E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misioni i vështirë i z. Biberaj

Shefi i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE-së, njëherazi edhe zëvendëspresident i kësaj organizate, Alekasandër Biberaj, është caktuar nga Asambleja Parlamentare e kësaj organizate të drejtojë hetimin e krimeve të Stalinit në Ukrainë dhe vendet e tjera te ish-Bashkimit Sovjetik. Natyrisht që çdo shqiptar duhet të ndihet mirë për këtë zhvillim dhe personalisht i uroj sukses mikut tim, Aleksandër Biberaj. Mirëpo, mendoj se një sipërmarrje si kjo, përveç nderit dhe privilegjit, ka të veçantë dhe të rëndësishme edhe përgjegjësinë.

Zgjedhja për të drejtuar hetimin e këtij krimi të një deputeti nga një ish-vend komunist duket se ka qenë një vendim i peshuar mirë i KE-së. Diktatura shqiptare dhe krimet e saj janë identike me ato të Stalinit në ish-Bashkimin Sovjetik, gjë që i jep mundësinë z. Biberaj të kuptojë dhe të hetojë sa më mirë masakrat komuniste në Ukrainë dhe vendet e tjera ku do të shtrihet ky hetim.

Mirëpo, nëse zoti Biberaj arin të kuptojë se deri ku kanë shkuar krimet e komunizmit falë përvojës shqiptare, nuk besoj se e ka një gjë të tillë për mënyrën se si duhet të denoncohen e të ndëshkohen këto krime.

Shqipëria është vendi ish-komunist që u afrohet më shumë se kushdo nga vendet e ish-bllokut komunist, krimeve të Stalinit në ish-Bashkimin Sovjetik. Shqipëria është gjithashtu vendi që i bashkëngjitet ish-Bashkimit Sovjetik në periudhën postkomuniste, sidomos në përpjekjet, apo më mirë të themi, mospërpjekjet e klasës së saj politike për të dënuar e ndëshkuar krimet e komunizmit dhe autorët e tyre. Në këtë pikë përvoja e z. Biberaj që është ngarkuar të përgatitë edhe rezolutën përfundimtare të hetimit, lë shumë për të dëshiruar. Jam i bindur se deputeti shqiptar do të ndihet keq kur të përballet me të njëjtën natyrë, masë e egërsi të krimeve komuniste në ish-Bashkimin Sovjetik me ato të komunizmit në vendin e tij. Do të ndihet keq, sidomos për faktin se është i detyruar të hetojë madje edhe të rekomandojë ndëshkimin për këto krime në Ukrainë dhe në vende të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik pa mundur ta bëjë një gjë të tillë në vendin e tij.

Natyrisht që edhe ne shqiptarët e tjerë të papërfshirë në krimet e komunizmit duhet të ndihemi keq nga një fakt i tillë. Të gjithë ne, përfshi edhe Sandrin, mund t’i bëjmë pyetje vetes: “Po me krimet tona çfarë do të bëhet?”

Mendoj se realiteti shqiptar i krahasuar me realitetin e ish-Bashkimit Sovjetik është pa dyshim një faktor që e vështirëson misionin e madh dhe fisnik të zotit Biberaj. Deputetit shqiptar i duhet të përballet me dy realitete. Nga njëra anë, detyra për të ndëshkuar krimin komunist shumë km larg vendit të tij dhe nga ana tjetër, i duhet të kthehet në Tiranë ku do të jetë i detyruar të përballet me një realitet tjetër, atë të pamundësisë për ta bërë në vendin e tij atë që është ngarkuar të bëjë në Ukrainë. Këtu Sandrit i duhet të pranojë madje edhe te votojë ligje e dekrete që mundësojnë vazhdimësinë e pushtetit të autorëve të krimeve të komunizmit.

I duhet të votojë për gjykatës e prokurorë homologë të të cilëve ai është ngarkuar t’i hetojë dhe ndëshkojë në Ukrainë. Në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë ai do të jetë i detyruar të bashkëpunojë me drejtues institucionesh të rëndësishme shtetërore, autorë të krimeve identike për të cilat është ngarkuar t’i ndëshkojë në Ukrainë. Sinqerisht, ia qaj hallin z. Biberaj. Mendoni për një moment se sa i lehtësuar do të ishte ai sikur vendi, shteti dhe politika që ai përfaqëson, ta kishte kryer detyrën më shumë se politike të dënimit dhe ndëshkimit të krimeve politike. Por kjo nuk ka ndodhur. Autorët shqiptarë të krimeve komuniste janë në çdo qelizë të shtetit, politikës dhe shoqërisë shqiptare. Ata jo vetëm që nuk janë dënuar e ndëshkuar, por vazhdojnë të nderohen, dekorohen e gradohen çdo ditë. Institucione të sigurisë kombëtare janë mbushur me të inkriminuar të ish-policisë sekrete të komunizmit. Gjykatat, prokuroritë dhe krejt sistemi i drejtësisë janë mbushur me ish-hetues e gjyqtarë pjesëmarrës në krimet politike të diktaturës. Pra, me pak fjalë, krimi komunist në Shqipëri jo vetëm që nuk është ndëshkuar, por vazhdon të jetë fuqimisht në pushtet. Për të argumentuar vështirësinë e misionit të z. Biberaj në Ukrainë ka qindra prova dhe fakte, por mendoj se këto që përmenda janë të mjaftueshme për të krijuar një ide të qartë të atij paralelizmi midis situatës shqiptare dhe asaj të ish-Bashkimit Sovjetik që unë mendoj se e vënë në vështirësi z. Biberaj dhe misionin e tij në Ukrainë. Gjithsesi, ka vend edhe për optimizëm. Ndoshta përvoja e Ukrainës mund t’i shërbejë z. Biberaj si motivim për të iniciuar një iniciativë të ngjashme më këtë të Ukrainës edhe për krimet e komunizmit në Shqipëri, gjë që nëse nuk e ka bërë dot si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, mund ta provojë si deputet dhe zv.president i Asamblesë Parlamentare të KE-së.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›