Nderohen viktimat e sulmeve terroriste në SHBA

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me një minutë heshtjeje ka nderuar viktimat e sulmeve terroriste në SHBA, më 11 shtator.
Ambasadorja amerikane pranë Kombeve të Bashkuara, Suzan Rajs, ka thënë se dhjetë vjet pas këtyre sulmeve është arritur progres i rëndësishëm në mbrojtje nga rrjeti terrorist Al Kaida.
Ajo është zotuar se SHBA-të me vendet tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara do të vazhdojnë luftën kundër terrorizmit, për të mposhtur Al Kaidën, e cila organizoi sulmet në Nju Jork dhe Uashington.
Kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Xhozef Dejs është shprehur se është e domosdoshme përforcimi i përpjekjeve për të mposhtur terrorizmin.
“Terroristët vazhdojnë me sulmet e veta. Ne duhet pa shtyrje që të shtojmë përpjekjet për t’iu kundërvënë terrorizmit”, ka thënë Dejs.
Këshilli i Sigurimit, po ashtu, ka nderuar viktimat e sulmeve në SHBA, duke theksuar se bëhet fjalë për një akt të shëmtuar dhe ka përsëritur se terrorizmi është njëri prej kërcënimeve më të mëdha të paqes në botë.
Në sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Qendrën tregtare botërore në Nju Jork dhe caqet tjera në SHBA, kanë vdekur rreth tre mijë persona. Pas kësaj SHBA-të kanë nisur luftën në Irak dhe Afganistan me qëllim të mposhtjes së terrorizmit.