Mbyllet tregu industrial, tregtarët borxhlinj jashtë tij
Durrës
Punonjësit e policisë bashkiake kanë mbyllur tregun industrial të qytetit bregdetar, duke lënë jashtë tij qindra tregtarë. Mësohet se mbyllja është pasojë e mosshlyerjes së taksave nga ana e tregtarëve ndaj bashkisë, bazuar në vendimin e qeverisë që i kalon ata nga tregtarë ambulantë në biznes i vogël. Mosshlyerja e detyrimeve nga ana e tregtarëve ka detyruar policinë bashkiake të mbyllë tregun e madh industrial të qytetit të Durrësit, duke lënë jashtë tij të gjithë tregtarët. Prej disa muajsh vijon konflikti mes dy palëve, ndërkohë që sot tregtarët nuk janë lejuar të hyjnë në vendet e punës e të tregtojnë mallrat e tyre. Vendimi i qeverisë në qershor të vitit të kaluar ka sjellë rritje të taksave për këta tregtarë, që të irrituar ata kanë ngritur zërin ndaj kësaj mase të Bashkisë së Durrësit, e cila nuk do të tërhiqet deri në momentin që ata do të shlyejnë detyrimet që kanë si biznes i vogël. Tregtarët kanë refuzuar t’u përgjigjen taksave të reja, duke thënë se kriza ekonomike ka cenuar ndjeshëm fuqinë blerëse e rrjedhimisht edhe fitimet e tyre.
#