E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fuqia e “Kamorrës”

Policia ka bërë 50 arrestime nga anëtarë të Kamorrës. Me temperaturat e verës në rritje në Napoli në jug të Italisë, kriza mbi mijëra tonë plehra të pambledhura po përkeqësohet.

Zyrtarisht, vlerësohet se janë 50 mijë tonë mbetje në rajonin e Kampanias dhe 5 mijë tonë në rrugët e qytetit.

Banorë të zemëruar fajësojnë qeverinë dhe bandat kriminale të Kamorrës.

Por si funksionon Kamorra? Dhe pse qeveria duket e pafuqishme?

Kler Longrig është një zë autoritar mbi mafian napoletane, Kamorra:

"Kamorra kontrollon gjithë trafikun që lëviz në portin e Napolit, të gjitha bizneset e paligjshme dhe të palejueshme që lëvizin jo vetëm në qendrën e Napolit, por edhe rrotull. Nëpërmjet kontakteve të Kamorrës në këshillat e qytetit dhe ato lokale, në ekipe operuese dhe administrative, ata kanë marrë kontrollin e kontratave për hedhje të mbeturinave, pra ata kanë kontroll të plotë të jetës ekonomike të qytetit."

Kontrolli që Kamorra ka mbi biznesin e mbeturinave do të thotë planifikim i dobët bashkiak dhe rregulla të dobëta.

Vendet ku hidhen plehrat janë mbushur plot, jo vetëm me mbeturina lokale, por edhe mbeturina të importuara nga pjesë të tjera të Italisë.

Disa nga këto mbetje kanë qenë toksike si frigoriferë të vjetër dhe mbetje industriale të patrajtuara, por të hedhura aty pa leje.

Numri i personave që vuajnë nga kanceri në Napoli është rritur ndjeshëm.

Dhe një proces gjyqësor për lidhjet midis politikanëve dhe Kamorrës nuk ka pasur fillim të mirë kur një prej dëshmitarëve kryesorë, Mishel Orsi, u qëllua për vdekje në një bar.

Pra, cilët janë këta persona që kanë kaq shumë pushtet në një qytet evropian modern?

"Është një lloj federate e përbërë nga familje të ndryshme. Disa janë më të fuqishme se të tjerat. Disa janë në rritje dhe grinden e formojnë aleanca të ndryshme. Por, njerëzit që drejtojnë këto familje janë karizmatikë, ashtu si edhe drejtuesit e kulteve. Luixhi Xhuliani dhe bashkëshortja e tij kanë drejtuar pjesën qendrore të Forçelës dhe ne shkuam në një prej dasmave të tyre. Yjet vendase ishin të ftuar. Ata janë shumë të famshëm dhe kanë pasuri të jashtëzakonshme", - thotë Kler Longrig.

Po çfarë roli luajnë gratë? - e pyetëm Kler Longrig.

"Gratë në Kamorra luajnë rol shumë të rëndësishëm, po t'i krahasosh me mafiat e tjera italiane. Gratë në Napoli prej kohësh kanë qenë më të emancipuara. Vetëm ato janë përgjegjëse për huazim parash, por edhe për drejtimin e kontrabandës së drogës dhe pastrim të parave. Pupeta Mareska, p.sh., ishte një grua e jashtëzakonshme që mori drejtimin nga i shoqi, kur ky i fundit u vra. Ajo ishte vetëm 18 vjeç. Mbaj mend ishte vetëm disa vjet më parë kur dy makina të mbushura me gra nga familje kundërshtare shkuan në një takim që përfundoi duke qëlluar njëra-tjetrën. Dy makina të mbushura me gra të vdekura".

Kriza në Napoli është tipike e kohëve tona. Rrënjët e Kamorrës megjithatë janë të vjetra sa edhe vetë qyteti. Një nga ata që e kuptojnë shumë mirë Napolin është shkrimtari Piter Rob.

"Mendoj se kushtet për të e kanë prejardhjen larg, që nga perandoria romake dhe treguesit e parë në fillim të rilindjes, por Kamorra është diçka spanjolle".

Mbretërit spanjollë morën zotërimin e Napolit në fillim të 1500-ës dhe sunduan për më shumë se 200 vjet.

Ata sollën me vete krimin e rrugës së Seviljes. Ata sollën gjithashtu, - thotë Piter Rob - edhe ligjshmërinë politike që shohim sot:

"Sunduesit spanjollë ishin gjithmonë të kënaqur që të linin njerëzit të vetorganizoheshin. Ata nuk ishin aspak të interesuar për mirëqenien e popullsisë vendase dhe kështu filloi të ekzistonte një bashkekzistencë midis pushtetit sundues dhe këtij pushteti kriminal vendas e filloi të rritej dhe dominoi periferi dhe lagjet e vjetra të Napolit dhe që nga ajo kohë, ajo ka mbetur. Ka korrupsion të tmerrshëm politik dhe lënie pas dore dhe është në këto kushte që po lulëzon edhe pushteti kriminal".

Kur Napoli u trondit nga tërmeti i vitit 1980, Kamorra shfrytëzoi rastin. Piter Rob thotë: "Qeveria italiane futi miliarda për rindërtim dhe Kamorra mundi të futet në mënyrë shumë të gjerë dhe në kontratat qeveritare. Ndërtimet dhe materialet e ndërtimit janë tashmë pjesë e rëndësishme e biznesit të Kamorrës. Në të njëjtën kohë, atje filloi të lulëzonte dhe trafikimi i drogës së botës. Heroina arriti në Itali dhe më pas edhe kokaina nga Amerika Jugore".

Bandat e rrugës së Napolit ishin tani në të njëjtin nivel me fqinjët e tyre të famshëm përtej ngushticës së Mesinës, Koza Nostrës tradicionale në zemër të Sicilisë.

Një studim i kohëve të fundit nga një shoqatë italiane, vlerësoi se Kamorra vitin e kaluar kishte vlerë afro 23 miliardë dollarë që është në përgjithësi GDP-ja e Libanit.

Gratë në Kamorra luajnë rol shumë të rëndësishëm, po t'i krahasosh me mafiat e tjera italiane.

Ana Gilmur ka ndjekur nga afër mënyrën se si Kamorra është shtrirë në një rrjet krimi të gjerë botëror me të ardhura të krahasueshme me ato të një vendi të vogël.

"Kamorra është shumë e lidhur me organizata të tjera. P.sh. për sa i përket heroinës, ajo mund të ketë marrëdhënie me shqiptarët, këta të fundit kanë lidhje me grupet turke e këta të fundit kanë lidhje me rrjete që lëvizin nga Afganistani dhe Pakistani. E njëjta gjë edhe për kokainën. Kamorra ka pasur mundësi të forcojë lidhjet me grupet spanjolle dhe kolumbiane që operojnë tregtinë e kokainës nga vendet prodhuese në Ande nëpërmjet Brazilit ose Karaibeve për në Afrikën Perëndimore dhe më pas në Evropë".

Kamorra mund të jetë tani një lojtar ndërkombëtar. Por për Piter Rob, ajo është ende problem italian kaq i thellë, kaq kompleks, saqë shkon në zemër të çdo gjëje italiane:

"Çështja e korrupsionit në Itali që është në thelb të kësaj, është kaq e thellë dhe vazhdon në kaq shumë shtresa, saqë unë nuk e di se ku mund të fillojë dikush punën".

Ndërkohë, 70 milionë eurot e nevojshme për të përfunduar gjithë punën në Napoli janë ngrirë si pjesë e një hetimi në të cilin është përfshirë dhe guvernatori rajonal, Antonio Basolino.

Në Napoli, policia ka arrestuar rreth 50 vetë që thuhet se janë të Kamorrës dhe më shumë se 20 zyrtarë janë nën hetim, pasi në mënyrë të paligjshme kanë shitur mbetje në vend që t'i pastrojnë.

Për napoletanët, shërimi nga këto probleme duket më larg se kurrë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›