Funksionarë apo pronarë?
Në takime direkte me qytetarët, apo përmes intervistave në televizion, dëgjon ankesa pa fund për administratën, për nëpunësit e shtetit dhe veçanërisht për politikanët… Pavarësisht zmadhimeve subjektive apo gjykimeve të nxituara në ndonjë rast, një gjë është e vërtetë dhe duhet vlerësuar seriozisht. Politikanët, nëpunësit e administratës publike në nivele qendrore dhe lokale, shfaqin në marrëdhënie me qytetarin dhe në përgjithësi me publikun, sindromën e vjetër të funksionarizmit dhe burokratizmit.
Ka ardhur koha për të ndryshuar kulturën dhe sjelljen e nëpunësve të shtetit, të administratës publike që paguhen vetëm për të zgjidhur problemet e qytetarëve, me kulturë, me edukatë civile dhe sipas ligjeve të shtetit. Ata që mbajnë pushtetin në çdo nivel nuk janë pronarë, por funksionarë të tij. Kjo është kuintesenca e kulturës moderne të nëpunësit, në çdo hallkë të shtetit, të politikës dhe administratës.
Në studimet e veta të shkëlqyera socio-psikologu gjermano-amerikan, Eric Fromm, e konsideron karakterin e nëpunësit burokrat, edhe si shprehje elokuente të natyrës sado-mazohiste të tij. Me fjalë të tjera, nëpunësi përtac, dembel, i paaftë, që zvarrit problemet dhe subjektivisht vështirëson zgjidhjet, në jo pak raste e bën këtë pa vrarje të ndërgjegjes, me qëllime korruptive, po se po, por edhe në kushte të veçanta, për të kënaqur ndjenjat perversive personale, për t’i bërë njerëzit të mundohen, të vuajnë… Pavarësisht se këtë qëndrim e mban nga motive politike apo psikologjike, dëmi është shumë i madh dhe mundimet e qytetarëve në marrëdhënie me këta nëpunës janë të shumta.
Këtë realitet e ndeshim edhe ne në çdo hallkë të administratës publike, në mjekësi, në gjyqësor, në strukturat e shërbimit publik. Kudo ku ka nëpunës, natyrshëm që do të ketë edhe burokraci dhe burokratizëm, që shfaqet në “natyrën dubël” të nëpunësit, në formën e sëmundjes së “funksionarizmit”. Megjithëse “sëmundje” e vjetër, e njohur e punonjësit të administratës publike edhe në sistemin e kaluar, kam përshtypjen se tani është bërë më masive, e përhapur, me pasoja më të thella, në kohën e demokracisë.
Natyra e funksionarit të burokratizuar është komplekse në relacionet me eprorët dhe qytetarët. Nga njëra anë për shkak të kompetencave të gjëra, të plota vendimmarrëse që kanë eprorët, ndihet një lulëzim i natyrës servile të disa punonjësve në administratën shtetërore, si mjet për t’u mbrojtur përballë prerogativave, gati të pakufizuara, të deformuara në raportin epror-vartës. Adhurimi i eprorëve dhe përçmimi apo nënvleftësimi i vartësve, është një nga sindromat e qëndrimit të burokratëve të demokracisë, të cilët, nuk kanë ndonjë ndryshim shumë të madh me ata të sistemit të kaluar. Nuk është normale që shumë drejtues e konsiderojnë burimin e autoritetit të tyre në vartësi të “intensitetit të frikës” që u shtinë vartësve, nga njëra anë dhe madhësia e adhurimit për eprorët nga ana tjetër.
Nga ana tjetër, në shumë sektorë të jetës së përditshme shfaqen nëpunësit e “nivelit të dytë “ me sjellje dhe veprime bezdisëse ndaj qytetarëve. Ti pret të vizitohesh tek mjeku, ndërsa ai qëndron për gati një orë në kafe, shkon në administratë dhe nuk të përfillin për të të zgjidhur problemin që u takon, shkelet rendi dhe polici bën sehir, deputeti pasi zgjidhet e ka bezdi të dëgjojë “hallet e elektoratit”, apo të denjojë të presë qytetarin në nevojë.
Mentaliteti, mbizotërues është që detyra është privilegj personal. Nëse do të bënim një testim për të diktuar se cilat janë format e shfaqjes së “sëmundjes së funksionarëve” me siguri që qytetarët do të sillnin me qindra mënyra të shfaqjes së saj. Qytetarët tanë shpesh nuk mërziten aq shumë me mungesën e mundësive për të zgjidhur shumë halle dhe probleme, që janë të lidhura me mundësitë e diferencuara materiale apo financiare. Ata janë të mërzitur sepse shtetarët dhe nëpunësit e shtetit, jo vetëm që nuk kanë prirjen të zgjidhin problemet në përputhje me ligjet e shtetit dhe kompetencat e detyrës, por janë aq përtacë dhe të neveritshëm, saqë më shumë ngjajnë me sadistë, që kënaqen kur i bëjnë të tjerët të vuajnë. Ata nuk e meritojnë besimin e publikut dhe për më tepër ata nuk e kuptojnë detyrën e tyre.
Kohët e fundit kjo mungesë korrektese administrative në takimet dhe kontaktet me qytetarin, që fillon nga zyrat e gjendjes civile, në shërbimet ambulatore e spitalore, në zyrat e pushtetit vendor, në hipotekë, në zyrat e kthimit të pronave, kudo, është shtuar.
Madje, tani ka filluar të shfaqet edhe një tipologji tjetër e “sëmundjes së funksionarit”. Është fjala për një kategori tjetër nëpunësish, të cilët në pamje të parë shfaqen të kujdesshëm, të interesuar, të sjellshëm, por që në thelb e mbajnë këtë qëndrim ose nga paaftësia profesionale, ose të nisur nga parimi i përcjelljes me butësi, por pa i kryer punë që kërkon angazhim personal, kokëçarje dhe përgjegjësi funksionale. Si të thuash, tipa qejfpaprishur, e punëpabitisur. Nuanca kryesore e këtyre tipave është sjellja e butë në pamje dhe “mashtrimi” i qytetarit në thelb, duke i nxjerrë sërish si në kategorinë e sipërcituar, pengesa dhe vështirësi artificiale.
Ka ardhur koha që të përcaktohen kritere të qarta dhe të kontrollohet më shumë aftësia, sjellja e punonjësve të administratës nga qytetarët. Ata nuk mund të qëndrojnë indiferentë përballë nëpunësve që jetojnë dhe paguhen, jo për t’u bërë pronarë të administratës, por shërbëtorë të qytetarit. Nuk ka pse të pajtohemi me një realitet që e kemi në dorë, që e ka shteti, organet e kontrollit dhe mbi të gjitha qytetarët dhe shoqëria civile, e cila ende nuk po e thotë fjalën e saj.
Shoqëria civile është instrument i fortë për forcimin e disiplinës, të ndërgjegjes dhe përgjegjësisë së punonjësit publik. Ajo e ka për detyrë të ngrejë zërin për çdo sjellje të shëmtuar, për çdo zvarritje dhe qëndrim antiqytetar. Njerëzit e pushtetshëm të politikës dhe punonjësit e administratës publike kanë pushtet, jo për të mërzitur njerëzit. Përtacia, sjelljet pa qytetari, veprimet e burokratizuara të nëpunësve po i rritin artificialisht dozat e mërzisë sociale në kategori gjithnjë e më të gjëra të qytetarëve tanë… Kush i kontrollon funksionarët e sëmurë, ku sillen si kapadainj me qytetarin e pambrojtur… në emër të shtetit?