E Diel, 1 Nëntor 2026

Teliti: Një ligj për të nxitur prindërit që të regjistrojnë fëmijët e sapolindur në gjendjen civile



-Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile tregon risitë që pritet të sjellë zbatimi i këtij ligji

Ndryshe nga më parë, prindërit do të inkurajohen për të regjistruar në kohë në gjendjen civile fëmijët e tyre të sapo ardhur në jetë.

Ligji i ri që ka kaluar të gjithë hapat e diskutimit dhe të miratimit në Komisionin e Ligjeve dhe votimin në Kuvend, ndryshe nga ai i mëparshmi, shmang ndëshkimin e prindërve, që ishin të detyruar të shkonin në gjykatë dhe të paguanin një gjobë nëse nuk regjistronin në kohë fëmijët e tyre.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme, Armand Teliti, vlerëson në një intervistë amendimet në ligjin për gjendjen civile dhe risitë që ai sjell në jetën shqiptare.

-Pse lindi nevoja për ndryshime në ligjin për regjistrimin e lindjeve dhe cilat do të jenë mekanizmat e zbatimit të tij?

-Kemi të bëjmë me një amendim të ligjit ekzistues për gjendjen civile, i vitit 2002, i cili lindi si nevojë për të lehtësuar në mënyrë maksimale regjistrimin e fëmijëve. Ky amendim i shërben edhe një sfide të madhe, siç është ajo e luftës kundër trafikimit të njerëzve. Për sa u takon mekanizmave, institucionet shëndetësore janë të detyruara të raportojnë çdo të hënë në zyrat e gjendjes civile lindjet e një jave. Në këtë mënyrë ne do të kemi një evidentim të qartë të të gjitha lindjeve që ndodhin dhe në rastet kur do të shohim që prindërit me kalimin e ditëve nuk bëjnë regjistrimin e fëmijëve, do të ketë mënyra të tjera, si aktivizimi i pushtetit lokal, i policisë për të bërë të mundur regjistrimin e këtij fëmije. Në këtë kuptim, do të kemi një ‘inventar’ të qartë, masë kjo që parandalon dhe trafikimin e fëmijëve.

-Cilat janë risitë e ligjit të ri?

-Sipas ligjit të mëparshëm, prindërit duhet të regjistronin brenda 45 ditëve fëmijën e lindur, në të kundërt, regjistrimi bëhej me procedurë gjyqësore dhe mandej ishin të detyruar të paguanin një gjobë prej 2000 lekësh. Është menduar nga Ministria e Brendshme, e cila është edhe propozuesja e këtij ndryshimi, që të kemi një ligj nxitës më tepër se ndëshkues. Kështu, me ligjin e ri kemi hequr gjykatën dhe gjobën dhe kemi zgjatur afatet e regjistrimit nga 45 në 60 ditë.

Madje, kemi vendosur dhe shpërblimin prej 5 mijë lekësh nëse prindërit regjistrojnë fëmijën brenda afatit të përcaktuar në ligj. Ky shpërblim është konsideruar si një pjesëmarrje e gjithë shoqërisë në festën familjare të lindjes së një fëmije, është një dhuratë e vogël me të cilën shoqëria shqiptare i uron mirëseardhjen në jetë një anëtari të ri të saj dhe koncepti është krejtësisht i ri, duke kaluar nga një regjim shtrëngimesh në një regjim të nxitjes përmes një shpërblimi. Ne besojmë shumë që kjo do të jetë një masë efikase, e cila do të japë rezultate pasi familjet që nuk regjistrojnë fëmijët e tyre janë kryesisht me gjendje ekonomike të dobët, familje që për shkak të shpenzimeve që mbart një proces gjyqësor kanë refuzuar regjistrimin e fëmijëve të tyre. Kështu, ne u japim atyre një arsye më shumë që të regjistrojnë fëmijët e tyre, për t'i bërë ata të ligjshëm, por edhe u ofrojmë mundësinë e marrjes së një shpërblimi, sado i vogël të jetë ai.

-Ky ligj do të jetë i zbatueshëm vetëm për ata prindër që do të sjellin në jetë fëmijë pas hyrjes në fuqi të ligjit?

- Ligji do të jetë i zbatueshëm jo vetëm për ata prindër që sjellin në jetë fëmijë pas hyrjes në fuqi të tij, por edhe për ata që kanë lindur më përpara. E thënë ndryshe, çdo qytetar që ka fëmijë të paregjistruar i çfarëdo moshe që të jetë ai, qoftë 2 apo 5 vjeç, ai do të regjistrohet dhe do të përfitojë shpërblimin nëse e regjistron fëmijën brenda 60 ditëve, sipas ligjit, pas hyrjes në fuqi të ligjit.

-A do të ndërmerrni një fushatë sensibilizuese në zbatim të këtij ligji?

- Fushata sensibilizuese faktikisht ka filluar që me mediatizimin që po i bëjmë kësaj nisme ligjore të ndërmarrë nga qeveria shqiptare dhe Kuvendi. Ministria e Brendshme është krejtësisht e angazhuar në këtë proces dhe besojmë se do të arrihen rezultate.

- Për momentin, a ka fëmijë të paregjistruar në Shqipëri?

- Nga të dhënat që kemi nga shoqata jofitimprurëse, raportohen raste fëmijësh të paregjistruar, kryesisht nga shtresat më në nevojë të popullsisë, por edhe raste kur familjet jetojnë në vende larg nga qendrat shëndetësore dhe nënat janë të detyruara të lindin në kushtet e shtëpisë. Kjo përbën dhe një nga arsyet që ne ndryshuam ligjin, me qëllim që qytetari të mos ndihet i penguar ligjërisht në momentin kur vendos të bëjë regjistrimin e fëmijës së tij.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›