Leskaj: Svotojmë asnjë ligj që cenon pavarësinë e Prokurorisë
Tiranë- Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj deklaroi në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar, se PS-ja nuk do të votojë asnjë ligj që cenon pavarësinë e Prokurorisë.
“Maxhoranca nuk ka vullnet të mjaftueshëm për një proces konsensual, e transparent. Drafti i qeverisë për prokurorinë ka ngritur një vorbull shqetësuese, qeveria nuk mund të hartonte në terr një ligj të reformës në drejtësi. Ne prisnim që qeveria të mbështeste Komisionin e Ligjeve të kuvendit, ku të diskutohej reforma. Por po them se asnjë ligj për prokurorinë që nuk forcon pavarësinë e institucionit nuk do të votohet nga grupi i PS-së”- tha Leskaj.
Ajo ka replikuar me fjalimin hyrës të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, duke e cilësuar atë thjesht euforik dhe aspak të bazuar në realitetin e vendit.
Këtë vit të fundit, sipas Leskajt, të gjitha bilancet janë bërë edhe më negative se më të parë dhe kjo opozitën nuk e gëzon. “Koston e dështimit tuaj e paguajnë shqiptarët, edhe koston e parlamentit e paguajnë shqiptarët. Ndryshe nga ç’u është thënë shqiptarëve, funksioni i parlamentit ka prodhuar situata që kanë cënuar demokracinë dhe kushtetutën dhe e kanë bërë atë larg cilësisë së nevojshme, larg standardeve”- tha Leskaj.
Ajo ka kujtuar se kuvendi është shndërruar në arenë, që ka prodhuar situata fare të pakënshme dhe fjalor rruge. “Shumë ligje kalojnë ditën dhe natën, edhe për vendime që prekin grupe interesi ata janë jashtë procesit, neve nuk na jepet kohë të diskutojmë edhe për buxhetin. Kjo sallë është bërë arena e luftës antidemokratike”- tha ajo.
Leskaj ka kujtuar kërkesat për interpelanca drejtuar kreut të qeverisë, që kanë mbetur në heshtje. Sipas saj, në këtë mënyrë, Berisha e afron më shumë veten me tragjedinë e Gërdecit, duke mos ardhur në interpelancë dhe kështu kjo qeveri do të mbahet mend si qeveria e Gërdecit.
Ajo ka premtuar se opozita do të vijojë të bëjë me dinjitet punën e saj, për njerëzit që presin prej 17 vjetësh të lëvizin të lirë, që vendi të mos mbetet pa zgjedhje të lira. “Zgjedhjet e ardhshme do të hapin një kapitull; të ri për vendin”- ka përfunduar ajo.