E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipti në gjendje të jashtëzakonshme

Nga Express më 10 shtator 2011 në ora 12:22

Autoritetet egjiptiane kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas protestave në rrugët e Kajros, të cilat pasuan sulmin në ambasadën e Izraelit. Forcat e sigurisë kanë ndërhyrë kundër protestuesve me gaz lotsjellës, të cilët janë kundërpërgjigjur me gurë. Me këtë rast janë lënduar qindra persona.

Këshilli ushtarak qeveritar në Egjipt do të takohet të shtunën pasdite për të diskutuar lidhur me situatën, ndërkohë që Izraeli ka tërhequr ambasadorin dhe stafin tjetër diplomatik.

Zyrtarët thonë se protestuesit gjatë natës së kaluar kanë hyrë dhunshëm në ambasadën izraelite, nga e cila kanë hedhur dokumente.

Qindra protestues kanë qëndruar para ambasadës deri vonë, duke djegur goma në rrugë dhe duke thirrur slogane kundër udhëheqësve ushtarakë egjiptianë. Gjatë protestave janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri.

Mediat shtetërore egjiptiane raportojnë se 448 persona janë lënduar në protestat e natës së kaluar.

Trazirat filluan kur mijëra protestues u mblodhën në sheshin “Tahrir” të Kajros, duke kërkuar përshpejtimin e reformave politike, pas largimit nga pushtetit të ish-presidentit Hosni Mubarak në shkurt.

Qindra protestues ndërkaq kanë marshuar drejt ambasadës së Izraelit, të cilët kaluan murin e sigurisë përreth ndërtesës para se një grup prej 30 vetash theu hyrjen e ambasadës dhe hodhi dokumente jashtë dritareve.

Izraeli ka njoftuar se 80 persona – stafi i ambasadës, përfshirë edhe ambasadorin dhe familjet e tyre janë tërhequr në Izrael, ndërsa konsulli i izraelit në Kajro mbetet si ushtrues detyre i ambasadorit.

Mediat e huaja raportojnë se protestuesit dëshirojnë mbylljen e ambasadës.

Ndjenja anti-izraelite në Egjipt ka filluar të shprehet pas vrasjes së 18 gushtit të pesë policëve egjiptianë në kufirin me Izraelin. Kajro e ka quajtur vrasjen e policëve si të papritur, por Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë.

Incidenti i fundit shënon eskalim të tensioneve ndërmjet Izraelit dhe Egjiptit dhe testim të marrëveshjes 30-vjeçare të paqes ndërmjet dy vendeve, pas largimit të liderit egjiptian Hosni Mubarak.

Gjatë regjimit të Mubarak lidhjet ndërmjet dy vendeve ishin stabile, pas një historie të konfliktit. Por, largimi i tij ka nxitur drojën në mesin e zyrtarëve izraelitë se një qeveri më pak e “dëgjueshme” do të marrë pushtetin në Kajro.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›