E Diel, 1 Nëntor 2026

Furgoni bie në humnerë, tre të plagosur

Elbasan- Një furgon me tre pasagjerë ka dalë nga rruga dhe është rrokullisuar për rreth 300 metra duke rënë në humnerë. Fatmirësisht të tre personat që ishin në furgon kanë mundur të dalin gjatë rrokullisjes së tij, duke pësuar vetëm dëmtime.

Aksidenti është regjistruar në afërsi të një karburantit në fshatin Petresh në segmentin e Qafë Kërrabës. Sipas dëshmitarëve që kanë parë aksidentin furgoni me targa PG 51 06 B ka tentuar të parakalojë, por i është prerë rruga nga një kamionçinë me targa të Pogradecit e cila është larguar nga vendi i ngjarjes.

Mjeti i aksidentit drejtohej nga shtetasi, Kreshnik Gjona, 23-vjeç me banim në fshatin Shkozë të Tiranës dhe së bashku me të ndodheshin edhe vëllai i tij dhe Erion Çela,

21-vjeç me banim në Pogradec.

Furgoni mësohet se ka qenë me shpejtësi dhe si pasojë ka dalë jashtë rruge dhe rrokullisja për shkak të territorit ka bërë që pas 300 metrave lartësi furgoni të përfundojë i copëtuar.

Të lajmëruar për aksidentin, menjëherë janë nisur drejt Qafë Krrabës, dy patrulla të policisë rrugore dhe një autoambulancë. Sipas policisë të dëmtuarit kanë shpëtuar nga aksidenti fatal, pasi kanë mundur të dalin nga mjeti gjatë rrokullisjes pasi në të kundërt gjithçka do të ishte kthyer në një tragjedi të vërtetë.

Sipas ekspertëve të policisë rrugore një ndër shkaqet ka qënë shpejtësia tej normave të lejuara dhe parakalimi i ndërprerë nga një kamionçinë. Ky segment konsiderohet një ndër më të rrezikshmit pasi është e vetmja pjesë e drejtë ku mund të parakalohet dhe tejkalohet shpejtësia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›