E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, arrest me burg për doganierin

Fier-Gjykata e Fierit ka lënë në burg doganierin e Durrësit, arrestuar në kuadrin e operacionit të koduar "Aulona", fundjavën e shkuar. Në seancën e djeshme, gjykata ka dhënë masën e sigurisë për Enkeled Rexhën. Sipas prokurorit të çështjes, Petrit Vukaj, ky shtetas akuzohet se gjatë kohës që ka qenë në detyrë si doganier pranë doganës Vlorë, ngjarje kjo e regjistruar në vitin 2003, në kundërshtim me përmbushjen e rregullit të detyrës së tij shtetërore ka bërë shkelje ligjore. Sipas akuzës, ai shtetas ka lëshuar vërtetime hyrje të falsifikuara për një automjet me targa të Fierit. Ky mjet, i cili ka rezultuar i vjedhur jashtë shtetit, i është shmangurdetyrimit doganor, duke i sjellë shtetit një humbje me një vlerë prej 1.515.645 lekë. Avokati Kujtim Sino ka reaguar pas kërkesës së prokurorit, duke e quajtur arrestimin e klientit të tij të pabazuar në ligj. Më pas ai i është drejtuar gjyqtarit Alfred Konomi se klienti nuk ka rrezikshmëri largimi, ndaj kërkoi një masë më të butë, atë të paraqitjes në policinë gjyqësore. Por me këtë kërkesë nuk ka qenë dakord gjyqtari, që ka firmosur masën e sigurisë, arrest me burg për Rexhën. Më pas ai është shoqëruar në dhomat e paraburgimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›