Disa probleme të brezit të vjetër dhe të ri të politikanëve
Mendoj se në ndërgjegjen e brezit të vjetër politik, ashtu si në ndërgjegjen e shumë shqiptarëve, identiteti kombëtar është i dobët. Lidhja e tyre afektive me këtë vend është e dobët. Në politikë kanë depërtuar kryesisht njerëz pa prona e pa katandi dhe kanë shfrytëzuar mundësinë e vendimmarrjes politike për pasurim vetjak. Kjo është fare e dukshme.
Tek brezi i ri i politikanëve ka probleme të tjera, ndoshta jo kaq të rënda, por që gjithsesi lenë mundësi për kompromis me të vjetrën dhe për stanjacion të zhvillimit të vendit. Edhe këta kanë mungesë afeksioni për Shqipërinë. Shohin të shëmtuarën dhe të përbuzshmen tek ajo, dhe jo shpresën për zhvillim dhe të bukurën aty ku është. (sepse sigurisht që është).
Disi problematik e shoh dhe nivelin e klasës së re politike. Disa prej tyre janë të papërshtatshëm, mendoj, për shkak të mungesës së arsimimit të duhur, disa të tjerë janë menaxherë të zotë, por njerëz të dështuar në aspektin familjar apo shoqëror.
Nuk kam gjë personale, por më duket pak e tepruar që një kryetar partie të ketë qenë mundës apo shtangist, fjala që bie. Edhe qenia kryeministër e një doktori, është pak si luks për një vend që ka kaq shumë probleme me ekonominë dhe ligjin. Ekonomistët dhe juristët duhet të ishin në atë post, së paku deri në rimëkëmbjen e vendit.