Fier, gratë tregtare lënë grevën e urisë
Fier-Mbyllet greva e urisë e grave tregtare të Fierit, që prej 17 ditësh ishin ngujuar në kundërshtim të vendimit për të zhvendosur aktivitetin e tyre nga ura e Gjanicës. Gjithçka erdhi pas një marrëveshjeje mes bashkisë dhe përfaqësuesve të tregtareve për të rifilluar punën. Në bazë të marrëveshjes, firmosur nga tre gra greviste dhe bashkia, vendi ku ato do të vendoset është segmenti mes fundit të urës së hekurt deri në daljen e rrugës Fier-Patos, përballë poliklinikës. Tregtaret do të qëndrojnë aty deri në largimin e të gjithë tregtarëve, duke përfshirë edhe ata të lumit Gjanica, deri në gjetjen nga ana e bashkisë të një tregu, që do të grumbullojë bashkë tregtarët industrialë dhe ata ambulantë. Greva nisi 17 ditë më parë, kur u vendos që ato të spostoheshin nga vendi ku shisnin prej 15 vitesh. Marrëveshja u vendos pas një mbledhjeje urgjente të këshillit bashkiak, si reagim pas përkeqësimit të shëndetit të grave greviste.