E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, matës "spiun" për abuzimet me energjinë

Sipas të dhënave të para, fidri me humbjen më të lartë rezulton komuna e Lazaratit me 67%
GJIROKASTËR- Të gjithë fiderat problematikë, për sa u përket humbjeve të energjisë elektrike do të kalojnë tashmë në "sitë". Një aparaturë tepër e sofistikuar me anë të së cilës skanohet puna e aparateve matës të energjisë elektrike tek konsumatorët në Gjirokastër, ka zbuluar humbjet në rrjet. Policia Elektrike e Qarkut të Gjirokastrës, ka vënë në përdorim këtë mjet dhe ka konstatuar të dhënat e para në disa prej fidrave të furnizimit me energji në të gjithë rrethin e Gjirokastrës. "Vënia në përdorim e këtij skaneri modern, ka nxjerrë në pah abuzimet dhe manipulimet që janë bërë në aparatet matëse kryesisht tek konsumatorët e mëdhenj të energjisë elektrike. Sipas të dhënave të nxjerra së fundi, vënia në eficiencë e skanerave në tre fidra kryesorë që kanë një ngarkesë të madhe, ka konstatuar ndërhyrje abuzive të ndërmarra nga persona profesionistë në aparatet matëse. Këto të fundit falë këtyre ndërhyrjeve, gjatë funksionimit të tyre regjistrojnë më pak energji elektrike sa ç'është konsumuar realisht",- është shprehur në lidhje me këtë fakt drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Energjisë Elektrike në rrethin e Gjirokastrës, Adriatik Islami. Janë tre fidra në rrethin e Gjirokastrës, të cilat rezultojnë me humbjet më të mëdha në rrjet, fidri i zonës industriale ku humbjet përllogariten në 34% të sasisë së konsumuar realisht, fidri i Radios i cili rezulton me 50% humbje të energjisë elektrike nga manipulimi i aparateve matës si dhe fidri i komunës Lazarat, i cili në bazë të të dhënave të skanerit përllogaritet të ketë një humbje prej 67%.Po sipas të njëjtave burime mësohet se të gjitha të dhënat e mbledhura nga skaneri janë duke u përpunuar, ndërsa ekspertët e Inspektoriatit të Policisë Elektrike kanë arritur në konkluzionin se ndërhyrjet në këto aparatura matëse mund të kryhen vetëm në laboratoret e KESH.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›