Vrasja e Selimit, hetimi në pistat e narkotrafikut
Hetimet për vrasjen e Arjan Selimit janë shtrirë në tri pista kryesore nga ana e grupit hetimor që po merret me zbardhjen e kësaj çështjeje. Pista e parë ku hetuesit kanë përqendruar energjitë e tyre ka lidhje, në fakt, me zinxhirin e vrasjeve që kanë ndodhur në kryeqytet në dy vitet e fundit. Policia po heton mbi lidhjet shoqërore dhe të biznesit të 37-vjeçarit Selimi me persona të caktuar në Tiranë, që prej vitesh kanë përplasje të vjetra me grupe rivale të narkotrafikut. Policia dyshon se kjo vrasje mund të jetë pjesë e zinxhirit të larjes së hesapeve mes grupeve të vjetra të narkotrafikut në Tiranë, duke hetuar disa lidhje shoqërore të Selimit, të cilat i ka krijuar gjatë kohës që ishte në burg, me persona që dyshohen si të përfshirë në zinxhirin e vrasjeve të ndodhura dy vitet e fundit në Tiranë. Një tjetër pistë e cila po hetohet nga policia është ajo e mosmarrëveshjeve të mundshme me bashkëortakë në biznese të rregullta, në të cilat Selimi ka qenë aksionar dhe pjesëmarrës. Aktualisht hetuesit, në pamundësi për të rënë në gjurmë konkrete të ekzekutorëve, janë duke “filtruar” lëvizjet e disa personave të dyshuar si vrasës të mundshëm në ditën dhe orarin e ngjarjes. Ende nuk kanë dalë rezultatet e analizave balistike të gëzhojave të kallashnikovit, të gjetura në vendngjarje, të cilat policia do i krahasojë me vrasjet ose plagosjet e mëparshme, ndërsa hetimi aktualisht është përqendruar tërësisht në punë operative, për shkak se ekzekutorët kanë humbur gjurmët dhe vrasja mendohet e porositur. Anëtarë të grupit hetimor kanë pohuar për MAPO-n se pista më kryesore në të cilën janë përqendruar hetuesit është ajo që lidhet me nëntokën e narkotrafikut të kryeqytetit dhe me lidhjet shoqërore të krijuara dhe ndërtuara që në kohën kur ishte në burg, nga ana e Arjan Selimit. Deri në këto momente marrja në pyetje e të afërmve dhe miqve të Selimit nga ana e hetuesve nuk ka nxjerrë asgjë në dritë, por efektivët e antidrogës e kanë mbajtur nën vëzhgim Selimin që pas daljes së tij nga burgu dhe që prej një viti policia ka qenë në dijeni të njohjeve të Selimit me persona të cilët dyshohen si të implikuar në disa ngjarje të ndodhura në Tiranë. Selimi nga ana e tij duket se ka respektuar në maksimum kërkesën e gjykatës për “arrest në shtëpi” dhe nga verifikimet rezulton se ai më të shumtën e kohës qëndronte në lokalin poshtë apartamentit të tij dhe miqtë e vet zakonisht shkonin pikërisht në këtë lokal kur e takonin. Natën e vrasjes Selimi ka spikatur një person që i është dukur i dyshimtë dhe për të cilin mendonte se po e vëzhgonte dhe ndonëse ka qenë i paarmatosur i ka rendur nga prapa, duke e ndjekur me vrap për disa sekonda, deri sa e gjeti veten nën breshërinë e kallashnikovit të shkrepur nga vrasësit e tij. Policia e Tiranës ka shoqëruar gjithsej mbi 20 persona, të cilët mendohet se mund të kenë ndonjë dijeni për çështjen, por asnjë e dhënë apo indicie konkrete nuk ka dalë nga hetimi. Aktualisht ekspertët kriminalë janë duke pritur disa të dhëna laboratorike që po kryhen mbi gëzhojat e gjetura në vendngjarje, si një mundësi për rënien në gjurmët e ekzekutorëve të Selimit.
H.Hasani