E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, dy raste rrezikojnë jetën

Numri i shqiptarëve të prekur nga virusi pandemik kalon 450 persona. Del nga gjendja e rënduar gruaja shtatzënë

Raportimet e përditshme të situatës së qarkullimit të virusit pandemik AH1N1 tregojnë se ka rënie të qarkullimit të gripit, por nga ana tjetër, çdo ditë nuk mungojnë rastet me komplikacione. Lajmi i mirë është që dje ka dalë nga gjendja e rrezikut për jetën gruaja shtatzënë, e cila mbahej në terapi intensive në spitalin universitar të sëmundjeve të mushkërive “Shefqet Ndroqi”. Ndërsa lajmi jo i mirë është që janë edhe dy raste të tjera të prekur nga gripi i derrit AH1N1, që aktualisht ndodhen në rrezik për jetën. Pacientët e prekur nga gripi, të cilët kanë shfaqur komplikacione, po marrin terapi intensive pranë pavijoneve të shërbimeve të specializuara në sanatorium, ndërkohë që të tjerë paraqiten për analiza apo konsultë në shërbimet e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Ata më pak problematikë mbahen nën vëzhgim në dhomat e shtrimit, të tjerët të cilët shfaqin komplikacione më të rënda, futen në terapi intensive, intubim, oksigjen “artificial”.
Situata
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht situata e qarkullimit të gripit është qetësuar. Rastet e raportuara janë mesatarisht 5-6 persona të konfirmuar çdo ditë, por nga ana tjetër, kampionët e marrë në ekzaminim janë të reduktuar. Kjo për shkak se që pas shënimit të viktimës së parë nga gripi i derrit, të tjera udhëzime dolën nga Dikasteri i Shëndetësisë.
Sipas direktivave, tashmë kampionët e ekzaminimeve do të përqendroheshin në marrjen e mostrave të gjakut, ndër rastet e rëndë, vdekjet e papritura apo virozat e rënda.
Nëse do të kishte më tepër ekzaminime, atëherë, sipas Institutit të Shëndetit Publik, rastet e të konfirmuarve nga gripi i derrit do të ishin 4-5-fish më të larta se numri i raportimeve aktuale.
Rastet e rënda
Rastet me komplikacione, në gjendje shëndetësore stacionare, ku nuk ka as përmirësim, as përkeqësim të gjendjes shëndetësore, mbahen nën vëzhgim në dy spitalet universitare të Tiranës, në sanatorium dhe në spitalin “Nënë Tereza”. Deri tani, kanë gjetur vdekjen 12 persona nga gripi i derrit. Të tjerë kanë marrë trajtim dhe janë larguar për në shtëpi. Deri dje, veç dy pacientëve në gjendje të rëndë, në shërbimin e infektivit marrin trajtim edhe pacientë të tjerë jo në gjendje kritike për jetën.
Rastet e konfirmuara me AH1N1 janë të shpërndara pothuajse në të gjitha zonat gjeografike të vendit, gjë që flet për qarkullim të virusit thuajse në të gjithë vendin. Raste të konfirmuara janë të gjitha rastet, të cilat kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit pandemik AH1N1 në laboratorin e virologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik. Raste të dyshimta janë të gjitha rastet që plotësojnë përkufizimin e rastit. Gjatë muajit të parë të konfirmimit të virusit pandemik AH1N1, në vend, shumica e rasteve kanë qenë të lidhura me udhëtime jashtë vendit, dhe më pas janë rastet sporadike apo grumbullime të vogla brenda familjes. Duke filluar nga fundi i tetorit dhe fillimi i nëntorit kemi grumbullime të vogla brenda familjes. Duke filluar nga fundi i tetorit dhe fillimi i nëntorit kemi grumbullime rastesh në shkolla, kopshte apo në familje.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›