E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa;David Braun, për herë të dytë kërkon përjashtim të trupit gjykues

I akuzuar për marrëdhënie seksuale me të mitur më shumë se një herë, britaniku David Braun i drejtohet sërish Gjykatës së Tiranës me një kërkesë për përjashtim të trupit gjykues. Kësaj radhe kërkesa do të shqyrtohet nga gjyqtari Altin Abdiu, pasi kërkesa e depozituar nga avokatja e tij i është nënshtruar hedhjes në shortin elektronik. Ky i pandehur, nisur dhe nga dëshmitë e të miturve, si dhe ato të dy punonjëseve britanike që kishin punuar në qendrën e tij, akuzon trupin gjykues për njëanshmëri, ndaj dhe kërkon përjashtim të tij dhe gjykimin nga të tjerë gjyqtarë. Një kërkesë e ngjashme e Braunit është rrëzuar disa javë më parë nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, e cila e konsideroi si të pabazuar në ligj. I pandehuri Braun akuzohet se në bashkëpunim me Robin Arnolds e Dino Kristodulu kanë abuzuar seksualisht me disa të mitur, të cilët strehoheshin në qendrën “Fëmijët e Tij”, e drejtuar nga David Braun. Fëmijët kanë pranuar dhunën fizike dhe abuzimin seksual nga i pandehuri, madje duke dhënë detaje në dëshmitë e tyre rreth këtij fakti. Dëshmitë e disa të miturve janë marrë me videokonferencë, me qëllim për të evituar presionin psikologjik mbi ta nga ballafaqimi me të pandehurin. Ndërkohë që vetë Braun ka deklaruar se është impotent dhe nuk është e vërtetë që ka abuzuar me fëmijët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›