Lista e barnave, Shëndetësia korrespondencë me Financat
Specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë sqarojnë: Barnat për 2010-n nuk janë të shtrenjta, problemi është euro
Lista e barnave me rimbursim nuk është e shtrenjtë, fondi i vendosur në dispozicion për ilaçet që do të rimbursohen këtë vit nuk është më i lartë se ai i një viti më parë. Problem mbetet rritja e çmimit të euros në kursin e këmbimit të valutës.
Të gjitha këto sqarime kanë qenë pjesë nga korrespondenca e Ministrisë së Shëndetësisë, dërguar Ministrisë së Financave pas kthimit të listës së banave me rimbursim për shkak të faturës financiare. Sipas Financave, kjo faturë është e lartë dhe nuk mund të përballohet. Nisur nga kjo, Komisioni i Rishikimit dhe Miratimit të Listës së Barnave me Rimbursim duhet të kryente të gjitha rishqyrtimet për shkurtimin e shpenzimeve.
Pas kthimit mbrapsht të propozimit të listës së barnave me rimbursim për vitin 2010, specialistët e shëndetësisë i kanë sqaruar nëpërmjet një shkrese zyrtare Financave se lista e barnave është e balancuar deri në detaje, problem mbetet rimbursimi për shkak të çmimit të euros. Disa nga ilaçet, të cilat konsiderohen të shtrenjta, janë për pacientët që trajtohen nga problemet e gjakut, barnat postransplantin, apo një grup ilaçesh për pacientët me insuficiencë renale, probleme në veshka.
Lista e barnave me rimbursim duhet të hynte në fuqi më 1 janar të këtij viti. Miratimi i listës së re është bërë në datën 20 dhjetor dhe projektvendimi ka shkuar për miratim pranë Ministrisë së Financave, e cila duhet të thoshte fjalën e fundit.
Ndërsa kjo listë nuk ka gjetur miratimin e financës, edhe pse e kopsitur me minimumin e shpenzimeve, do të shtyhet për miratim deri në gjetjen e një konsensusi. Ministria e Shëndetësisë, veç sqarimit që ka bërë për Financat, ka kërkuar mirëkuptim, për aprovimin e listës dhe gjetjes së fondeve të veçanta për përballimin e të gjitha shpenzimeve.
Listën e barnave me rimbursim 2010 e ka prekur kriza. Edhe pse Komisioni i Hartimit të Listës është munduar të mbajë balanca përsëri, Ministria e Financave ka pasur objeksione.
Nga ana tjetër, lidhur me çmimin e euros në tregun e valutës, zhvlerësimit apo vlerësimit të lekut, Shoqata e Grosistëve dhe përfaqësues të ISKSH-së ranë dakord që çmimi me të cilën do të llogaritej tregtimi i barnave do të ishte sipas raportimit të kursit mesatar të këmbimit nga Banka e Shqipërisë.
#