E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time, pagesat për degët më të shtrenjta

Sot mbyllen të gjitha afatet për të nisur studimet në fakultetet e Universitetit të Tiranës

Janë mbyllur zyrtarisht të gjitha afatet për t’u regjistruar në një nga degët e studimeve në Universitetin e Tiranës dhe në të gjithë vendin. Pas udhëzimit të ministrit të Arsimit për rishpërndarjen e kuotave të paplotësuara nuk do të ketë më asnjë shtesë tjetër, asnjë shans të dytë dhe asnjë lëvizje të vizës së aplikantëve, të cilët dorëzuan dosjet personale për konkurrim në sistemin part-time, apo njohur ndryshe si korrespondencë.
Sot është dita e fundit edhe për regjistrimet në sekretaritë e fakulteteve. Ora 14.00 është mundësia e fundit për të gjithë ata që u shpallën fitues, emrat e të cilëve u bënë publike dy ditë më parë nga rektorati i Universitetit të Tiranës.
Të gjithë ata që u shpallën fitues do të dorëzojnë pranë fakulteteve dëftesën origjinale të pjekurisë dhe do të marrin informacion lidhur me pagesat e para për tarifat shkollore. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, këtë vit pagesat për sistemin part-time do të bëhen në bazë të krediteve, provimeve të dhëna, të planifikuara nga fakulteti në bazë semestrale.
Studimet më të shtrenjta në sistemin me kohë të pjesshme do të jenë në Universitetin Politeknik, konkretisht në degën e Inxhinierisë Mekanike, edukim në distancë. Tarifa për një kredit është 1.800 lekë, që do të thotë se një vit në këtë degë paguhet mbi 1 milion lekë të vjetra dhe për tre vjet 324 mijë lekë të reja, mbi 3 milionë lekë të vjetra. Po ashtu, studimet trevjeçare në një nga degët e Fakultetit të Shkencave Natyrore, Biologji- Kimi, kushtojnë 288 mijë lekë të reja. Ndër degët më të shtrenjta këtë vit përfshihen edhe ato të Universitetit Bujqësor. Për të vazhduar me korrespondencë degën e Agrobiznesit apo Hortikulturës duhet të paguash 198 mijë lekë të reja për tre vite studimi. Mbi 150 mijë lekë janë vendosur tarifat e shkollimit për të ndjekur një nga degët në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë, Historisë, Gjeografisë, dega e Ciklit të Ulët dhe ai parashkollor, degët në Fakultetin e Shkencave Sociale, Turizëm.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›