E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lobimi, OKB-ja, bota

Shteti më i ri në botë, Kosova, ka shumë halle e vështirësi. Në veri serbët dhe Serbia përpiqen t’ia bëjnë të pamundshme ushtrimin e sovranitetit të plotë mbi territorin aq të pakët që ka ky shtet. Në pjesët e tjera nuk ka vështirësi, tek-tuk në ndonjë fshat a lokalitet ndonjë grup serbësh sërish përpiqet që të bëjë ndonjë destruksion, por jo në shkallën në të cilën i bënin dikur, në emër të një problemi të paqenë, por që ishin të ndërsyer nga Beogradi. Kjo nuk do të thotë se edhe tash nuk kanë sinjale për rrënime e kaos, mirëpo Beogradi është shumë më i zënë me veriun e Mitrovicës, ku është përqendruar të bëjë shantazhe për të penguar sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, por njëkohësisht për ta zbehur sa të mundet shpalljen e pavarësisë. Natyrisht, ndonjë shtet europerëndimor me pasigurinë a këmbënguljen që të mos e pranojë pavarësinë e Kosovës, pavarësisht faktit të kryer paraqet vështirësi, sepse inkurajon Rusinë e Serbinë të jenë më këmbëngulës në përpjekjet e tyre. Në kontinentin e vjetër nuk ka shumë shtete që mendojnë ngjashëm a njëjtë me Rusinë e Serbinë, por fatkeqësisht janë disa që nëse nuk mund ta prishin procesin e pavarësisë, mund të zvarrisnin punë dhe të krijojnë vonesa të dëmshme. Kontinenti i vjetër me pak përjashtime kësaj radhe është dëshmuar dashamirës i shqiptarëve, përkatësisht e ka mbështetur gjakimin e tyre që të pavarësohen dhe të jetojnë në vendin e tyre pa diktaturë e pushtet kolonialist të egër.

Meritokraci a biznes shërbimi

Kosova ka edhe halle të tjera me pranimin në OKB, që do të jetë një procedurë e veçantë e që njëkohësisht kërkon kohë, kërkon angazhim, energji të jashtëzakonshme dhe miqësi e fat. Kosova ende është në fazën e dëshirës për shtimin e shteteve që do ta pranonin dhe do të shtonin numrin e duhur, sikurse që ka edhe probleme me lobimin që nuk është askund dhe duket se fare pak po bëhet në këtë drejtim. Madje, para pranimit në OKB, duhet të fillojë një fushatë e koordinuar, e organizuar mirë dhe e mbështetur edhe nga organizata ndërkombëtare, për t’u përmbyllur me mbështetjen e shteteve më të fuqishme të botës, sidomos të atyre që e pranuan të parat pavarësinë e Kosovës.

Nëse në planin e brendshëm, partitë politike që fituan e, sidomos grupimet që e kanë mbështetur partinë, po përpiqen me të gjitha mjetet të kenë sa më shumë njerëz të tyre, madje pa e shikuar fare se a janë ata për postet aq të larta ku i kanë caktuar; mjafton që u duhen sot a nesër, apo mjafton që u kanë bërë shërbime dhe e pengojnë grupimin tjetër të depërtojnë; në planin e jashtëm kjo gjë mund t’u hakmerret keqas. Edhe në planin e brendshëm këto gjëra tashmë po i hakmerren Kosovës, sepse nuk e kemi administratën të cilën e meritojmë dhe nuk e kemi as stafin e përgatitur, ndërsa kemi njerëz profesionalisht më të përgatitur, por që janë në poste më të ulëta ose nuk janë fare në institucione. Nuk është vetëm puna e “meritokracisë”, fenomene të cilat janë të pranishme në gjithë ish-lindjen socialiste, besa edhe në perëndimin e djepit të demokracisë, por edhe disa gjërave të dyshimta të biznesit, besa edhe të diktatit të disa organizmave ndërkombëtarë, të cilët na i lanë disa “personalitete” në derë të shtëpisë, ndërsa qëllimisht i injoruan disa të tjera. Gjatë këtyre dhjetë vjetëve dolën aq shumë “personalitete”, të cilat nuk patën karizmë, nuk patën përgatitje të duhur, nuk patën as simpatinë e nevojshme të elektoratit, por çuditërisht dikush i futi për derë të vogël dhe tash nuk mund t’i nxjerrësh as për derë të madhe, sepse janë bërë faktorë në të gjitha proceset politike. Dhe kështu duket se e kemi klasën politike më të çdoditshme dhe me “shumështresore” në rajon: nga të gjitha kastat dhe nga të gjitha kazanët.

Ku është Robert Dolli?

Ndërkaq, në planin e lobimit ndërkombëtar, disa thonë se nuk kemi njerëz që do të udhëhiqnin këtë proces aq të ndërlikuar dhe aq të dobishëm për pozitën në të cilën është shteti ynë i ri. Të tjerët mendojnë se për këtë gjë duhet angazhuar institute të dëshmuara, që kanë armatë profesionistësh dhe nuk ka derë që nuk u çilet. Ndërsa të tretët janë të bindur se kemi institucionet: Presidentin e shtetit, i cili në pjesën më të madhe duhet të përqendrohet në këtë plan me tërë stafin e vet të politikës së jashtme, nëse e ka, pastaj Ministrinë e Jashtme që është formuar para disa kohësh, është një zyrë në kuadër të Kryeministrisë. Por për këtë gjë lipsen mjete, lipsen njerëz e lidhje të forta për të bërë më shumë në këtë plan. Dikur për lobim ndërkombëtar ka qenë angazhuar Robert Dolli i famshëm me shërbimin e tij. Madje, angazhimin tij e pati bërë Presidenti tashmë i ndjerë Ibrahim Rugova. Për lobim të njëjtin emër autoritativ e pati angazhuar edhe Sllovenia, e cila ishte e pranuar, kishte depërtuar në të gjitha institucionet, por synonte edhe të tjerat.

Pas vdekjes se Presidentit Rugova, më nuk u tha asnjë fjalë se a është ende i angazhuar Dolli, i cili dikur bëri aq shumë për Kosovën, nuk u tha po ashtu se është angazhuar dikush tjetër apo e kemi lënë këtë punë në duar të Zotit, ashtu sikurse dimë të bëjmë a sikurse që kemi bërë shumë edhe gjatë historisë.

Pranimi në OKB

Nëse do të kemi lobim të vështirë, por të domosdoshëm, nëse do të kalojmë me sukses këtë provim mjaft të rëndësishëm, nëse do të dimë t’i bëjmë për vete edhe ata që nuk i kishim dashamirës, atëherë jo vetëm se do të shtohet numri i shteteve që do të na pranojnë, për të arritur kështu kuotën e nevojshme për fazën e ardhme, por do t’ia lehtësojmë vetes punën në vijim. Dhe kështu, sivjet a në vijim do të dalin sërish në OKB për të kërkuar të jemi anëtare e kësaj organizate dhe automatikisht edhe e shumë organizatave të tjerë. Pranimi në OKB do të jetë i vështirë, por edhe do të jetë sfidë e jashtëzakonshme për Presidentin me stafin e tij që lipset kompletuar, sidomos me të tillë që dinë çka është diplomacia e çka është bota, do të jetë sfidë për qeverinë e për Ministrinë e Jashtme. Vetëm atëherë do të fillojmë të kthehemi në problemet e brendshme që janë shumë të mprehta dhe që sa më shumë që të shtyhen, më vështirë do ta kemi të ballafaqohemi me to.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›