrjetë të tundur nga Bogdani, flamurin e mbajti lart i përhershmi Hamdi Salihi, por edhe shqiptari nga Kosova, Ahmed Januzi që luan në Ukrainë për Vorsklën e Poltavës.

Salihi i shtoi edhe një tjetër gol koleksionit të tij të pasur, që ka 14 gola këtë sezon vetëm në kampionat. Në të vërtetë, shkodrani realizoi një nga golat më të lehtë të mundshëm, atë nga pika e 11-metërshit në barazimin 3-3 të Rapidit të Vjenës në fushën e Shturmit të Gracit.

Një rezultat që nuk i bëri shumë punë vjenezëve, por një gol më shumë për Salihin dhe i pari në kampionat nga pika e bardhë, pasi 13 të tjerët i kishte shënuar në aksion e sipër.

Januzi ndoshta po i dërgon paralajmërimet e tij trajnerit të Shqipërisë, Josip Kuzhe. Kosovari, edhe ai sulmues, realizoi dy gola në fitoren 4-0 të Vorsklës së Poltavës ndaj Sevastopolit, duke e dërrmuar paq ekipin e portit të madh dhe të dëgjuar ukrainas.

Me këtë fitore, Vorskla mban veten në mesin e tabelës së kampionatit të Ukrainës me 28 pikë pas 23 ndeshjeve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›