Fundoset një anije me rreth 600 udhëtarë
Të paktën 51 persona kanë gjetur vdekjen kur një anije me rreth 600 udhëtarë është fundosur në arkipelagun Zanzibar në Tanzani, njoftuan të shtunën autoritetet vendore, sipas të cilave në këtë aksident kanë mbijetuar 250 persona.
“Tash për tash e dimë se 250 persona kanë mbijetuar nga fundosja, përfshirë 20 fëmijë. Operacioni i shpëtimit ka hasur në probleme për shkak të mungesës së pajisjeve”, ka thënë zyrtari lokal Isa Gavu.
Radio stacioni privat Kapital ka bërë të ditur se 51 persona kanë vdekur dhe janë lënduar 269 të tjerë, por ky bilanc nuk është definitiv.
Anija “Spice Island” po lundronte ndërmjet ishujve Unguj dhe
Pemba, dy nga tre ishujt e arkipelagut Zanzibar, krahinë gjysmautonome e Tanzanisë në Oqeanin Indian.
Anija ishte nisur në ora 21.00 sipas kohës lokale nga Unguj dhe është fundosur katër orë më vonë.
Sipas hetimeve të para dyshohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të numrit më të madh të udhëtarëve se sa që është e lejuar. Zyrtarët thonë se nuk dihet numri i saktë i udhëtarëve për shkak të sistemit të dobët të regjistrimit të tyre.