Fuqitë e intuitës
...ato që njohim përgjysmë (!)
Të gjithë njerëzit, çdo njeri, kanë intuitë, domethënë “të shprehim menjëherë diçka pa menduar dhe pa analizuar”. Po cila është fuqia e intuitës sonë? është e pamatshme, e habitshme, një kërkim i thjeshtë dhe thjesht nuhatje. Njeriu e kap me sy, me hundë, gjithçka që mund të bëjë e arrijë. Në të gjitha rastet intuita ka karakter social dhe individual, sepse për fat të keq nuk shprehet njëlloj te të gjithë njerëzit.
Njeriu me intuitë të fuqishme ka arritje të larta, por, ndërkohë, bën edhe gabime të mëdha. Sepse, në këto raste, gabimi është njerëzor.
Shpesh thuhet: “Ky njeri ka nuhatje politike”, ose “Ky tjetri ka intuitë për t’u marrë me këtë punë”. Iksi apo ipsiloni e nuhat menjëherë gjahun e tij, e gjen zgjidhjen, del nga situata, e thotë plot befasi përgjigjen, dialogon mirë, e zgjidh me hundë problemin...
E vërteta është se çdo njeri e ka veshur që me lindjen e tij këtë stof, kjo si të thuash është edhe “këmisha” me të cilën ka lindur! Por jo çdo njeri e gjen dhe e shikon këmishën me të cilën ka lindur. Në udhën e ngushtë të jetës, në shtigjet e saj, në kthesat e fuqishme, në malore a në zgrip, njeriut i duhet, pa dashje, në mënyrë krejt automatike, të vërë në veprim, nuhatjen, intuitën. Se si del nga gjendja, pastaj, varet nga shumë faktorë, por mbi të gjitha qëndron fuqia e intuitës.
Blez Paskali, matematicieni dhe filozofi frëng i shek. XVII, shkruante se “Zemra kurdoherë ka arsyet e veta, të cilat nuk i njeh”. Shkenca e sotme ka vërtetuar se Paskali ka pasur të drejtë. Sepse njeriu shpreh gjithmonë atë që ka mësuar dhe atë që di, pasi e administron si informacion të pavetëdijshëm. Sigurisht njeriu ka kufizime në njohjen e asaj që ndodh në trurin e tij. Mendimi ynë është pjesërisht i kontrolluar, i vetëdijshëm dhe pjesërisht automatik, i pamundimshëm, i pavetëdijshëm. Dhe mendimi i automatizuar shfaqet gjithnjë atje ku nuk ka arsye, jashtë syrit tonë dhe ka të bëjë me reagimet emocionale, pasi ato janë të menjëhershme dhe nuk lënë vend për gjykime dhe mendim të paramenduar. Pëlqimet, mospëlqimet dhe frika nuk duan, nuk hanë analizë. Kështu reagimet tona intuitive nuk e përfillin logjikën, por, sido qofshin, janë sërish përshtatëse.Fuqia kryesore e intuitës është edhe fuqia e reagimit emocional të pakontrolluar, të menjëhershëm, jo thjesht nga britma e zërit, nga pasthirrma, nga habia dhe shqyerja e syve, nga pataksja e lemerisur, nga të lënit pa mend. Ajo shpesh bie pre e intrigës politike, por edhe nga dhelpëria e të menduarit paraprak. Prandaj dhe intuita, për shembull politike, varet shumë edhe nga informacioni njohës i grumbulluar nëpërmjet dijes sonë dhe pastaj shpërthen në mënyrë të pavetëdijshme, qoftë edhe të reagimit emocional. Kushdo prej nesh i ka ndjekur “spektaklet” televizive, show-et e diskutimeve në Parlament, në shpërfaqjen e hatashme të reagimit emocional, të përgjigjeve të shkathëta. Nuk janë të pakta, në këto raste “shpërthimet me inat”, fjalët fyese e sharëse, intriga e hollë, përgjigjja e prerë, mendime të çaprashitura, kërkesa të trasha, mungesë elokuence. Sepse, tek e fundit, një nga armët më të fuqishme të intuitës është elokuenca!
Formula se njerëzit intuitivë, domethënë njerëzit me intuitë të fuqishme, janë një kontingjent për t’u futur në rrugën e pakontrolluar të vetëpëlqimit dhe të vetëmashtrimit, madje edhe të mendjemadhësisë. Ata i kap besimi i tepruar në gjithçka, sepse fillojnë ta shohin vetveten, ta njohin fuqinë e asaj që zotërojnë, duke zhbiruar së brendshmi, duke krahasuar dhe pastaj gjetur rrugët më të shkurtra. Në këto raste njeriu me të tillë nuhatje, ka filluar të shkarkojë barrën e dijeve fituar më parë dhe të lëna prej kohësh në nënvetëdije, në një hije që befas fiton dritë të padukshme. Kjo është dhe drita më e pakorrigjueshme, e fshehtë dhe që vepron gjithnjë e më shumë si dritë intuitive. Ju i kini parë replikat, jo ato teatrale e të mësuara për t’u interpretuar në mënyrë bindëse, por ato të jetës dhe më të dukshme në këto raste janë bisedat mediatike dhe ato politike. Aty menjëherë duket viktima, përgjigjja e shkathët, durimi i kontrolluar, elokuenca, naiviteti, shpejtësia, përvoja e gjerë... e që të gjitha këto vijnë në mënyrë fragmentare, por që duket aftësia për ta nënkuptuar analizën mendore. Gjithashtu shpërfaqet edhe aftësia djallëzore për të dhënë përgjigje me kuptim të fshehtë, për ta futur njeriun në skutat e asaj që ti ke analizuar e në dobi të atyre njohurive i ka rënë erë e qartë edhe intuitës.
Sigurisht intuita e dobët, apo edhe e fuqishme, ka kufijtë e saj, herë të dukshëm e në përgjithësi të padukshëm. Sot, madje, ekziston teza e programimit të mendjes së pandërgjegjshme njerëzore, me anë kasetash sublimuese.
“Unë e dija që në fillim”! Këtu fillon kthesa negative e nuhatjes, e intuitës. Fillojnë të shprehen interpretimet e gabuara perceptive, fantazi dhe bindje të ndërtuar keq, shprehen aftësi të mendimit iluziv ngacmues. Të tilla janë bisedat e “specialistëve në gjithçka”, ku filologu të jep mend për ndërzimin artificial të kafshëve!
Në mbyllje do të dëshiroja të vija në dukje një shënim të Tomas Xheferson: “I zgjuari i di mirë dobësitë e tij për të pranuar pathyeshmërinë; po ashtu ai që di më shumë, e di mirë se sa pak di”.
#